Çdo gjë që kalon në duart e politikës bëhet pis. Edhe lista e shumëpritur e emrave që do të përbëjnë institucionet e Vettingut për pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit, ka probleme në përbërje.
Lista me 27 emra u përzgjodh nga politikanët, deputetët e PS-së, PD-së, LSI-së dhe PDIU-së, që ishin pjesë e komisioneve Ad-Hoc në Kuvend.
Ata zgjodhën të preferuarit e tyre nga një listë më e gjatë që kaloi më parë në filtrin e Avokatit të Popullit dhe OMN-së, organizëm me ekspertë ndërkombëtarë që monitoron procesin.
Por dy ditë pasi u miratua në Kuvend kanë ardhur kontestimet e para për këtë listë.
Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, thotë se në listën e miratuar ka emra me probleme që nuk duhet të ishin aty.
“Nuk e kuptoj se si kanë hyrë disa emra aty, janë kryetar partish, apo njerëz që kanë pasur probleme me drejtësinë. Shpresoj që të korigjohet ky gabim. Nuk e di nëse ka pasur falsifikime dosjesh nga ana e tyre, që kanë mundur t’i kalojnë filtrimit paraprak, por është e patolerueshme kjo”- tha Doda në TVSH të henën në darkë.
Doda nuk përmendi emrat për të cilët kishte rezerva, por ajo tha se fatmirësisht gjenden në listën e emrave zëvendësues dhe jo në listën e parë të përbërjes së institucioneve të Vettingut.
Doda, e cila është anëtare e komisionit parlamentar Ad-Hoc, i cili u mor me përzgjedhjen e emrave, theksoi se duhet të verifikohen këto informacione dhe të bëhen ndryshimet përkatëse.
Po kush janë emrat në listës zëvendësuese për të cilët flet Doda dhe ku qëndron problemi me Cv-në e tyre?
Një prej tyre është Pal Shkëmbi, me profesion avokat por që çuditërish ushtron dhe detyra politike, pasi është kryetar i Partisë Popullore Kristian Demokrate.
Edhe deputetja Doda iu referuar pikërisht këtij rasti në denoncimin e saj.
Por një tjetër anëtar i insitucioneve të Vettingut ka pasur përballje me drejtësinë. Bëhet fjalë për Olsi Komici, ish-punonjës në disa institucione i cili është hetuar dhe shpallur i pafajshëm për shpërdorim detyre.
Në listë është dhe emri i juristes Aldona Sylaj, e cila është kontestuar që më herët gjatë debateve në komisionin e ligjeve për shkak të konfliktit të interesit që ka me sistemin, pasi bashkëshorti i saj është kryetar gjykate në Vlorë
Pastrimi i Drejtësisë do të nisë nga kupola
Zhurma që bëhet për këto 27 emra është krejtësisht e justifikuar pasi prej këtyre emrave pritet shumë. Reforma në sistemin e drejtësisë është pikërisht në dorën e tyre.
Puna e komisioneve të Vettingut do të nisë menjëherë dhe në funksion të tyre do të jenë dhe institucione të tjera ndihmëse si Inspektoriati i kontrollit të pasurive, drejtoria e sigurimit të informacionit të kualifikuar, etj.
Në sitë do të kalojnë fillimisht krerët e institucioneve kryesore si; kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, ai i Gjykatës së Lartë, Zhezair Zaganjori, etj.
Të gjithëve do t’u hetohet pasuria që kanë deklaruar dhe jo vetëm, por do të hetohen për fshehje të pasurisë apo burime të paligjshme pasurie. /tesheshi.com/