Kam dëgjuar për një djalë nga Fieri që ka bërë një aplikacion shumë inovativ, si janë raportet e të rinjve me teknologjinë?
Është vërtetë një rast i veçantë ai i djalit nga Fieri. Ai ndjek një shkollë profesionale, por ka bërë një lojë që sot ndiqet dhe luhet nga 1 milionë persona. Gjatë Javës së Inovacionit kam takuar edhe një djalë tjetër, nuk dua të flas shumë për të, sepse ai po punon për diçka që mund të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për të, por në nivel botëror. E ky ndoshta do të jetë një model për t’i dhënë shpresë gjithë të rinjve se në këtë fushë ka një hapësirë pafund për të tërë. Kjo tregon që shqiptarët janë shumë të zgjuar, shumë dinamikë dhe shumë pozitivë, nëse krijohet sistemi që ua mundëson këtë gjë.
Qendra e inovacionit “Innovation Hub”, çfarë iu ofron të rinjve?
Që këtu nga TVSH-ja jemi shumë pranë qendrës së re të inovacionit. Aty kemi mbledhur katër agjencitë kombëtare të inovacionit dhe përveç tyre është dhe një hapësirë e posaçme inovative, ku do të qëndrojnë të rinjtë e talentuar që do të elaborojnë idetë e tyre në projekte dhe pse jo më pas dhe në para.
Pra kjo qendër inovacioni është edhe si laborator?
Është një laborator mbështetës për ata të rinj që duan të operojnë në këtë fushë.
Agjencitë kombëtare të inoviacionit a ndihmojnë dot qytetarët që për shembull të marrin një leje ndërtimi online si në SHBA?
Absolutisht po. Tashmë të gjitha lejet e ndërtimit që prej 31 marsit merren vetëm online. Nuk do të duhet të shkohet më në asnjë zyrë bashkie. Në pak muaj tashmë numri i aplikimeve që marrin përgjigje në afat është dyfishuar. Për shembull në sektorin e zyrave të pasurive të luajtshme ku është aplikuar kjo pjesë e reformës në shërbimet publike.
Po si qëndron puna e çipit elektronik të kartës së identitetit? Çfarë shërbimesh ofrohen falë tij?
Po, çipi prej më shumë se një viti mundëson nënshkrimin elektronik. Falë kësaj procedure përfitohen shumë shërbime online, si fjala vjen në QKR.
Pra, mund të hap një numër NIPT-i pa shkuar në QKR?
Po, vetëm se pastaj duhet paguar edhe taksa. E gjithë kjo është pjesë e portalit e-Albania, i cili ofron mbi 260 shërbime aplikimesh dhe këto do të dyfishohen deri në fund të vitit. Ne kemi ngritur shumë ofertën tonë, tani duhet të bëjmë të mundur rritjen e kërkesës nga ana e qytetarëve për t’i përfituar këto shërbime. Mënyra sesi kemi menduar ta bëjmë këtë është nëpërmjet të rinjve që e përqafojnë më shpejt teknologjinë. Për portalin e-Albania kemi menduar që të trajnojmë mësuesit e shkollave të mesme, në mënyrë që kjo t’i mësohet gjimnazistëve. Dhe më pas shpresojmë që nxënësit të ndihmojnë prindërit që të marrin shërbime online. A e di që sot mund të printohet karta e shëndetit online, të paguhet energjia e plot ë tjera?! Kjo fushatë pritet që të nisë vitin e ardhshëm. Kjo është pjesë e përpjekjeve tona për të shmangur kontaktin nëpunës-qytetar dhe për të ulur kështu sa më shumë të jetë e mundur korrupsionin. Ne e dimë që po të ndërtosh sistemin që “i pret duart” tundimit për të përfituar në mënyrë të paligjshme është më e lehtë jo vetëm për ne për të luftuar fenomenin, por është edhe më e besueshme. Sot ne kemi ndërlidhur rreth 40 sistemet kryesore të shtetit me shërbime për qytetarët, si Rregjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Tatimet, ndihma ekonomike e të tjera. Këto sisteme shkëmbejnë informacion me njëri-tjetrin dhe duke bërë këtë do të arrihet deri në pikën që qytetarit, kur të shkojë në zyrat e shtetit të mos i kërkohet asnjë dokument që e prodhojnë po zyrat e shtetit. Sot Shqipëria është ndër vendet më të avacuara në rajon në lidhje me këto shërbime.
