Frika e humbjes së privatësisë është gjithnjë më e pranishme në botën moderne, veçanërisht për shkak se me zhvillimin e teknologjisë kemi përherë e më pak intimitet, dhe mundësia që qeveria dhe punëdhënësit të përcjellin çdo lëvizje tonën është bërë një gjë aq e zakonshme, sa që as skeptikët më të mëdhenj nuk mund ta refuzojnë këtë fakt.
Lajmi se kompania amerikane 32M u bë kompania e parë në SHBA e cila u ka mundësuar të gjithë punonjësve të saj implantimin e mikroprocesorëve, të ngjashme me ato të përdorura më parë për kafshët, tërhoqi vëmendjen e publikut botëror’ sepse nga njëra anë jep një pasqyrë të shkurtër rreth asaj se çfarë mund ta presë një ditë secilin punëtor, ndërsa në anën tjetër ngre pyetjen nëse me të vërtetë kemi filluar të jetojmë në epokën e “Big Brother”-it, nga shikimi i të cilit është vështirë të fshihemi.
Gjithashtu, shtrohet pyetja se pse disa kompani dëshirojnë të implantojnë mikroprocesorët nën lëkurën e punëtorëve?
Redaktorja ekzekutive e portalit Netokracija, Mia Biberoviç, sqaron se kompanitë që kanë filluar apo po planifikojnë implantimin e “mikroprocesorëve”, janë duke përdorur disa pajisje (për shembull, kartat, telefonat celularë) që kryejnë të njëjtin funksion si mikroprocesori i implantuar nën lëkurë (gjatë hyrjes nëpër dyer, regjistrimit të hyrje-daljeve të punonjësve, duke mundësuar hyrjen apo ndalimin e qasjes për njerëz të caktuar nëpër pjesë të caktuara të kompanisë, madje edhe gjatë blerjes së ushqimit …), por çipi konsiderohet më i sigurt (për shembull, është shumë lehtë për t’ia vjedhur kartën e dikujt) dhe më i lehtë për t’u përdorur (nuk ka nevojë për të bartur kartën me ju për të kryer punët e përditshme).
Të metat e mikroprocesorëve
E metë e mikroprocesorit është pa dyshim polemika që nxit çdo implantim i pajisjes nën lëkurë, për këtë arsye është krejt normale që teknologjia, e tillë si ora dhe smartfoni të mbahet në trup e jo nën lëkurë, shton ajo.
Gjithashtu, ekziston frika për ndikimin në shëndetin e njerëzve që mbajnë mikroprocesorët, edhe pse Agjencia amerikane për Sigurinë e Ushqimit dhe Barërave FDA e ka aprovuar përdorimin e tyre. Punonjësve dhe gjithë të tjerëve që janë të kualifikuar në projekt, duhet t’u bëhet e qartë se për çfarë përdoret mikroprocesori, dhe se cilat të dhëna mblidhen përmes tyre dhe për çfarë qëllimi, thotë redaktorja e Netokracija-s.
Biberoviç shton se mikroprocesori është më vështirë të hiqet në momentin kur nuk është i nevojshëm më, si për shembull, kur e hudhim kartën e cila nuk na nevojitet më.
Ajo thotë se “implantimi i mikroprocesorit” në kompaninë 32M është ndoshta rasti i parë në Shtetet e Bashkuara, por jo edhe në Evropë, për shkak se kompania suedeze Epicenter e ka bërë tashmë një implantim të këtillë në fillim të këtij viti.
Kundërshtarët e implantimit të mikroprocesorëve nën lëkurë, mbrojnë pikëpamjet e tyre duke thënë se me këtë do të humbim plotësisht privatësinë, që do të thotë se do të jemi në mbikqyrjen e punëdhënësit, e në hapin e ardhshëm, edhe të autoriteteve, dhe se ata do të dijnë në çdo moment ku jemi dhe çfarë po bëjmë duke iu falenderuar pajisjes e cila vazhdimisht dërgon informacione në lidhje me ne.
Mikroprocesorët “pasiv”
James Wall, një studiues akademik në Trinity College në Dublin, shpjegon se bëhet fjalë për mikroprocesorët RFID pasiv që nuk furnizohen me energji elektrike, por që reagojnë në prani të lexuesit aktiv RFID. Mikroprocesorë të tilla ka në shumicën e kartave RFID që përdoren çdo ditë për pagesë ose hapje të dyerve.
“E fusni dorën në xhep, e afroni kartën afër lexuesit të kartës, kryeni identifikimin, e ktheni kartën në xhepin tuaj. Posa ta instaloni çipin në pëllëmbën e dorës suaj, ju mbetet vetëm t’ia afroni pëllëmbën e dorës lexuesit: do të kurseni disa sekonda të ritualit të vënies së duarve në xhepat tuaj dhe të shmangni mundësinë që të harroni kartën tuaj”, shpjegon Dr. Shiljak.
Pasi që mikroprocesorët përdorin teknologjinë RFID, mund të përdoren për qëllime të ndryshme përfshirë këtu edhe shkëmbimin e informacioneve, jo vetëm për nevojat e punës.
