Kancelarja Merkel i është përgjigjur me një letër kreut të LDK-së Isa Mustafa, pas po ashtu një letre të këtij të fundit në adresë së gruas së fuqishme të Europës, për të ndikuar në liberalizimin e vizave me Kosovën.
Merkel i është përgjigjur me një gjuhë të drunjtë diplomatike, duke e shmangur veten nga roli personal në këtë proces.
“Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”, ka qenë fraza baza e përgjigjes së Merkelit.
Ndërkohë, zëra qeveritare në Prishtinë, nga ata më optimistët, shprehen se vizat mund të liberalizohen para fundit të vitit. Të gjithë prisnin që kjo të ndodhte pas demarkacionit me Malin e Zi, por asgjë edhe pas realizimit të këtij kushti. /tesheshi.com/