Nga Bashkim Kastrati
Institucionet mikrofinanciare (IMF) që veprojnë në Kosovë kanë kamata shumë të larta. Ato japin kredi kryesisht të vogla dhe norma e interesit tek shumica e IMF-ve arrin mesatarisht mbi 23 për qind.
Këto IMF janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta, por me procedura më të thjeshta sesa bankat komerciale. Ndër vite është raportuar se procedurat më të thjeshtësuara dhe gjoja risku më i madh në kreditim ka ndikuar që këto IMF të kenë kamata aq të larta.
Institucionet mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë rregullohen, mbikëqyren dhe inspektohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ashtu sikurse bankat komerciale. Ato japin pothuajse të gjitha llojet e kredive, sikur bankat komerciale, duke filluar nga kreditë për familje, kredi bujqësore, kredi për biznes, për renovim etj.
Në ueb-faqen e BQK-së figurojnë 14 institucione mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë, ndërkaq shumica kanë pronarë të huaj. Këto IMF zakonisht japin një shumë të konsiderueshme të kredive. Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë viti 2016 vlera e kredive të lëshuara ka arritur mbi 106 milionë euro, nga kjo vlerë 71 milionë euro janë kredi familjare, kurse mbi 30 milionë euro kredi për ndërmarrje.
Këto miliona euro të dhëna në formë të kredive tregojnë se edhe fitimi i shumicës prej IMF-ve është i madh dhe se ka interesim të qytetarëve për të marrë kredi nga ato.
Një kredimarrës ka thënë në kushte anonimiteti për tesheshi.com se e ka marrë një kredi nga një institucion mikrofinanciar me normë të lartë të interesit, pasi që nuk kishte zgjidhje tjetër për t’i kryer disa obligime.
“Mu bllokuan punët dhe më duheshin 2500 euro sa më shpejt. Provova në bankë që t’i marr, por nuk mi dhanë për shkak se e kam një kredi tjetër dhe rroga nuk ma mbulonte edhe një kredi, përkundër që kisha peng (garancion) me vlerë të lartë. Kjo organizatë mikrofinanciare mi dha ato para me kohëzgjatje prej tri vitesh, por duhet që t’i kthej 3600 euro, pra 1100 euro më shumë, që po i bie goxha shumë kamatë, por nuk pata zgjidhje tjetër”, thotë ai.
IMF “Timi Invest” jep kredi pa kamatë
Edhe pse pjesa më e madhe e institucioneve mikrofinanciare (IMF) fitojnë shumë nga normat larta të interesit dhe kamatat, “Timi Invest” është një nga institucionet mikrofinanciare që jep kredi pa kamata dhe kredimarrësit nuk kthejnë shuma të mëdha të parave, siç ndodh tek IMF-të tjera. Ky lloj i kredisë në popullatë njihet edhe si kredi hallall e bazuar mbi parime të fesë islame. Një pjesë e klientëve që nuk marrin kredi në banka, drejtohen tek “Timi Invest”, e cila ka filluar të funksionojë në vitin 2011.
Vedat Salihu, drejtor i “Timi Invest” thotë se institucioni mikrofinanciar që ai e udhëheq është i licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës për dhënien e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe për ekonomitë familjare. Ai thotë se kreditimin e bëjnë për të gjitha veprimtaritë e biznesit, duke përjashtuar financimin e atyre veprimtarive që ndalohen me ligj, ndërsa na shpjegon edhe mënyrën se si arrijnë që të japin kredi pa kamata.
Çështjen e kreditimit pa kamatë ai na e shpjegon më tutje, pasi që njerëzit në Kosovë ende e keqkuptojnë.
“Ne bëjmë kreditim pa kamata, por jo edhe pa fitim. Tek ne shpesh i ngatërrojmë termet e kamatës me fitimin. Këtë duam ta sqarojmë, pasi fitimi është blerja e një malli me një çmim më të ulet dhe shitja me një fitim transaksional. Ndërsa kamata nënkupton t’i japësh dikujt të holla në shfrytëzim për një kohë të caktuar me kusht që me vonë t’i kthejë ato me një përfitim të caktuar të shprehur në përqindje nominale vjetore, duke garantuar kapitalin/kryegjënë, punoi apo nuk punoi klienti me to, fitoi apo humbi pak ose shumë. Përveç kamatës së rregullt nominale bankat konvencionale aplikojnë edhe kamata ndëshkuese në rastet kur klienti nuk paguan këstet sipas planit të kthimit të kredisë, e cila në përqindje është shumë më e lartë sesa ajo nominale, sqaron Salihu.