Si po ecën dixhitalizimi i RTSH-së në këndvështrimin tuaj?
Kalimi nga sistemi analog në sistemin dixhital ka ndodhur në të gjithë Europën. Afati është tejkaluar, jemi me një vit vonesë. Kjo për arsyen se procedurat e ndjekura nga qeveria e kaluar u konsideruan të gabuara dhe u dënuan nga gjykatat. Megjithëse procesi filloi vonë, tani është momenti që gjërat janë duke ecur mirë. Ka nisur transmetimi në sistemin dixhital i programeve të RTSH në Tiranë do të vijohet dhe me rrethet e tjera dhe deri në shtator do të jetë mbuluar me këtë lloj shërbimi rreth 70 % e popullsisë.
Po si do të veprohet me shtresat e popullsisë që nuk kanë mundësi të kenë një aparat për të parë transmetimet dixhitale?
Aparatet bazike sot kanë çmime mjaft normale, por për të gjitha shtresat në nevojë ato do të jepen falas nga Ministria e Mirëqënies Sociale në bashkëpunim me Radio-Televizionin Shqiptar.
U bë si odise kjo puna e dixhitalizimit të RTSH apo jo?
E vërtetë është. Por, ky proces ka qenë i vështirë në të gjitha vendet, Italia për shembull është një vend ku ka patur probleme pafund në dixhitalizim. Unë vetë e kam jetuar më herët në Francë këtë proces dhe mund t’ju them se atje ka zgjatur 5-6 vjet. Shqipëria kishte një fat të mirë, sepse një pjesë e madhe e popullatës kishte mundësi të ndiqte programe dixhitale, falë operatorëve privatë dhe platformave të ndryshme, pra ishin mësuar me transmetimet dixhitale.
Duke qëndruar tek interneti le të flasim pak për sigurinë. Pak muaj më parë u publikua një raport shqetësues i Word Vision lidhur me ngacmimet seksuale të të miturve në internet. Rreth 40 përqind e tyre thuhej në këtë raport bien pre e ngacmimeve. Asajkohe u fol për një projekt që do të sillte filtra më të fortë. Çfarë po ndodh? Cili është niveli i mbrojtjes që kanë sot fëmijët tanë përballë internetit? A janë shtuar “gardianët”?
Është një problem mbarëbotëror. Ne jemi munduar që të përfitojmë nga eksperiencat më të mira për bërë të mundur frenimin e këtij fenomeni. Kemi bërë një marrëveshje mes katër ministrive: Inovacioni, e Brendshmja, e Arsimit dhe Ministria e Mirëqënies Sociale për të rritur mekanizmit të ndërgjegjësimit si dhe mekanizma konkretë teknik. Ne përmendëm sigurinë e fëmijëve, por edhe çështja e terrorizmit është jashtëzakonisht shumë e ndjeshme sot. Prandaj ka një portal unik ku mund të denoncohen faqet që konsiderohen në kundërshtim me ligjin. Ata që prodhojnë faqe të paligjshme në internet janë shumë dinamik, ndryshojnë faqe, emra e kështu me radhë. Edhe sot kemi patur një tryezë për të aprovimin e ligjit për sigurinë kibernetike, ligj që nuk ka funksionuar më parë. Me këtë ligj do të mbrohet jo vetëm infrastruktura e shtetit, por edhe infrastruktura dixhitale e Shqipërisë si bankat apo hidrocentralet që do të dixhitalizohen çdo ditë e më shumë. Jemi në pragun e të ashtuquajturit “revolucioni i katërt industrial” dhe gjithçka kemi parë deri më tani mund ta përmbledhim në shprehjen “nuk keni parë asgjë akoma”. Bota ka ndryshuar shumë, por në 5-10 vitet që do të vijnë pritet që të ndryshojë edhe më shumë. Të gjitha rrjetet e energjetikës, e tregtisë, e ujit, ekonomia do të dixhitalizohet në një mënyrë shumë më të vrullshme. Strategjia jonë fillon që nga arsimi, nga futja e kurrikulave të teknologjisë së informacionit që në shkollë herët.
Po, po e kam parë që teknologjia ka hyrë jo vetëm në shkollë por edhe në politikë. Edhe në sallën e Kuvendit është e pranishme…
Po, kemi një që vjen me Ipad.
