Në kështjellën e mrekullueshme të shekullit të nëntë në Pragë, dikur froni i pushtetit për perandorë të lartë romakë, Miloš Zeman e mundon një shqetësim mondan në kontrast të thellë me madhështinë e mjedisit.
“A pini cigare”, pyet presidenti i republikës Çeke, duke ndezur të parën nga disa cigare gjatë një interviste të dhënë për gazetën londineze “The Guardian” nga rezidenca e tij e kushtueshme zyrtare që shikon mbi qytet.
“Për fat të keq, cigarepirësit janë një minoritet i diskriminuar dhe ne jemi të persekutuar në të gjitha hotelet, restorantet, kudo”, vijon ai me indinjatë, duke mbrojtur një zakon që dikur e kishte cilësuar të dëmshëm nëse nuk e ke nisur përpara moshës 27-vjeçare. “Eshtë njësoj si me Prohibicionin amerikan. Uiski si pasojë u bë më i shtrenjtë dhe me cilësi më të ulët. Dhe ja tani, tymosja është pothuajse e ndaluar”.
Mospajtimi me ortodoksinë shkencore moderne duket shumë larg nga autoriteti moral që shfaqte një nga pararendësit e tij në detyrë, i ndjeri Václav Havel, disidenti anti-komunist që ishte presidenti i parë çek pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1992.
E megjithatë ai shfaqet tipik në mbrojtjen e papërkulur të zakoneve tradicionale dhe zakoneve popullore të së kaluarës, që e kanë bërë Zeman të lërë gjurmën e tij që kur u bë kreu i parë i shtetit në vendin e tij, zgjedhur drejtpërdrejt, në vitin 2013.
Vitin e kaluar, presidenti – zakonet alkoolike të të cilit, përfshirë edhe një shfaqje në publik kur ishte i dehur, e kanë bërë atë legjendar – ka nxitur polemika të ndezura kur uroi “vdekje për agjëruesit dhe vegjetarianët” gjatë një takimi me prodhuesit e verës.
Zëdhënësi i tij këmbënguli se ai po i referohej Adolf Hitlerit, një anti-alkoolist që nuk hante as mish. Cilado të jetë e vërteta, ishte padyshim popullore në klasat punëtore që mbështesin Zeman, e që kryesisht ndodhen në provincat e largëta e të izoluara prej Pragës së kulturuar e kozmopolitane.
Një folklorizëm i tillë tokësor rezonon në fakt, edhe më larg, përtej kufijve të Republikës Çeke dhe me potencialin për të sjellë pasoja edhe për të ardhmen e Europës. Deklaratat e tij godasin në pikë të dobët edhe në Sllovakinë fqinje, në Hungari e në Poloni, të cilat së bashku me republikën Çeke përbëjnë grupin e vendeve të Vishegradit. Ky populizëm i fuqishëm lindor ka gjasa të jetë në radhë të parë edhe në samitet e liderëve të Bashkimit Europian, ku diskutohet e ardhmja e BE-së dhe kriza e refugjatëve.
Por, Zeman është pothuajse në elementin e tij kur flet për kundërshtinë ndaj pranimit të refugjatëve muslimanë nga Siria në vendin e tij dhe kudo, si mënyrë për të lehtësuar krizën e emigrantëve në Europë.
Presidenti çek nisi një valë retorike kundër të mbërriturve muslimanë të një intensiteti që i bën ndjenat anti-islamike të Robert Fico, kryeministrit sllovak dhe madje, edhe të Viktor Orbán, kryeministrit hungarez të duken tepër të buta.
Zeman ka paralajmëruar se republika Çeke – shtëpi për vetëm 3500 muslimanë në një popullsi prej 10.5 milionë sipas shifrave zyrtare – mund të jetë e shënjestruar nga një sulm xhihadist dhe apeloi çekët të armatosin veten kundër diçkaje që ai e përshkroi si një “super Holokaust” të mundshëm. Ky shqetësim i shprehur prej tij besohet se ka qenë shkak i vendosjes së paprecedent të detektorëve metalikë për të skanuar turmën e turistëve të huaj që viziton kështjellën e Pragës çdo ditë.
Mesazhi alarmant është veçanërisht përçues pasi në kundërshtim me politikanët kundër emigrantëve në Europën Perëndimore, 71-vjeçari Zeman, është një social-demokrat (dhe ish-komunist) më shumë sesa i ekstremit të djathtë, dhe republika Çeke nuk ka pasur valë të mëdha refugjatësh si ato që mbërritën në Austrinë dhe Hungarinë fqinje që ndodhen në rrugën drejt Gjermanisë.
Trilli pati një urgjencë dhe popullaritet më të madh edhe për shkak të armiqësisë së Zeman ndaj kuotave të propozuara që do të shpërndanin refugjatët në të gjitha vendet e BE-së, një pozicion që ai e bëri të zëshëm edhe për kancelaren gjermane, Angela Merkel kur ajo vizitoi Pragën muajin e shkuar.