Ai thotë se zakonisht kreditë janë me karakter konsumues për ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla e të mesme dhe se zakonisht klienti që planifikon të blejë, pasi ta identifikojë produktin – mallin që planifikon ta blejë, merr një profaturë nga shitësi dhe drejtohet tek “Timi Invest” për t’ia financuar atë blerje, ndërsa zyrtaret kreditor te “Timi Invest” pastaj bëjnë kontakte me shitësin dhe zakonisht tentojnë që fitimin për institucionin ta realizojnë nga rabati apo ulja e çmimit blerës në mënyrë që te mos ngarkohet klienti me borxh që dallon shumë nga çmimi blerës fillestar i atij produkti.
“Në këtë mënyrë, një klient në “Timi Invest” mund të financojë nevojat e tij me kosto që mund të jetë e njëjtë sikur çmimi real në treg, me një çmim më të lartë apo edhe më të ulët, krejt kjo në varësi të rabatit-zbritjes që na bëjnë partnerët – shitësit e atyre produkteve që ne i financojmë”, shtoi Salihu.
“Një gjë duhet ta kuptojnë lexuesit se ne zakonisht nuk japim para hua, përveç ndonjëherë ka raste kur për shkak të sëmundjeve ose nevojave shumë urgjente ju ndihmojmë njerëzve me shuma të vogla parash pa ndonjë fitim. P.sh. klienti merr 100 euro dhe i kthen të njëjtën shumë 100 euro dhe asgjë më shumë”, theksoi Salihu.
Qytetarët duhet ta vlerësojnë leverdinë ekonomike të tyre
Drejtori i “Timi Invest”, Vedat Salihu thotë se duke marrë parasysh kushtet socio-ekonomike në Kosovë, që nga themelimi kanë pasur për qëllim që fitimet t’i kenë sa më të vogla në mënyrë që klientët të mos ngarkohen shumë në kthimin e borxhit.
“Duhet cekur se fitimet tona në fillim kanë qenë më të ulëtat se çdo institucion tjetër në Kosovë dhe tani jemi gati të barabartë, pasi që në disa banka kanë rënë kamatat në tregun e Kosovës për produkte të caktuara dhe për ne është me rëndësi mënyra se si e realizojmë fitimin dhe jo aspekti kuantitativ i tij”, thotë Vedat Salihu.
Kredi tek “Timi Invest” mund të marrin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh se kush janë, por që kanë dëshirë që të kenë kreditime alternative. Salihu thotë se çdo shtet ka tendenca që banorët e tij të kenë kreditime alternative ose me minimumin e tyre. Ai thotë se nga kjo nënkuptohet se ka klientë nga e gjithë Kosova, por ka kërkesa edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.
“Sfidat e këtij lloj kreditimi janë në mungesën e kapitalit, i cili na kufizon për shumat e financimit, pasi ne si institucion jemi 100% institucion financiar kosovar, d.m.th kapitali jonë është tërësisht vendor. Normalisht, si çdo institucion tjetër duhet të kemi kujdes edhe në vonesat e klientëve edhe pse tek ne në vitin 2016 vonesat e kredive joperformuese kemi pasur diku 0.32% nga shuma e portfolios aktive kreditore”, u shpreh Salihu.
Ai tutje thotë se institucioni mikrofinanciar “Timi Invest” në krahasim me institucionet tjera mikrofinanciare, që nga fillimi i punës ka pasur fitime njëshifrore.
“Sipas raporteve të BQK-së, normat e kamatave nga IMF-të janë mbi 20% në vit, por kjo mbetët nga lexuesit, përkatësisht qytetarët ta vlerësojnë leverdinë ekonomike të tyre”, u shpreh Salihu. /tesheshi.com/