Fati i gazetarit është i ndarë mes rrugës drejt dhe asaj gjarpëruese, varësisht nga principet morale që zgjedh dhe dashuria për profesionin. Muhamed Zeqiri, gazetar i njohur në Maqedoni, është ndodhur dhe ai në këtë pozitë së fundi, me një lëvizje të kushtëzuar nga politika e ditës, për të cilën beson se ka bërë më të duhurën gjë, duke vijuar “Rrugën e re” të “Rrugës së drejtë”….
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Kishe një pozitë kryeredaktori në Alsat-m, dhe përnjëherë shashtisët opinionin me lajmin e publikuar në rrjetin social facebook se po jep dorëheqje nga kjo pozitë, e më pas për t’u larguar tërësisht nga ky program televiziv pa shpjeguar arsyet që në fillim?
Arsyet për largimin tim i shpjegova në intervistën që kisha për javoren Fokus, vetëm disa ditë pas largimit nga Alsat M. Poshtë lartë janë të njohura tani më për opinionin e gjerë. Thjesht nuk doja t’i shërbej të keqes BDI-VMRO DPMNE dhe t’ia lejoj vetes të punoj mbi diktatin e dikujt tjetër. Në gazetari jam pothuajse 20 vite, prej të cilëve 10 në ALSAT M, ku nuk kam lejuar dhe nuk do të lejoj asnjëherë që të shkel mbi parimet e profesionalizmit dhe asaj që është njerëzore.
Për nga mënyra se si udhëhiqnit me programin televiziv, e aq më shumë me drejtimin e emisionit “Rruga Drejt”, ju arritët të shndërroheni në figurën e gazetarit më të dashur për opinionin dhe më të hidhur për mysafirët (politikanët që nuk ju shkoje përshtati) në emision. A vlerëson se kjo dorëheqje ka qenë vendim jetësor për ju?
Jo, aspak nuk mund ta them se është vendim jetësor. Jeta është e gjatë dhe kushedi me çfarë sfida mund të ballafaqohemi në të ardhmen. Gjithsesi nuk ka qenë vendim i lehtë, por oferta që erdhi nga drejtuesit e TV Shenja dhe sfida për të qenë pjesë e një medie të re elektronike dhe për të kontribuar në ngritjen e cilësisë në përgjithësi në këtë fushë ma lehtësuan vendimin.
Eterit të programeve në gjuhën shqipe i është shtuar edhe TV Shenja, ku edhe ju ndodheni për momentin. Cili është roli juaj në këtë televizion?
Po siç keni pasur mundësi ta shihni, unë jam drejtues i emisionit debativ politik “Rruga e re”, në fakt vazhdimësi e asaj që kam bërë në Alsat M 10 vite me radhë me emsionin “Rruga drejt”. Njëkohësisht e kam rolin e redaktorit dhe përgjegjësit të lajmeve në gjuhën maqedonase që emetohen në TV Shenja.
Çka e dallon TV Shenjën prej Alsat-M?
Në fakt për dallimin duhet të flasin shikuesit jo unë. Unë mund të them se bashkë me gjithë kolegët në TV Shenja do të bëjmë punën tonë në mënyrën më profesionale dhe do të jemi në shërbim të qytetarëve, kështu do të jemi krahu i djathtë i tyre për të senzibilzuar problemet me të cilat ata ballafaqohen dhe të kontribojmë në tejkalimin e tyre. Këtë e kam bërë edhe në të kaluarën duke punuar jo vetëm në Alsat M por edhe në mediat tjera ku kam qenë i angazhuar.
Emisionin që po drejtoni për momentin quhet “Rruga e re”, një emër i ngjashëm me “Rruga Drejt”, po edhe ditën e enjte me tajmingun e njëjtë, kur edhe emetohet emisioni “Rruga Drejt”. Nuk duket pak tendencioze? Është ndonjë revanshizëm ndaj Alsat-M që edhe pas dorëheqjes suaj vazhdojnë me emisionin e njëjtë, apo është dëshmi që nuk frikësoheni nga rivaliteti?
Nuk kam unë çfarë t’i revanshohem Alsat M. Publiku më ka njohur mua dhe emisionin që kam drejtuar për 10 vite me radhë dhe është e natyrshme që të mbaj kontinuitetin dhe emisionin ta vazhdojë në të njëjtën ditë, të enjten. Sa i përket emrit, ai ka ndryshuar vetëm për një shkak, pasi që duke qenë pjesë e Alsat-M, jo unë por televizioni mbrojti emrin “Rruga drejt”, dhe për këtë arsye unë nuk munda ta përdori të njëjtin, andaj vetëm e përshtata në “Rruga e re”. Sidoqoftë emisionin dhe debatin nuk e drejton emri i emsionit, por drejtuesi.
Kur jemi te mediumet, duhet përmendur që një ndër kushtet për aderim të Maqedonisë në BE dhe NATO është edhe pavarësia e mediumeve. Si e vlerësoni gjendjen mediale të Maqedonisë në krahasim me vendet e rajonit?
