Rosonerëve u ka mjaftuar një 11-metërsh i kthyer në gol nga sulmuesi Mario Baloteli që të dalin fitues nga dueli i parë gjysmëfinal i Kupës së Italisë përballë modestëve të Alessandrias.
Skuadra milaneze gjendet në një pozitë jo të mirë në kampionat, por ngushëllimin e ka gjetur në aktivitetin e kupës, ku është ndihmuar dhe nga fati, duke u përballur me një skuadër të nivelit të ulët. Me disa ndryshime në formacionin kryesor, Milani e kërkoi golin përmes ish-sulmuesit të Liverpulit, që u tregua i saktë në momentin e duhur.
Miqtë nga Milanoja nuk u mjaftuan me kaq, por kërkuan dhe golin e dytë. Pavarësisht nga përpjekjet, rezultati përfundimtar u fiksua 0-1 për Milanin, që është kështu me një këmbë në finale.
Ndeshja e kthimit do të luhet më 1 mars në “San Siro”. Ndërkaq, me shumë interes pritet gjysmëfinalja tjetër, ajo mes Juventusit dhe Interit, që do të zhvillohet sonte, në orën 20:45. /tesheshi.com/