Presidenti Meta ka bërë aktin e radhës të një opozite ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ofron oborrin e Presidencës për një protestë të pjesëtarëve të diasporës, leja për të cilën është refuzuar nga policia.
“Shqiptarët kanë protestuar edhe në diktaturë, pavarësisht nga kostot e tmerrshme që kanë paguar. Nuk besoj që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Sa e zëmë se ka ndodhur…Janë të ftuar të gjithë emigrantët që të protestojnë në oborrin brenda Presidencës”, Meta.
Protesta ishte planfikuar për më datë 28 dhjetor para Kryeminstrisë, por policia nuk ka dhënë leje më arsyetimin e bllokimit të qarkullimit në kohën e një lëvizjeje të shtuar të mjeteve dhe njerëzve, për shkak të festave të fundvitit.
Gjithashtu, kreu i shtetit komentoi dhe vendimet me të fundit të qeverisë për 8 kërkesat e studentëve, ku dhe aty, mes rreshtave, u dallua një pozicionim fshikullues ndaj të parit të qëeverisë.
“Besoj se është shpërdoruar mjaft kohë dhe energji tepër e dobishme për t’i dhënë një zgjidhje të besueshme dhe afatgjatë problemeve të arsimit të lartë dhe studentëve në mënyrë të veçantë dhe do të mbështesja çdo reflektim të sinqertë, të thelluar dhe të qëndrueshëm dhe konstruktiv në këtë drejtim. Problemi zgjidhet vetëm në këtë mënyrë, përmes një dialogu të sinqertë, jo provokues, jo ndarës, jo intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv”, deklaroi Meta.
Kohët e fundit, kreu i shtetit është shfaqur si opozitar karshi kryeministrit, duke i kthyer shumë dekrete e mbajtur qëndrimet me kritikë të hapur apo kamufluar për aktet e Ramës. Dhe e gjitha kjo ka qenë në përpjestim të drejtë me nervin e ashpërsuar opozitar të LSI-së. /tesheshi.com/