Dielli i pasdites derdhet përmes dritareve të gjata me njolla në Sinagogën Maghen David në qytetin e Kalkuta, kryeqyteti i Bengalit Perëndimor, një shtet federal në Indinë lindore, i njohur për rolin e atyshëm human në nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhi, ose ndryshe Nënë Tereza.
Anwar Khan, me një uniformë të bardhë me emrin e sinagogës të qëndisur në xhepin e gjoksit, punon. Ai rregullon karrige luksoze prej druri me ndenjëse të ruajtura prej palme kacavjerrëse në vija simetrike. Vizitorët janë të rrallë në këtë sinagogë këto ditë, sepse kanë mbetur pak hebrenj në këtë qytet të madh.
Megjithatë, kjo nuk e pakëson zellin apo krenarinë e Khan për punën që bën. 44-vjeçari është kryekujdestar i sinagogës. Ai fshin pluhurin për ta mbajtur tempullin të pastër.
Ka një luftë në Gaza, 4000 kilometra larg. Izraeli ka një muaj që bombardon pa mëshirë Gazën, duke vrarë më shumë se 10,000 palestinezë. Sulmi filloi më 7 tetor, pasi luftëtarët e Hamasit hynë në territorin izraelit.
Por në sallat paqësore të sinagogës Maghen David, konflikti palestinezo-izraelit nuk gjen jehonë.
“Ata qëndrojnë në këmbë dhe kryejnë faljen e tyre. Ne ulemi dhe e falim namazin. Ky është i vetmi ndryshim mes nesh”, thotë Khan, i cili kujdeset për sinagogën 140-vjeçare të stilit të Rilindjes në zonën më të ngarkuar të biznesit dhe shitjes me shumicë të qytetit që kur ishte 20 vjeç.
Deri rreth 75 vjet më parë, sinagogat e Kalkutës ishin plot jetë. Hebrenjtë e parë erdhën në këtë qytet në fund të shekullit të 18-të. Sot, numri i sinagogave në këtë qytet plot zhurmë, dikur kryeqyteti i Perandorisë Britanike në nënkontinentin Indian, ka rënë nga pesë në tre, ndërsa komuniteti hebre, i cili numëronte rreth 5000 në kulmin e tij, tani ka rënë në vetëm 20.
Megjithatë, një konstante ka qenë e pranishme për më shumë se dy shekuj: kujdestarët e sinagogave. Për breza, ata kanë ardhur nga fshati Kakatpur, në rrethin Puri, 500 kilometra në jug të Kalkutës, në shtetin fqinj të Odishas.
Dhe ata janë të gjithë muslimanë.
Tre sinagoga në qytet kujdesen nga gjashtë kujdestarë muslimanë. Të gjithë ata jetojnë në dhoma të përgatitura posaçërisht për ta brenda sinagogës dhe herë pas here vizitojnë familjet e tyre. Ata fillojnë punën shumë herët, duke pastruar dhe duke u siguruar që dritat dhe pajisjet e tjera elektrike të funksionojnë. Përveç kësaj, ata presin vizitorë, gjë që ndodh rrallë këto ditë.
Nuk është e vërtetë që hebrenjtë në Kalkuta apo muslimanët që ruajnë sinagogat nuk janë në dijeni të tmerreve të luftës midis Izraelit dhe Hamasit apo faktit që Izraeli po bombardon Gaza-n.
“Kjo sinagogë është shtëpia e Zotit, ashtu si xhamia jonë”
Ashtu si në shumë qytete anembanë botës, aktivistët e majtë dhe disa grupe muslimane mbajtën protesta pro-palestineze në Kalkuta. Muslimanët përbëjnë gati 27 për qind të popullsisë së Bengalit Perëndimor, ku në pushtet është një parti politike që kundërshton Partinë nacionaliste hindu Bharatiya Janata (BJP).
Por kujdestarët muslimanë thonë se nuk janë nën presionin e familjeve apo komunitetit pse punojnë në sinagoga.
