Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer është duke qëndruar në Kosovë. Pas takimit që pati me presidentin Hashim Thaçi, ai mbajti një fjalim publik në Bibliotekën Kombëtare, ku nuk kishte si të mos e përmendte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Palmer, marrëdhëniet e përmirësuara mes Kosovës dhe Serbisë hapin mundësinë për investime në vend.
“Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedime me Serbinë hapin mundësinë për investime fitimprurëse që krijojnë vende të reja të punës që mund të përfitojë populli i Kosovës”, tha Palmer.
Ai ka thënë se ka garanci për të siguruar se mbështetja e SHBA-së për Kosovës do të vazhdojë, por thotë se SHBA nuk sheh kurrfarë mundësie për integrim të plotë të Kosovës pa pajtim me Serbinë.
“SHBA do të mbështesë dhe do ta përkrahë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Por ne nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin ë plotë të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar që nuk përfshin pajtimin me Serbinë”, tha ai.
“Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani u duhet normalizimi për të çliruar potencialin e madh të këtij vendi”, ka shtuar njeriu i Trump. /tesheshi.com/