Jose Mujica, ish-presidenti i Uruguait dhe një nga figurat më të rëndësishme të së majtës në Amerikën Latine, ka bërë të ditur sot se është diagnostikuar me kancer në ezofag, trajtimi i të cilit është i “komplikuar” siç tha ai.
Ish-kreu i shtetit (2010-2015) – i njohur për thjeshtësinë dhe ndershmërinë e tij si “presidenti më i varfër në botë” – mësoi për tumorin të premten, vetëm disa javë para ditëlindjes së tij të 89-të.
“Është padyshim diçka shumë e rrezikshme” dhe “dyfish e komplikuar në rastin tim”, tha ai në një konferencë për shtyp, duke shpjeguar se ai vuan prej dy dekadash nga një sëmundje autoimune që ka prekur ndër të tjera funksionin e veshkave dhe e ka bërë të vështirë për ta trajtuar me kimioterapi, terapi rrezatimi ose kirurgji.
Sëmundja autoimune e detyroi atë të jepte dorëheqjen si senator në tetor 2020 për shkak të rreziqeve që lidhen me pandeminë e koronavirusit.
“Jeta është e bukur, por të lodh”, tha Mujica në një konferencë për shtyp, duke u kujdesur që të dërgojë një mesazh social për të rinjtë. “E rëndësishme është të ngrihesh sa herë të biesh” dhe “kur ndihesh i trishtuar, ktheje në shpresë”, theksoi ai. /tesheshi.com/