Të them se është katastrofale nuk kam thënë asgjë të re, këtë e shohin të gjithë. Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje të krahasohemi me asnjë vend të rajonit. Këtë e dëshmon edhe radhitja e Maqedonisë si shtet në çdo raport për lirinë e mediave. Nuk mund të ketë liri të mediave në një vend ku reklamuesi më i madh në media është qeveria. Nuk mund të kemi liri të mediave në një vend ku dënohen me burg gazetarët, ku gazetarët sulmohen e kërcënohen. Jo rastësisht partia në pushtet, VMRO-DPMNE posaçërisht shantazhon Marrëveshjen e Përzhinos, posaçërisht në sferën e mediave, dhe nuk dëshiron të kemi RTVM të pavarur dhe Agjension të Mediave që do të udhëhiqej nga profesionistë e jo ushtarë partiakë. Të shpresojmë se ky vit do të sjellë ndryshime pozitive edhe në këtë sferë.
Në një intervistë për revistën maqedonase “Fokus”, keni folur për të përkëdhelurit apo funksionarët e BDI-së që gëzojnë status special në Alsat-m. Në mesin e tyre është edhe shefi i shtabit zgjedhor në BDI, ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri. Këtë e keni akuzuar si ndër meritorët për “ekzekutimin” tuaj nga Alsat-m. Kësaj akuze i është kundërpërgjigjur vet ministri Neziri duke thënë se do ngrit padi ndaj jush. Janë veç llafe të kota, apo seriozisht keni pranuar ndonjë padi private?
Opinioni i gjërë është mësuar nga BDI të dëgjojë llafe, e jo vepra. Ashtu është edhe puna e kësaj padie. Kur e shohin se nuk kanë argument kërcënohen me padi duke qenë edhe vet të vetëdijshëm se nuk ka bazë për një gjë të tillë dhe andaj gjithçka mbetet vetëm në llafe siç mbeti edhe kërcënimi i Musa Xhaferit se do të padisë Bogoevskin i cili e përmendi Xhaferin se ka marrë ryshfet dhe është i zhytur në korrupsion në aferën TELEKOM.
Para disa viteve, së bashku me zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmanin keni kryer haxhin në Meke, që domethënë se keni statusin e haxhilerëve. Nëse ju jeni kritik ndaj BDI-së, se ata janë e keqja e shqiptarëve në Maqedoni, atëherë si e vlerësoni pozitën e Bujar Osmanit i cili para mediave arsyeton dhe solidarizohet me atë të keqe? Ku mbeti haxhi i tij?
Nuk jam unë ai i cili do të gjykojë për haxhin e cilido qoftë, përfshirë këtu edhe Bujar Osmanin me të cilin ishim në të njëjtën kohë në haxh. Është bindja e tij politike që ai qëndron në subjektin politik BDI dhe mbështet veprimet e këtij subjekti dhe nuk do të thotë se ajo që për mua është e keqe për atë nuk është e mirë. Secili prej nesh mendon me kokën e vet . Kush është në të drejt le të vlersojnë lexuesit .
Ka kohë që kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaqi po bojkoton televizionin Alsat-m, po edhe juve si pjesë e saj. Tani që jeni në Tv Shenja do e kishit ftuar si mysafir të emisionit “Rruga e Re”?
Unë Menduh Thaçin e kam ftuar disa herë, edhe publikisht, për të qenë mysafir deri sa kam qenë në Alsat M dhe do ta ftoj përsëri sigurisht edhe në TV Shenja. Por fatkeqësisht Menduh Thaçi është politikan i tipit të Gruevskit i cili parapëlqen të shkojë mysafir aty ku ndjehet i sigurt dhe aty ku nuk do t’i parashtrohen pyetje të cilat nuk dëshiron t’i ndëgjojë. A do të vije ose jo nuk varret nga unë.
A mendoni se partitë opozitare do mbledhin fuqinë që t’i kundërvihen BDI-së në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare që me shumë gjasë priten të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm?
E para, nuk besoj se do të mbahen me 24 prill zgjedhjet . E dyta, partitë opozitare kuptohet pa PDSH-në pasi atë nuk e konideroj si opozitare , duhet të bëjnë ’mos që të kapërcejnë veteveten dhe të bashkojnë forcat për t’i dhënë votuesve një motiv plus që të dalin në zgjedhje dhe me votën e tyre të dënojnë BDI-në për gjitha dështimet, mosrealizimin e premtimeve të dhena por edhe keqpërdorimet që kanë bërë. Është koha e fundit shqiptarët të kthejnë dinjitetin që u’a nëpërkëmbën disa pushtetarë të panagopur për interes personal. Njerëz që për pushtet janë të gatshëm të shkelin mbi gjithçka. Është koha e fundit t’i thuhet STOP gjithë kësaj.
Dhe në fund një pyetje mbi braktisjen e mundshme të profesionit të gazetarisë. E keni menduar veten në një të ardhme të afërt si deputet?
E pse si deputet (e thotë me shaka)? Realisht jo, nuk e kam menduar.
/tesheshi.com/