Në një dalje te radhës para medias, presidenti Meta ofroi një tjetër shfaqje “me pikëpyetje” sa i përket etikës zyrtare, pasi i kërkoi këshilltarit të tij juridik Bledar Dervishi që të betohej se po thoshte të vërtetën.
Ky i fundit ishte ngarkuar nga Meta që të zbërthente ato që i quante shkelje të mazhorancës në emërimet për Gjykatën Kushtetuese.
“Si president po bëhem hetues vullnetar i SPAK-ut pa pagesë. Dervishi ka qenë në çdo mbledhje te KED nga e para tek e fundit. Betohu para popullit shqiptar se po thua të vërtetën”, iu drejtua Meta dhe pasi mori premtimin e tij, e përqafoi duke i thënë “Je tamam nga Vlora!”
Dervishaj, i cili nuk ka ndonjë emër në drejtësi, veç të diplomuarit në këtë lëmë, ofroi argumentat e tij të natyrës juridike e konstitucionale, për të përligjur atë që eprori i tij, Presidenti Meta, thotë se është “grusht shteti” ndaj Kushtetutës. /tesheshi.com/