Nga George Monbiot
Pak prej nesh presin shumë nga udhëheqësit politikë: të bësh ndryshe është si të ftosh dëshpërimin. Por tek Aung San Suu Kyi ne besuam shpresat tona. Kur përmendnim emrin e saj ishte si të thërrisnim durimin dhe qëndrueshmërinë përballë vuajtjes, guximit dhe vendosmërisë në luftën e palëkundur për liri. Ajo ishte një frymëzim për të gjithë ne.
Miqtë e mi i kushtuan jetën fushatës për lirimin e saj nga vitet e shumta të paraburgimit të vendosura nga diktatura ushtarake e Myanmarit dhe për rivendosjen e demokracisë. Ne festuam kur iu dha çmimi Nobel për Paqen në vitin 1991; kur ajo u lirua më në fund nga arrestimi shtëpiak në vitin 2010; dhe kur ajo fitoi zgjedhjet e përgjithshme në 2015.
Asnjë nga këto nuk harrohet. Dhe as shumë mizori që ajo vuajti, përfshirë izolimin, sulmet fizike dhe shkurtimin e ndërhyrjen e juntës ushtarake në jetën e saj familjare. Por është e vështirë të mendosh për ndonjë udhëheqës politik të kohëve të fundit, nga të cilët shpresa të tilla të larta janë tradhtuar kaq mizorisht.
Jashtë çdo standardi, trajtimi i popullatës Rohingya, një pakicë muslimane në Myanmar, është e pështirë. Nga standardet që Aung San Suu Kyi simbolizonte dikur, kjo është edhe groteske. Ata janë përshkruar nga OKB si “pakica më e përndjekur në botë”, një status që nuk ka ndryshuar që kur ajo mori detyrën.
Konventa mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Genocidit përshkruan pesë akte, ku secili prej tyre, kur “kryhet me qëllim që të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”, përbën gjenocid. Me qëllimin e dukshëm dhe shpesh të qartë të shkatërrimit të këtij grupi, katër prej tyre, janë praktikuar pak a shumë vazhdimisht, nga forcat e armatosura të Myanmarit qëkur Aung San Suu Kyi u bë udhëheqës politike de facto.
Unë e di se forcat e armatosura kanë fuqi të madhe në Myanmar dhe se Aung San Suu Kyi nuk ushtron kontroll të efektshëm mbi ta. Unë e di se fushëveprimi i veprimeve të saj është i kufizuar.
Por, ashtu përveç një numri masash praktike dhe ligjore që ajo mund t’i përdorë drejtpërsëdrejti për të ndaluar këto mizori, ajo zotëron një fuqi me bollëk: fuqinë për të folur. Në vend që ta përdorë atë, përgjigjja e saj përbën një serë heshtjesh, mohimi i provave të dokumentuara dhe pengimi i ndihmës humanitare.
Unë dyshoj që ajo e ka lexuar raportin e të drejtave të njeriut të OKB-së për trajtimin e Rohingyas, të lëshuar në shkurt. Krimet e nxjerra në shesh ishin të tmerrshme.
Dokumentonin përdhunimin masiv të grave dhe vajzave, disa prej të cilave vdiqën si pasojë e lëndimeve seksuale të pësuara. Tregonte se si fëmijëve dhe të rriturve u pritej fyti përpara familjes së tyre.
Raportohen ekzekutimet e përmbledhura të mësuesve, pleqve dhe udhëheqësve të komunitetit; helikopterët luftarakë që në mënyrë të rastësishme “spërkatnin” fshatrat me armë zjarri; njerëzit e qëlluar në shtëpitë e tyre dhe të djegur për së gjalli; një grua në prag të lindjes së fëmijës, e rrahur nga ushtarët, foshnja e së cilës u vulos me vdekje porsa erdhi në jetë.
Ai detajizon shkatërrimin e qëllimshëm të të korrave dhe djegien e fshatrave për të përzënë popullata të tëra nga shtëpitë e tyre; apo njerëzit që teksa përpiqen të ikin vriten në barkat e tyre.
Dhe ky është vetëm një raport.
Amnesty International publikoi një dosje të ngjashme vitin e kaluar. Ka “një mal” me prova që sugjerojnë se këto veprime janë një përpjekje për të eleminuar këtë grup etnik nga Myanmar.
Vështirë të imagjinohet, por kjo fushatë terrori është përshkallëzuar në ditët e fundit. Refugjatët që mbërrijnë në Bangladesh raportojnë për masakra të përhapura gjerësisht. Kequshqyerja po rrënon Rohingya-n, duke prekur 80,000 fëmijë.
Në përgjigje, Aung San Suu Kyi i ka fajësuar këto mizori, në një intervistë frikshmërisht “të ftohtë”, mbi kryengritësit dhe u shpreh e habitur se pse dikush do të dëshironte të luftonte ushtrinë kur qeveria ka bërë kaq shumë për ta. Ndoshta kjo habi vjen lehtë tek dikush që nuk ka vizituar kurrë shtetin Rakhinë në veri, ku shumica e kësaj po ndodh.