Doktori dihet. A keni marrëdhënie me doktorin për çështje elektronike flas?
Për çështje elektronike jo edhe aq, përveç rasteve kur shpik ndonjë histori si ajo që unë kam prerë fibrat optike të kryeministrisë. Po doktori e ka këtë forcë që të më bindë. Më ka bindur edhe që jam kushërirë e Ramës.
Jemi kushërinj të tetë. Bashkohen trungjet në vitin 1700. Nëse Rama do të mbështeste të gjithë të afërmit e këtij trungu të pasardhur që nga 1700 do të kishte shumë punë.
Meqë keni parë trungurn, ky fis nga e ka prejardhjen?
Pema ka fisin që nga vitet 1500 dhe mendohet se janë fise të ardhura herët nga Malësia në zonën e Bregut.
Nga Mirdita?
Janë një sërë emrash që të lënë të kuptosh këtë, por saktë saktë nuk mund ta them unë.
Të premten e shkuar dukej sikur do të hapej kutia e Pandorës. Ju jeni dakord me kolegun tuaj të Ministrisë së Drejtësisë që ata që kanë kryer vepra penale, qofshin edhe të amnistuar, duhet të largohen?
Nuk besoj se është çështje dakordësie. Këtë çështje e ka parashikuar ligji. Nëse do të do të flitej për dakordësi nuk dihet nëse doktori që ka ndërruar datën e lindjes është subjekt i ligjit apo jo…
Apo kryeministri që ka ndërruar emrin…
Këto janë historitë e doktorit…
Po e ka ndërruar emrin, nga Edvin, një emër mjaft i bukur, holandez në Edi. Fitore e vogël e doktorit është. E ka kompleksuar Ramën. E ndërroi emrin pas vitit 2000…
Këto janë anekdota… Por ajo që është e rëndësishme tek ligji i dekriminalizimit që ishte një marrëveshje politike, është se nuk ka parashikuar të gjitha detajet e zbatimit. Këtë mund ta them me përgjegjësi të plotë. Departamenti i Adminsitratës Publike u angazhua në mënyrë të papritur që të mblidhte 25 mijë formularë brenda një muaji. Tani janë mbledhur, zbardhur dhe nis verifikimi. Dua të them se përgjegjësia është në çdo rast individuale.
Ndërkohë ka patur zëra juristësh të njohur në vend që në njohje të mirë të ligjit kanë deklaruar se janë lënë hapësirat për të shpëtuar të gjithë emrat që dolën se kanë patur përballje me drejtësinë. Ju si i komentoni?
Këto më duken si diçka mes përrallave, legjendava urbane që tregohen pafund në këtë vend. Ligji është shumë i fortë dhe parashikon largimin nga puna për një sërë veprash. Kemi patur raste që njerëz kanë dhënë dorëheqjen përpara se të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit.
Ky është një debat që ka përfshirë disa parti, po dalin njerëz tani që kanë katër emra…
Nuk e di nëse ndërrimi i emrit është diçka që ligji e parashikon si çëshje për të dhënë dorëheqjen. Ka njerëz që nuk janë mirë me emrin e tyre dhe e ndërrojnë. Rasteve personale nuk i hy fare. Ata që ka parashikuar ligji do të largohen.
Ju si ministre kur uleni në Kuvend, nuk ju bën përshtypje që një pjesë e deputetëve përballë nuk kanë shkollën e lartë?
Shkolla e lartë nuk e besoj se duhet të jetë kriter në vetvete. Unë kriter kam integritetin, jo shkollën e lartë. Deputetët janë të zgjedhur të popullatës.
Si mund të jetë një deputet që vendos për ligjet e këtij vendi me një fjalor me 1200 fjalë maksimumi?
Këmbëngul tek pjesa që deputeti është përfaqësues i zonës dhe mund të them se kjo nuk ndodh kështu vetëm në Parlamentin tonë. Ka shembuj plot të ngjashëm nëpër botë.
Në qoftë se një përfaqësues politik në nivele të larta përfaqësimi do të duhet të lërë politikën për shkak të ligjit të dekriminalizimit, kjo është një njollë e madhe dhe për kreun e partisë që e ka futur në listë apo jo?
Nga listat kanë dalë emra me çështje të deklaruara nga të gjitha partitë.
