Me ndeshjet e një mbrëmjeje më parë janë mbyllur dhe 30 javët e sezonit të rregullt në Euroleague, në aktivitetin kryesor të basketbollit të meshkujve në Europë.
Nga tetë skuadrat që shkojnë në play-off, pikëpyetje kishte vetëm për njërën prej tyre, pasi shtatë të tjerat qenë përcaktuar prej javësh.
Fati i ka buzëqeshur skuadrës turke të Darushafakasë, që në përballjen e së premtes me kundërshtarin e drejtpërdrejtë për këtë vend të tetë, Crvena Zvezdën, ka fituar 78-62 e ka prerë biletën për në play-off.
Një play-off ku dy prej çifteve vënë përballë skuadrat turke dhe greke; përballje që premtojnë gjithçka, nga tensioni te loja emocionuese.
Takimet e play-off-it nisin më 18 prill, e prej tyre do të mësohen emrat e katër skuadrave që do të luajnë në Final Four-in e Stambollit.
Real i Madridit – Darushafaka, Panathinaikos – Fenerbahçe, Olimpiakos – Anadollu Efes dhe CSKA e Moskës – Baskonia Vitoria Gasteiz janë sfidat e play-off-it të këtij sezoni të Euroleague-s. /tesheshi.com/