Është e vërtetë se disa njerëz të Rohingya kanë marrë armët dhe se masakrat e fundit janë shkaktuar nga vrasja e 12 anëtarëve të forcave të sigurisë muajin e kaluar, atribuar një grupi që e quan veten “Ushtria Shpëtimtare Arakan Rohingya”. Por reagimi ushtarak ka qenë për të sulmuar të gjithë popullsinë, pavarësisht nga ndonjë përfshirje e mundshme në kryengritje, dhe për të përhapur një tmerr të tillë që 120.000 njerëz janë detyruar të ikin në dy javët e fundit.
Në fjalën e mbajtur në Nobel, Aung San Suu Kyi theksoi: “Kurdoherë që vujtja injorohet, do të ketë fara të konfliktit, sepse vuajtja degradon, hidhërohet dhe zemërohet.”
Zemërimi i atyre njerëzve Rohingya që kanë marrë armët, është përdorur si një justifikim, për të përshpejtuar një program ekzistues të spastrimit etnik.
Ajo jo vetëm që mohoi mizoritë, duke u përpjekur të mbrojë forcat e armatosura nga kritikat; ajo gjithashtu ka mohuar identitetin e njerëzve që po sulmohen, duke i kërkuar ambasadorit amerikan të mos përdorë termin Rohingya. Kjo është në përputhje me politikën e qeverisë për të kundërshtuar ekzistencën e tyre si një grup etnik dhe për t’i klasifikuar ata, megjithëse kanë jetuar në Myanmar për shekuj, si të ardhur. Ajo ka mbështetur Ligjin për Shtetësinë e vitit 1982, i cili i mohon këtyre njerëzve të drejtat e tyre.
Kur një grua Rohingya dha detaje të hollësishme rreth përdhunimit të saj nga banda të lidhura me ushtarët e Myanmar-it, zyra e Aung San Suu Kyi vendosi një flamur në faqen e saj në Facebook ku lexohej “Përdhunim i rremë”. Duket e pamundur që një veprim i tillë do të ishte bërë pa miratimin e saj.
Jo vetëm që ajo ka penguar zyrtarët e OKB-së të cilët kanë kërkuar të hetojnë trajtimin e “Rohingya”, por qeveria e saj ka penguar agjensitë e ndihmës që të shpërndajnë ushqime, ujë dhe ilaçe për njerëzit e zhvendosur ose të izoluar nga dhuna. Zyra e saj ka akuzuar punonjësit e ndihmës se po ndihmonin “terroristët”, duke i vënë ata në rrezik ndaj ndonjë sulmi dhe duke penguar më tej përpjekjet e tyre për të ndihmuar njerëzit që po vdisnin urie.
Deri më tani Aung San Suu Kyi është rrethuar nga apologjetika e atyre që refuzojnë të besojnë se ajo mund të heqë dorë nga parimet për të cilat dikur luftonte. Ata japin një listë justifikimesh: se ajo nuk donte të rrezikonte perspektivat e saj për zgjedhje; se ajo nuk dëshiron t’i ofrojë forcave të armatosura një pretekst për të forcuar kontrollin mbi pushtetin; se asaj i duhet ta mbajë Kinën të lumtur.
Asnjë prej tyre nuk ngrihet kundër saj. Ashtu si një fushatë e madhe marketingut për demokracisë një herë trumbetonte: “Nuk është pushteti që korrupton, por frika. Frika nga humbja e pushtetit dëmton ata që e përdorin atë”. Kush ishte ky person që e tha këtë? Aung San Suu Kyi. Por tani, pavarësisht nga paragjykimet ose nga frika, ajo u mohon të tjerëve liritë që ajo me të drejtë pretendonte për vete. Regjimi i saj përjashton, dhe në disa raste kërkon tu mbyllë gojën, aktivistët që ndihmuan që të drejtat e saj të njiheshin.
Këtë javë, me habinë time, gjeta veten duke nënshkruar një peticion për revokimin e çmimit Nobel të Paqes për të. Unë besoj se komiteti i Nobelit duhet të mbajë përgjegjësinë për çmimet që jep, dhe t’i tërheqë ato nëse laureatët e tij më vonë i shkelin parimet për të cilat ata janë vlerësuar. Ka dy raste në të cilat kjo duket të jetë e përshtatshme. Njëri është Barack Obama, i cili, në mënyrë të habitshme, iu dha çmimi para se të testohej në detyrë. Programi i tij i gjuajtjeve me dronë, që vranë një numër të madh të civilëve, duhet ta skualifikojnë atë nga ky nder. Tjetra është Aung San Suu Kyi.
Ju lutemi nënshkruajeni këtë peticion. Pse? Sepse tani po mendojmë për një situatë të jashtëzakonshme: një laureate e çmimit Nobel është implikuar në krimet kundër njerëzimit.
https://www.change.org/p/take-back-aung-san-suu-kyi-s-nobel-peace-prize
* George Monbiot është një kolumnist i Guardian
Përgatiti Alba Skëndaj – /tesheshi.com/