Unë këtë po them që shoh në të njëjtin “thes” dhe PS dhe PD dhe LSI…
E para nëse ka të tillë ata do të mbajnë përgjegjësite e tyre. E dyta në listat e PS të gjithë personat që janë propozuar kanë dorëzuar më parë dëshminë e penalitetit. Tani, nëse dëshmia është e pastër, çfarë mënyre tjetër ka një parti përveç thashethemit për të gërrmuar në jetën e tij?! Tani u vendos një ligj shumë më i fortë se kontrolli vetëm me dëshminë e penalitetit. Të shikojmë implementimin.
Si e shpjegoni nivelin e lartë të perceptimit të korrupsionit në administratë?
Me ketë pyetje më jepet rasti të flas për një reformë që e kam pasion dhe që besoj se do të shkojë përtej këtij mandati. Ne duam të ndryshojmë krejtësisht mënyrën sesi shteti iu shërben qytetarëve. E përmenda vetëm pak Zyrën e Pasurive të Patundshme. Ne duhet të ndërtojmë një sistem që ai vetë të jetë i pakorruptueshëm. Sistemi online dhe shërbimi dixhital janë të pakorruptueshëm, sepse lë gjurmë çdo veprim që kryhet në këtë sistem. Qoftë edhe një vonesë apo përzgjedhje selektive në një përgjije do të jetë e pamundur. Ne po ndërtojmë një sistem teknologjik në shërbime që të mos i kthehet përgjigje njërit për dy ditë e tjetrit të tentohet t’i kalohet radha. Unë mund ta them me kenaqësi se jemi duke ndërtuar një agjenci të përqëndruar, ADISA që do të marrë në dorëzim sportelet e të gjitha institucioneve. Ne po përgatisim kështu sistemin online. Duke i marrë gjithë në një dorë, sportelet të cilat kanë vetëm detyrimin të të shërbejë, nuk kanë gjë në dorë për të miratuar apo refuzuar një kërkesë. Kjo krijon instrumentin e kontrollit ndaj këtyre shërbimeve. Ky është një ndër pesë prioritetet e qeverisë që unë e drejtoj me shumë pasion.
Ka ende vende pune bosh në Administratën Publike?
Në shërbimin civil këtë vit janë hapur 1000 vende të lira. Edhe nga vjet ngelen rreth 600 vende bosh. Kështu që vende ka, të interesuarit duhet t’i nënshtrohen procedurave të mirëpërcaktuara për të përfituar.
Sa është fatura financiare që shqiptarët paguajnë në vit për ish-administratën, të larguarit nga detyra?
Në një vlerësim të bërë vitin e kaluar ishte 20 milionë dollarë. Një faturë gjigande e trashëguar që prej 1999. Për këtë arsye reforma në Shërbimin Civil është një ndër prioritetet që BE e ka vlerësuar, sepse po krijon një mentalitet të ri. Në fillim pati reagime, por tashmë ajo duket efektive dhe e pranuar.
Si po ecën Google street view?
Ka nisur para disa javësh dhe do të bëhet fotografimi i qyteteve kryesore. Kjo pritet që t’i japë turizmit një hov cilësor. Shqipëria mbetet akoma misterioze dhe ky projekt pritet që të nxisë ardhjen e turistëve.
Ju, në jetëshkrimin tuaj thoni se e keni nisur punën në 1989 si bashkëpunëtore në Institutin e Informatikës. Duken dy gjëra që sot nuk qëndrojnë shumë mirë në Shqipërinë e vitit 1989, Shqipëria e vajgurit e tollonave dhe Instituti i Informatikes…
Po nuk ishte ashtu në fakt. Instituti i Informatikës u krijua, falë një njeriu të jashtëzakonshëm që quhet Kristian Bukuroshi, i cili kishte krijuar më parë Qendrën Llogaritëse. Ndonjëherë fati i vendeve më pak të zhvilluara është që kapin të renë e fundit. Të marr një shembull tjetër, kur unë kam ngulmuar shumë që ne të fusnim në program pajisjen e nxënësve me tableta si dhe rritjen e numrit të shërbimeve online, një pjesë e kolegëve qeshnin dhe me shikonin si “ufo” që kisha ardhur nga Franca dhe nuk njihja terrenin, kurse sot këto jo vetëm ekzistojnë, por ne po ecim me nxitim për të rikuperuar kohën e humbur në këtë fushë.