“Për mua, kjo sinagogë është shtëpia e Zotit, ashtu si xhamia jonë”, thotë Khan. “Është shumë e trishtueshme që muslimanët dhe hebrenjtë janë në luftë sot në Gaza dhe Izrael. Por shtëpia e tyre e Perëndisë është edhe shtëpia jonë e Perëndisë. Ne do të kujdesemi për të sa të jemi gjallë”.
Dyzet e tre vjeçari Masood Hussain është kujdestari i vetëm i sinagogës më të vjetër të Kalkutës – Neveh Shalom, që ndodhet pranë sinagogës Maghen David. Ai thotë se shkon rregullisht në xhaminë lokale për namaz, por askush nuk e pyet për marrëdhëniet e tij me hebrenjtë.
“Ne shkojmë në xhaminë tonë për lutje, por askush nuk na thotë asgjë, as njerëzit e thjeshtë, as udhëheqësit fetarë”, thotë ai.
Hussain, i cili e la kolegjin, erdhi në Kalkutë nga Odisha 10 vjet më parë, duke vazhduar traditën e babait dhe xhaxhait të tij, të cilët kujdeseshin gjithashtu për sinagogën. Ky burrë i gjatë, i dobët, i cili ka dy vajza të moshës kolegjiale, bën me gjeste drejt një ekspozite të vogël fotografish të hebrenjve të parë të Kalkutës. Ai i di përmendësh emrat dhe historitë e tyre.
“Nuk ka sulme në sinagoga dhe nuk do të ketë asnjë në Kalkutë”
“Askush nuk pyeti, ‘Pse po punoni për hebrenjtë?’ Askush në familjen apo komunitetin tim nuk më tha, ‘Lëre punën tënde’,” tha Hussain.
“Ne falemi në xhaminë tonë. As aty nuk komenton askush. Imami është miqësor. Ne pimë çaj së bashku. Ai kurrë nuk thotë: ‘Masood, pse po e bën këtë?’”.
Kur u pyet për protestat anti-izraelite në qytet, Hussain thotë se nuk ka pasur kurrë sulme në sinagoga.
“Dhe nuk do të ketë kurrë, as në Kalkutë. Njerëzit e Kalkutës janë shumë të mirë. Cila është më e keqja që mund të ndodhë? Të na vrasin. Kjo është shtëpia e Zotit. Për këtë shtëpi të Zotit, ne jemi gati të përballemi me gjithçka që duhet. Përderisa ne, muslimanët, jemi këtu, ne do të jemi të parët që do të kundërshtojmë cilindo nga komuniteti ynë që vjen këtu për të shkaktuar telashe. Asgjë nuk do t’u ndodhë sinagogave sa jemi gjallë”.
Lidhja ndërfetare e dukshme në sinagoga shkon prapa në fillim të viteve 1800, kur u ndërtua Sinagoga Neveh Shalom. Në atë kohë, komuniteti hebre numëronte pothuajse 300 njerëz, të cilët vinin kryesisht nga Iraku dhe Irani. Ata ishin hebrenj Bagdadi, të cilët ndoqën shembullin e biznesmenit të pasur Shalom Obadiah Cohen, i lindur në Aleppo, i cili besohet të jetë hebreu i parë që erdhi në Kalkuta në 1798.
Sot në Indi jetojnë rreth 5000 hebrenj
Kalkuta ishte atëherë një destinacion i dëshirueshëm nga tregtarët e gurëve të çmuar dhe tekstileve. Komuniteti hebre lulëzoi, së bashku me barsët, armenët dhe kinezë që erdhën në këtë qytet.
Kur Izraeli u krijua në 1948, një numër i madh hebrenjsh në Kalkuta u larguan. Familjet u shpërngulën në Izrael, si dhe në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Kanada, kjo pasi India e sapopavarësuar po kalonte një periudhë të vështirë pas një ndarje të përgjakshme dhe trazira sociale.
Sot, nga 20 hebrenjtë e mbetur në qytet, shumica janë mbi 70 vjeç. Sot në Indi jetojnë rreth 5000 hebrenj dhe dikur ishin 30000 prej tyre.
