Pas mbylljes së kufijve në vendet e Ballkanit, në Serbi kanë ngelur të bllokuar pak më shumë se 2 mijë migrantë të arratisur që vijnë nga Lindja e Mesme.
Siç ka thënë Rados Djuroviç, drejtori i qendrës së mbrojtjes së atyre që kërkojnë azil, rreth 540 prej tyre qëndrojnë në qendrat e mirëpritjes, ndërsa të tjerët ndodhen në vend në tentativa për të arritur me çdo mënyrë të mundshme vendet e Europës Perëndimore.
“Gjatë tre muajve të parë të vitit ka pasur 62 kërkesa për azil në autoritetet e Beogradit”, – ka thënë Djurovic. Sipas tij, 75% e migrantëve në rajonet Ballkanike lëvizin në trajektoren Turqi-Bullgari-Serbi, në tentativë për të arritur në mënyrë ilegale në Hungari, e cila shtatorin e shkuar ngriti një barrierë të madhe metalike në kufirin me Serbinë. /tesheshi.com/