“Siç mund të bëjmë blerje duke përdorur kartat e kreditit ose debitit, njëjtë mund të veprojmë duke implantuar mikroprocesorët në disa pjesë të trupit tonë. Biletat, për shembull, në transportin publik, në koncerte, në teatro? Pse jo. RFID është përdorur tashmë me rastin e shërbimeve të shumëllojshme, por parimi është i njëjtë, vetëm në vend të kartave të specializuara, këtë funksion mund të kryejë mikroprocesori i cili është i vendosur nën lëkurë”, thotë Biberoviç.
Shiljak thotë se mikroprocesorët e implantuar nuk i japin punëdhënësve një pasqyrë të plotë se ku jeni dhe çfarë po bëni. Ai shpjegon se këto implante nuk fiken, pasi ata janë gjithësesi pasiv, dhe në këtë mënyrë ne nuk mund të vendosim se kur dhe si “të dërgojmë” të dhënat në lidhje me aktivitetet tona, por kjo varet mbi gjitha se në cilët lexues RFID do të mbështetni pëllëmbën e dorës suaj, kur dhe ku.
Çështja e kontrollit
“Çështja e kontrollit ndaj mikroprocesorit është shumë i rëndësishëm: secili prej nesh dëshiron që në të ardhmen të jetë zotëri i mikroprocesorit (trupit) të tij, kurse ajo çfarë po ndodhë me 32M nuk është fillimi më i mirë”, thotë studiuesi i kolegjit Trinity.
Qeveria tashmë po mbledh sasi të mëdha të të dhënave për qytetarët e tyre, gjë që ngre dilemën nëse e ardhmja me mikroprocesorët e implantuar do të sjellë deri te ajo që “Big Brother” të përcjellë çdo hap të secilit person në vend.
Ka dy mënyra ose situata në të cilat monitorimi i tillë do të ishte i mundur: implantimi i mikroprocesorëve aktiv me mundësinë e monitorimit përmes GPS ose mbështetjen e detyrueshme të duarve me mikroprocesorëve pasiv mbi një lexues në çdo 50 metra, në çdo portë, ose çdo shtyllë të ndriçimit publik, shpjegon Shiljak.
“Tingëllon si një legjitimim në çdo hap, diçka që është e zakonshme vetëm gjatë orës policore, apo jo? Si një radio amator, unë përdori me ëndje shërbime të tilla si kjo, përmes të cilave mund t’i tregoj gjithë botës vendndodhjen time (ndjekja APRS), por me shumë ëndje gjithashtu përdori mundësinë që ta shkyq pajisjen. Nuk guxojmë që të heqim dorë nga kjo e drejtë”, thotë ai.
“Implantimi i mikroprocesorëve” vë në pikëpyetje të drejtat e punëtorëve, respektivisht të çdo personi në tokë në të cilën kryhet ajo.
Disa mbrojtës të të drejtave të njeriut besojnë se përdorimi i këtyre mikroprocesorëve bëjnë shkeljen e këtyre të drejtave, sepse përdoruesit e tyre nuk kanë mundësi të dinë se për çfarë përdoren të dhënat që janë mbledhur nëpërmjet mikroprocesorit, thotë Biberoviç, por ajo e konsideron këtë qëndrim të gabuar.
Të dhënat e përdoruesit
“E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kartat dhe telefonat e mençur dhe një varietet të aplikimeve që janë në to, e të cilat mbledhin një shumëllojshmëri të të dhënave në baza ditore, dhe shumë përdorues nuk janë të vetëdijshëm për atë se çfarë të dhëna mbledhin ato dhe për çfarë qëllime. Para së gjithash, duhet punuar në ngritjen e vetëdijës rreth asaj se çfarë bën teknologjia dhe avansimi i saj për ne dhe kundër nesh, për të avokuar për përdorimin etik dhe transparent të të dhënave të mbledhura. Fakti që grumbullimi i të dhënave bëhet përmes mikroprocesorit ose nëpërmjet shprehisë tonë të surfimit nëpër telefonin celular ose përmes TV apo frigoriferëve të mençur, është më pak e rëndësishme”, thotë ai.
Në rastin e instalimit të mikroprocesorit nën lëkurën e punëtorit, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për kohën që të dhënat janë mbledhur, për çfarë qëllimi dhe me vetëdije të plotë të bien dakord për këtë – në të gjitha rastet e tjera, detyrimi në përdorimin e teknologjisë së tillë nuk është i justifikuar, përfundon redaktorja ekzekutive e Netokracija-s.
Ajo shton se përdorimi i mikroprocesorëve në kompaninë 32M është opcional, dhe disa prej punonjësve kanë vendosur tani për tani të mos instalojnë mikroprocesorë, për arsye të ndryshme, njëri prej tyre është mungesa e familjaritetit me atë se si mund të ndikojë implantimi i mikroprocesorëve në shëndetin e individit.
“Ky është padyshim një eksperiment që në masë të madhe do të vendosë se si do të vazhdojë të zbatohet teknologjia dhe a do mund të zbatohet fare”, thotë Biberoviç.
Marrë nga Al Jazeera, përgatiti Jeton Zenuni – /tesheshi.com/