David Ashkenazy, kryetar i bordit që drejton Beth El Sinagogue, sekretar nderi i Sinagogës Maghen David dhe anëtar i bordit në Sinagogën Neveh Shalome, nuk është i sigurt se si muslimanët nga një fshat i largët u bënë kujdestarë të sinagogës, por konfirmoi se kjo punë e tyre u transmetua nga brezi në brez.
Khan, një kujdestar i Sinagogës Maghen David, e mori punën sepse babai i tij Khalil Khan dhe gjyshi Ajju Khan ishin kujdestarë të sinagogës Beth El dhe ai iu referua kësaj kur aplikoi për një punë.
Nuk është për t’u habitur që kujdestarët muslimanë nga një vend tjetër u lidhën me hebrenjtë, thotë Ashkenazy.
“Ne dhe ata ishim të huaj në një vend të ri – hebrenj nga Bagdadi dhe muslimanë nga një fshat 500 kilometra në jug,” thotë ai. “Disa nga rregullat tona dietike janë gjithashtu të ngjashme.”
“Muslimanët, një zgjedhje e natyrshme për kujdestarët e sinagogave”
“As nuk e mendoj. Është normale dhe e natyrshme”, thotë Yael Silliman, një shkrimtare, piktore dhe aktiviste e njohur hebreje nga Kalkuta, për miqësinë mes muslimanëve dhe hebrenjve në atë qytet. “Ne, hebrenjtë e Bagdadit bashkëjetuam me muslimanët në Perandorinë Osmane dhe në mbarë Lindjen e Mesme për shekuj me radhë. Ne jemi hebrenj arabë”.
Silliman citon një shembull tjetër të kësaj lidhjeje në Kalkuta: Shkollën Hebraike të qytetit, e themeluar në 1881, ku 90 për qind e studentëve janë muslimanë.
“Dhe kjo është një fije shprese, siç janë kujdestarët muslimanë të sinagogave tona,” thotë ajo.
Fillimisht në Kalkutë, hebrenjtë e pasur nga Bagdadi punësuan muslimanë si kuzhinierë në shtëpitë e tyre, thotë Navras Jaat Aafreedi, një asistent profesor i historisë në Universitetin e Kalkutës, ku ai jep mësim historinë globale hebraike.
“Faktorët kryesorë pas miqësisë mes muslimanëve dhe hebrenjve ishin mosadhurimi i idhujve dhe kufizimet e ngjashme dietike”, thotë ai. “Për shkak të zakoneve të tyre të ngjashme të të ngrënit, ata punësuan muslimanët si kuzhinierë”.
“Kur u shfaqën sinagogat, muslimanët ishin një zgjedhje e natyrshme për kujdestart,” shton ai. “Në Indi, konflikti arabo-izraelit nuk e ka dëmtuar përzemërsinë historike midis hebrenjve dhe muslimanëve.”
“Shpresoj që vuajtjet e tyre të marrin fund së shpejti”
Megjithatë, kujdestarët muslimanë po mendojnë për luftën e vazhdueshme në Gaza.
“Besimi ynë nuk na mëson të urrejmë,” thotë Sheikh Gufran, më i vjetri nga tre kujdestarët e Sinagogës Maghen David, ndërsa pastron me kujdes stolat e sinagogës.
“Sa herë që lutem, lutem për njerëzit e të gjitha besimeve që po vuajnë në luftën (në Gaza dhe Izrael). Muslimanët po vuajnë atje. Edhe hebrenjtë vuajnë. Shpresoj që vuajtjet e tyre të marrin fund së shpejti”, thotë 48-vjeçari.
Ashkenazy i dorëzoi Gufranit disa libra fetarë dhe i kërkoi t’i fshinte me kujdes. Librat janë të vjetër dhe të çmuar dhe duhen trajtuar me kujdes.
Është koha për lutjen e Gufranit. Ai largohet nga sinagoga, kthehet në perëndim dhe fillon të lutet në oborr. /tesheshi.com/