Në urimin e tij për Kurban Bajram, presidenti Meta është shfaqur tejet serioz në pamjen e ofruar, të vetes së tij, e ku mes rreshtash, ka ndërfutur dhe pak politikë dite.
“Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!
Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.
Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!”, shkruan Meta në urimin e tij. /tesheshi.com/