Nuk ka ditë në raportet e policisë që nuk raportohet për rrahje të grave në qytete e fshatra të ndryshme.
Andaj, duke parë këtë dukuri në rritje sot me rastin e ditë ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave, u organizua në Prishtinë një marsh nga gratë e Kosovës me moton “Nuk ka arsyetim”, ku shprehën kundërshtimet për dhunën që ushtrohet ndaj grave.
Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave tha se 68 përqind të grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë në familje dhe mbi 64 përqind e tyre kanë përjetuar ngacmim seksual.
“Gratë në 68 përqind të rasteve kanë përjetuar dhunë në familje në Kosovë, ndërsa të njëjtat shifra janë edhe për ngacmimin seksual, janë mbi 64 përqind të grave dhe vajzave që kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre në të gjitha sferat e jetës, coftë në punë, në rrugë, në shkollë, universitete e kështu më radhë”, tha Berisha.
Ajo më tej shtoi se kanë organizuar këtë marsh protestues për të bërë thirrje që të luftohet dhuna në baza gjinore.
Kurse Iliriana Bajnca, aktiviste, tha se arsyeja që ka vendosur që të dalë sot dhe të marshojë kundër dhunës është për të tërhequr vëmendje për çështjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe të tërhiqet vëmendja e institucioneve që të ndërmarrin hapa kundër kësaj dukurie.
Në këtë marsh pjesëmarrësve iu shpërndanë letra në të cilat kishte citime dhe të dhëna për rastet e dhunës në baza gjinore në Kosovë, ku këto ishin marrë nga hulumtimet e RrGGK-së.
Në fund të marshit këto citime u vendosen në rrethojat e godinës qeveritare në formë instilacioni, ku sipas RrGGK-së kalimtarët e rastit do të shohin zërat e personave që kanë përjetuar dhunë. /tesheshi.com/