Ish-deputeti i PDK-së, Shukri Buja, që nga sot është pjesë e partisë NISMA për Kosovën.
Ai, në një konferencë për media ka deklaruar se në partinë e drejtuar nga Fatmir Limaj ka gjetur bashkëluftëtarët e tij, andaj dhe kjo, sipas tij është arsyeja se përse e zgjodhi këtë subjekt.
Ndërkaq, fare pak foli për ish-partinë e tij, PDK-në ku e ndërtoi karrierën prej politikani. Tha se në PDK, i janë mbyllur të gjitha shtigjet, e për këtë arsye vendosi të gjejë një shteg të ri.
“Pas një periudhe bukur të gjatë sot jo lehtë e pa vështirësi, pas mbylljes së të gjitha shtigjeve, gjeta një shteg te bashkëluftëtarët e mi, dhe po eci bashkë me ta në drejtim të realizimit të synimeve të qytetarëve. Iu bashkova Nismës sepse këtu gjeta bashkëveprimtarët e mi që i njoh prej kohësh. Tash e tutje do të ecim bashkë”, tha Buja.
I pyetur si e komenton koalicionin që NISMA ka me PDK-në, Buja është shprehur se do t’i qëndrojë pas vendimeve që merr partia e tij e re.
“Këtu jemi parti të ndryshme, pavarësisht koalicionit. E kam parasysh që NISMA ka një program social demokrat perëndimor. Unë i nënshtrohem vendimeve të NISMA-s”, ka thënë ai, ndërsa nuk ka preferuar të flasë për raportet me ish-kryetarin Kadri Veseli.
Kujtojmë se Shukri Buja ka dhënë dorëheqje kohë më parë nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, si dhe nga kryesia e PDK-së, rrjedhimit duke hequr dorë edhe nga kandidatura e tij për kryetar të Komunës së Lipjanit për PDK-në.
Arsyet e dorëheqjes së tij, ish-kryetari i Lipjanit i kishte bërë të ditura në një letër pesë faqe që ia ka dërguar kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe kryesisë së partisë. /tesheshi.com/