Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë hapin e parë për “Trepçën”, duke iniciuar studimin e fizibilitetit për këtë ndërmarrje, shkruan sot Koha Ditore.
Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit të bërë nga AKP-ja, atëherë deri në fillim të muajit nëntor do të dihen parametrat ligjorë dhe ekonomikë, por edhe kapacitetet e “Trepçës” dhe arsyeshmëria e investimeve në të.
Fillimi i muajit nëntor përkon edhe më obligimin që ka AKP-ja për të dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme planin e riorganizimit të “Trepçës” në mënyrë që të shmanget likuidimi.
Mirëpo, miratimi i një ligji të veçantë për Trepçën që do ta bënte atë ndërmarrje publike do ta bënte ligjin aktual për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta të pazbatueshëm për “Trepçën”. Edhe pse koston e studimit të fizibilitetit të “Trepçës” pritet ta përcaktojë tregu, AKP-ja ka planifikuar buxhet mbi 1 milion euro për këtë studim. /tesheshi.com/