Analisti Fatos Lubonja është rishfaqur në sheshet e protestës, 21 vjet pasi protestonte në emër të Forumit për Demokraci kundër pushtetit të Berishës, me në krah Petrit Kalakulën dhe Daut Gumenin. Tashmë, si kundërshtar i flaktë i ish-vëllait të tij të idealeve Edi Rama, ka dalë të protestojë me banorët e “Astirit”.
Ndaj, Lubonja u shfaq me në krah Klevis Balliun, djalin e njeriut që vite më parë e denonconte për amoralitetin e tij politik, Fahri Balliu.
“Këtu duhet të jemi të gjithë për këtë. Unë kam ardhur si qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve në Tiranë e kudo në Shqipëri, se kjo është një çështje e rëndësishme. Kurajoja e protestuesve është nxitje për rezistencë edhe nga e keqja që e ka kapur vendin”, tha Lubonja.
Dalja në shesh e Lubonjës ndodh ndërsa një pjesë e banorëve të “Astirit” kanë vendosur t’i binden verdiktit dhe ofertës shtetërore, për të lënë banesat e hapur rrugë projektit të Unazës së Re. /tesheshi.com/