1.
Ai që interesohet të dijë saktësisht për termin diktator, por edhe për demokraci, është krejt e lehtë për ta ditur. Madje edhe nëse nuk ke fjalor në shtëpi, me rëndësi të kesh çasje në internet dhe gjen definicione të panumërta për këta terma dhe për shumë të tjerë. Kjo do të na e lehtësonte të gjithëve që t’kuptojmë më mirë shkrimet, mendimet, veprimet dhe njerëzit.
Po disa media, gazetarë, publicistë e analistë te ne në Kosovë por edhe në Shqipëri, këta a thua nuk kanë lexuar dhe nuk e dinë se çka është diktatura e çka demokracia?! Apo pikërisht se këta janë pseudogazetarë e pseudoanalistë, islamofobë të tërbuar, të cilët prej mllefit, mostolerancës dhe arrogancës së tyre, i shtrembërojnë informacionet për të dezinformuar e devijuar lexuesin (lexo popullin). Me këtë rast më duhet patjetër që të kujtoj dy thënie shumë të çmuara nga Malcolm X, i cili i vuajti deri në vdekje dezinformatat mediatike. “Media është entiteti më i fuqishëm në tokë. Ato kanë fuqinë që të pafajshmin ta bëjnë fajtor dhe fajtorin ta bëjnë të pafajshëm, e kjo vërtetë është fuqi, sepse ato kontrollojnë mendjen e masës”, thoshte Malcolm X. Ndërsa me një rast tjetër shtoi edhe këtë: “Nëse nuk je i kujdesshëm, gazetat (media) do t’bëjnë të urresh popullin e shtypur dhe të duash popullin shtypës”.
2.
Kështu ndodhi edhe të premtën e kaluar, më 15 Korrik, kur disa puçistë ushtarak, tradhëtar të popullit turk, të cilët kidnapuan komandantin e shtatëmadhorisë së ushtrisë turke dhe filluan puçin kundër presidentit, qeverisë dhe parlamentit turk. Në shumë prej mediave tona plasuan lajme nga ma të ndryshmet, Ushtria kontrollon shtetin, Grushtshteti i organizuar mirë, Erdogan ka lëshuar vendin, Erdoganit iu refuzua azili në Gjermani, mësynë Londrën, Romën, madje disa media në Shqipëri thanë se do të strehohet në Shqipëri ose Kosovë, e të tjera dezinformata të këtij lloji.
Ku është etika e infromimit të drejtë? Fshehja pas lirisë së fjalës e të shtypit nuk e justifikon lajmin e rrejshëm apo dezinformimin. Isha mjaft i habitur me qasjen krejt pozitive dhe normale që na e paraqisnin disa media tona, puçin ushtarak kundër presidentit Erdogan. Por kur gëzimi i tyre iu ngriu në buzë, shpërthyen nga mllefi me lajmet se puçin e kishte organizuar vetë Erdogani. Edhe me kaq nuk përfundoi. Kulmi i maskaradës mediatike shqiptare (Shqipëri e Kosovë), kaloi në banalitet nga disa pseudogazetarë e pseudoanalistë, të cilët pa kurfarë turpi, postonin në rrejtet sociale se i gëzoheshin rrëzimit të Erdoganit, të ashtuquajturin diktator, madje edhe uronin që puçi të kishte sukses. E për ironi, të gjitha këto postime i arsyetonin me dëshirën për liri dhe demokraci për popullin turk?!
3.
Këshillën që ua shkruajta në fillim, e praktikova vetë, duke kërkuar në internet se çka është demokracia?! Pas shumë faqeve të shfletuara në internet, me ju po ndaj një definicionin të shkurtë por që e hasa më së shpeshti: Demokracia është sistem politik për vendosjen dhe zëvendësimin e qeverisë përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta.
Erdogani, ky diktatori i pseudogazetarëve dhe pseudoanalistëve tanë, dhe partia e tij, AKP, deri sot ka fituar 4 palë zgjedhje qendrore të njëpasnjëshme. Askush në Turqi nuk i ka kontestuar ato, sikur që nuk i kanë kontestuar as organizatat ndërkombëtare që kanë monitoruar zgjedhjet. Kjo pra dihet botërisht. Poashtu “diktatori” Erdogan dhe partia e tij me qeverisjen e tyre të drejtë e të susksesshme, shlyen të gjitha borgjet e jashtme që kishte Turqia. Për herë të parë filloi prodhimi i aeroplanëve ushtarak, nëndetëseve e shumë prodhimeve të tjera. Standardi i jetës së qytetarëve turq është ngritur shumëfish dhe sot Turqia është në mesin e 10 vendeve më të fuqishme në botë. “Diktatori” Erdogan po strehon në Turqi gati 3 milion refugjatë sirian, derisa vendet e tjera po ndërtojnë mure kundër refugjatëve. Poashtu “diktatori” Erdogan dhe qeveria e tij ishin pran nesh që në ditën e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke na njohur po atë ditë bashkë me SHBA-të dhe vendet e tjera të BE-së. Pastaj duke lobuar parreshtur në njohjen e pavarësisë së Kosovës, e njëherësh edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Derisa presidenti sirian Beshar Esedi, nxorri tanket për të mbrojtur veten nga populli, “diktatori”-n Erdogan e mbrojti populli nga tanket e puçistëve. Por juve pseudogazetarëve e pseudoanalistëve nuk ju dëgjuam të flisnit me kaq urrejtje madje as për Esedin dhe partinë e tij komuniste.
Akoma keni dilema se kush po udhëheqë me demokraci e kush me diktaturë?!
Une jo, përkundrazi, isha i nderuar që u takova disa herë me “diktatorin” Erdogan. Një “diktator” të tillë ia kisha dëshiruar edhe vendit tim.
Në fund na bëhet e qartë të gjithëve se këta nuk e kanë problemin e demokracisë apo diktaturës por janë islamofob të tërbuar. Këta pseudogazetarë e pseudoanalistë nuk e urrejnë Erdoganin për “diktaturën” e tij, por vetëm se një musliman i devotsdhëm është në krye të një vendi që po lulëzon çdo ditë e më shumë. Ky fakt ua shton sëmundjen në zemrat e tyre hipokrite.
#Me“diktatorin”.
/thesheshi.com/