Përvijohet një përplasje e madhe mes Presidencës dhe qeverisë për Paktin e Ujrave me Greqinë.
Pas lajmeve që vijnë nga Athina për një dakordësi mes palëve, nga Presidenca bëhet e ditur se qeveria nuk ka kërkuar plotfuqishmëri te kreu i shtetit.
Gjithashtu, edhe ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi se në Presidencë nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga Ministria e Jashtme për të kërkuar të drejtën për negocim.
Nishani ka shkuar më tej duke kërkuar hetime nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Kërkoj publikisht si ish-President i Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës që të nis verifikimin ligjor kur kanë nisur negociatat dhe bisedimet, theksoj, ‘negociatat dhe bisedimet’ për Marrveshjen e Detit dhe nëse gjatë këtyre bisedimeve është marrë ’Plotfuqishmëria’ sipas detyrimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe prokuroria shqiptare janë përpara një përgjegjësie të madhe ligjore kushtetuese mbi Sovranitetin e Shtetit”, theksoi Nishani.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Detit që u firmos nga qeveria “Berisha” në Tiranë dhe Karamanlis në Athinë, deklaroi se plotfuqishmëria nga Presidenti i Republikës është e domosdoshme. /tesheshi.com/