“Fjalia ime e parë në takimin me madam kancelaren ishte: ‘Nëse ju ftoni dikë në atdheun tuaj, ju nuk i dërgoni të hanë drekë tek fqinjët’. Një fjali shumë e sjellshme, apo jo”, thotë Zeman, duke folur anglisht me një tonalitet çarmatosës prej babaxhani që krijon një mbuluesë për opinionet e tij pakompromis.
Nuk ka asgjë për të qeshur, gjithsesi, kur Zeman parashtron atë që ai e sheh si kërcënimin që përbëjnë islamistët radikalë – e madje edhe muslimanët “e moderuar”, të cilët sipas tij mund të radikalizohen e të ndërmarrin sulme terroriste ashtu si gjermanët e thjeshtë dikur u frymëzuan për të mbështetur në mënyrë fanatike Hitlerin.
“Në vitet ’30, pjesa dërrmuese e gjermanëve ishin njerëz të ndershëm, kombi i Gëtes dhe Shilerit e kështu me radhë”, thotë ai. “Në pak vjet, ata u shndërruan në nazistë, madje nazistë fanatikë. Dhe radikalizimi – në kohën tonë – i popullsisë së moderuar muslimane mund të jetë si në rastin e popullsisë gjermane. Mund të jetë edhe më e lehtë sesa më gjermanët, për shkak se ekziston një ideologji vërtet radikale e mbështetur mbi fenë”.
I sfiduar ta justifikojë këtë opinion për muslimanët sekularistë, jo praktikantë, Zeman sjell si argument një ish-ministër çek të Arsimit që e cilësonte Islamin “besimin e vdekjes” dhe e vendos theksin në ato që ai thotë se janë mësimet e Kuranit.
“Ti mund të thuash se emigracioni islamik përbëhet nga njerëz paqësor. Më lejo të të jap një shembull. Qëndrimi i Islamit – nuk flas për xhihadistët, flas për Islamin – në drejtim të grave, gjysmës së popullsisë. Ashtu si e dini, në Kuran, gruaja është diçka si një pjesë inferiore e njerëzimit”.
Gjuha e papërmbajtur dhe për shumë njerëz çiltërsisht ofenduese, ka tërhequr akuza për populizëm dhe krahasime të pashmangshme me kandidatin republikan për president në SHBA, Donald Trump. Ai mbrohet duke cituar Çërçillin.
“Uinston Çërçilli ka qenë gjithnjë një populist dhe kishte të drejtë. Dhe të gjithë ata që e kritikonin atë e kishin gabim”, thotë Zeman.
“Çfarë do të thotë populist? Është një sllogan, një etiketë, asgjë më shumë”.
Kritika të forta ka pasur edhe për euroskepticizmin e manifestuar nga presidenti në denoncimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për aneksimin që ajo i bëri Krimesë. Zeman ka kërkuar referendum për anëtarësinë e republikës Çeke në BE dhe në NATO, ndërsa këmbëngul se ai do të mbronte qëndrimin në secilën prej tyre.
Nevoja e vendit për të qëndruar në BE, me të cilën u bashkua në vitin 2004, është e justifikuar nga “paratë, paratë, paratë”, thotë ai, përpara se të improvizojë shkurt melodinë e hitit të famshëm të Abba-ve. “Shpjegimi im cinik është se ne nuk jemi ende pagues neto në Bashkimin Europian. Ne marrim shuma të mëdha financimesh nga fondet europiane”, thotë ai. “Ky nuk është rasti me popullin britanik, sigurisht”.
Megjithatë, thotë ai, BE nuk ka gjasa t’i mbijetojë Brexit pa nxitur largime të mëtejshme derisa të ketë një ndryshim të lidershipit dhe reformë radikale për të reduktuar “urdhërat e pakuptimtë”.
Blloku, thotë ai, është si ai treni i prishur që përshkruhet në një barcaletë të vjetër sovjetike për kolapsin e komunizmit. “Pjesa e tretë e barcaletës përshkruan Brezhnjevin në tren”, shpjegon ai. “Ai thotë ‘shokë, nëse treni ndalon ne do të mbyllim perdet dhe do të mendojmë se treni vazhdon të ecë’. Bashkimi Europian është kjo pjesë e tretë e barcaletës. Ata thjesht kanë ulur perdet dhe simulojnë se pa asnjë ndryshim të strategjisë, Bashkimi Europian po ecën përpara”.
Atëherë, presidenti kërkon të mbyllë intervistën, e pastaj kupton se nuk e ka mbaruar ende cigaren e fundit, e kjo i jep kohë që të meditojë për ndikimin e Brexit në Britani.
“Jetë të gjatë Britanisë së Madhe. Por unë vras mendjen nëse Skocia do të qëndrojë në Britani”, argëtohet ai.
A ka ndonjë mësim që mund të nxirret nga “divorci i kadifenjtë” i Çekosllovakisë që prodhoi Çekinë dhe Sllovakinë, për Britaninë e Madhe dhe për një Skoci me gjasa të pavarur? “Nuk ju uroj në izolimin tuaj të mrekullueshëm. Izolimi është i shkëlqyer në term afatgjatë, por e dini se çfarë ka thënë Keynes – në terma afatgjatë ne jemi të gjithë të vdekur. Bye –bye”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/