Braziliani Neymar ishte heroi i katalanasve në fitoren e ngushtë, 0-1, ndaj Real Sociedadit në transfertë. Fitorja në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Mbretit në Spanjë kishte më shumë vlera në një tjetër aspekt, sepse u dha fund dhjetë viteve pa fitore të Barcelonës në stadiumin “Anoeta”.
Barcelona nuk bëri një ndeshje të nivelit mjaft të lartë, por qe tepër e sigurt në mbrojtje, duke mos u dhënë mundësi vendasve të shfaqnin rrezikshmërinë e zakonshme ndaj tyre. Goli i Neymar-it erdhi nga pika e bardhë e 11-metërshit, një penallti që ai e fitoi po vetë.
Ndërsa i është dhënë fund një serie të gjatë pa fitore në fushën e Sociedadit, që nga maji i 2007-s, trajneri Luis Enrique e ka quajtur tanimë një anektodë “mallkimin e Anoetës”.
“Si lojtar, kisha fituar këtu, por si trajner, jo. Tani kjo është jo më shumë se një anektodë,” deklaroi ai pas fitores.
Barcelona e pret Real Sociedadin të enjten e ardhshme në “Camp Nou”, në takimin e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Mbretit. Katalanasit janë shumë më pranë gjysmëfinaleve me fitoren e një nate më parë. /tesheshi.com/