Në një intervistë për Ilva Taren në Euronews Albania, Presidenti Meta i është kthyer sërish sulmit ndaj Reformës në Drejtësi, duke pretenduar se ajo është në shkelje të Kushtetutës.
Referuar faktit të një ligji të sapomiratuar në Parlament nga mazhoranca për mënyrën e kryerjes së betimit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Meta tha për mazhorancën se “shkelja e Kushtetutës është kthyer në një sport të preferuar të mazhorancës”.
Por më tepër se kaq, kreu i shtetit nuk mundi të mos sulmonte dhe ndërkombëtarët në Tiranë.
“Ata kanë humbur mundësitë për të luajtur rolin e tyre që reforma të bëhej siç është në Kushtetutë. Përgjegjësia e tyre është shumë e madhe”, tha Meta.
Sa i përket shkarkimit të pritshëm të tij nga parlamenti, ai u përbetua se kjo nuk do ndodhë.
“Jo në Venecia, por në NATO lë të kërkojnë interpretim dhe opinion. Kjo punë ka marrë fund; unë do jem në detyrë deri në 24 korrik 2022”, tha Meta.
E në këtë pikë, ai nuk ka pranuar të konsiderohet ilegjitim si president, gjersa mazhoranca që e ka votuar, e që është në konflikt me të, kërkon ta shkarkojë.
Arsyetimi i Metës ka qenë se ai është votuar nga një tjetër parlament, e se për të kanë votuar Dokle e Dade, të cilët nuk janë më aty. /tesheshi.com/