Turqia u shpreh e shqetësuar nga raportimet se zonat e goditura në sulmet ajrore ruse në Siri nuk janë pozicionet e ISIS, dhe se në këto sulme ka pasur viktima civile.
“Jemi shumë të shqetësuar se sulmet ajrore të Rusisë nuk kanë për objektiv ISIS-in, por disa shënjestra të opozitës ndërsa ka pasur edhe viktima civile”, tha ministri i Jashtëm turk, Feridun Sinirlioglu gjatë një konference shtypi në Kombet e BAshkuara, pas një takimi të grupit “Miqtë e Ndërmjetësimit”, që ndërmjetëson bisedime për konfliktet mes kombeve.
Sipas tij, nëse raportime të tilla verifikohen, do të jetë një problem shqetësues që mund të sjellë përshkallëzime të mëtejshme. “Kjo është gjëja e fundit për të cilën ne kemi nevojë në situatën tragjike e kaotike që mbizotëron në Siri. Kjo do t’i shtojë problemet në Siri e nuk do të ndihmojë aspak në gjetjen e një zgjidhjeje për vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit sirian”, tha ministri. /tesheshi.com/