20 vjet më parë, këto kohë ishin një ferr i vërtet në Shqipëri. Rënia e firmave piramidale kishte çuar në një kaos të pazakontë, aq sa bota kish kthyer sytë nga ne mbi atë çfarë po ndodhte. Masat e njerëzve që kishin humbur paratë akuzonin qeverinë, ndërsa mazhoranca e asaj kohe akuzonte opozitën për manipulim të turmave, gjë që hyri më pas në fjalorin politik të pushtetit si rebelim komunist. Dhe në këtë klimë, deputetët demokratë marrin përsipër hartimin e një projektligji i cili do të merrej me transparencën e firmave. Në një fjalim të kohës mbajtur nga deputetja demokrate e Dibrës, Natasha Shehu, kjo e fundit nuk përmend asnjë “rebelim komunist” në adresë të kundërshtarëve, por i akuzon ato për heshtje, për mosdhënie alarmi rreth rrezikut të tyre…..
Fjala e deputetes Natasha Shehu:
I nderuar zoti Kryetar, të nderuar kolegë!
Nga p/ligjet e fundit që na jepet rasti të miratojmë, vjen sot edhe ky që po diskutojmë sot. Sipas relacionit shoqërues, tre janë synimet e tij: së pari, të hapë rrugë për një kontroll të plotë financiar të këtyre firmave; së dyti, të realizojë një transparencë të vërtetë ndaj publikut për firmat që kanë në bazë të veprimtarisë së tyre skemat piramidale dhe, së treti, të bëjë të mundur mbylljen me rrugë gjyqësore, nënkupto ligjore, të atyre firmave a kompanive që janë në prag të falimentimit. Natyrisht që s’kontestoj asnjërin prej këtyre synimeve, por kontestoj vetëm një nen të këtij p/ligji, nenin 6, rreth të cilit po bëhen sot debatet më të shumta. Ky p/ligj është i mirëpritur prej të gjithëve, sepse sot në Shqipëri, kush më shumë e kush më pak, ku vetë e ku të afërmit e tij, janë të interesuar për këto firma si huadhënës.
Ajo që ndodhi në Shqipëri gjatë kësaj periudhe, solli dukuri të paparashikuara ndofta nga shumëkush, solli strese e lëkundje të forta të njerëzit, ngriti dyshime, të shoqëruara me pikëpyetje e pikëçuditje të forta e të njëpasnjëshme, solli humbje besimi të sistemi i ekonomisë së tregut të lirë etj., etj. Ç’ndodhi? – pyetën të alarmuar njerëzit? Ç’qenë këto firma? Si u ngritën, si funksionuan, si ranë, si i zunë brenda me ekonomi e jetë njerëzish shumë familje shqiptare, si duheshin kontrolluar, si mund të parandaloheshin? E të tjera pyetje të kësaj natyre.
Njerëzit, shumica të ndershëm, duke humbur kursimet e tyre, shpesh humbën 1ogjikën e të arsyetuarit gjakftohtë dhe, të irrituar nga manipulatorë politikë, kaluan në veprime, për të cilat jam më se e sigurt që sot u vjen turp tek i kujtojnë. Megjithëse, për hir të së vërtetës, dua të them se pati shumë e shumë të tjerë që, me sentencën e vjetër të popullit se “ka të keqe më të madhe sesa humbja e parave”, sepse, po sipas tij, “e keqja s’ka fund”, e kaluan këtë periudhë mbase zhurmshëm brenda familjeve të tyre, por në heshtje e me dinjitet jashtë në rrugë e në ambiente publike, me mendimin se “pësuan diçka që do t’u bëhet mësim për të nesërmen”. Dhe e theksoj se kjo ndodhi jo sepse kishin humbur në këto piramida fajdesh më pak se të tjerët në Vlorë, Shkodër, Tiranë e gjetkë, përkundrazi. Atëherë, për të dy këto grupe njerëzish ne kemi një detyrim: të jemi të hapur e të sinqertë, sepse populli mund të të falë një gabim, por s’të fal prapaskenat e kurdisura, s’të fal pabesinë.
Unë nuk dua të paragjykoj hartuesit e p/ligjit për faktin se në të s’gjen vend kontrolli për ato firma që tashmë janë nën hetim, s’jam as juriste, as ekonomiste, por mbase shumë më tepër se shumë juristë dhe ekonomistë, në emër të mijëra zgjedhësve që përfaqësoj, jam e interesuar të gjejë vend në këtë p/ligj dalja e së vërtetës, ashtu siç është, sado e hidhur qoftë. Prandaj ftoj e mirëpres cilindo koleg, deputet a specialist këtu që të rekomandojë interferimin e këtij shqetësimi tim e të mijëra zgjedhësve të mi e tuajët në këtë p/ligj.
Një nga shqetësimet e popullit është fakti se, sipas fjalëve që u përhapën, shtetarë e politikanë të shumtë, të rangjeve nga më të ulëta e deri më të larta, kanë përfituar padrejtësisht nga këto firma me sponsorizime, shpërblime, ryshfete, tërheqje parash para falimentimit apo kur u shpall ngrirja nga Qeveria e depozitave të dy firmave rentiere etj., etj. Hajdeni, zotërinj, atëherë, do t’ju thosha, t’i qetësojmë këta njerëz. Sot, më shumë se kurrë, e keni mundësinë ju në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të tregoni transparencën për këtë problem, për të vënë me shpatulla për muri cilindo ish-shtetar apo shtetar që përflitet kaq shumë gjatë kësaj periudhe, politikanë të pozitës e të opozitës. Them “sot më shumë se kurrë”, sepse jo se nuk e keni pasur këtë mundësi edhe më parë ju të opozitës, ndonëse mund të thoni se opozita s’qe fare në Qeveri që të kontrollonte, siç tha një parafolës, por, ama, që në Shqipëri, të paktën, të paralajmëronte.
Në një fshat të largët malor të Dibrës, një burrë i vjetër, duke folur qetësisht, u tha pjesëmarrësve: “Për të nxjerrë shkaqet e kësaj që na ndodhi, do t’i gjykoja edhe Qeverinë, edhe kundërshtarët e saj, pra edhe pozitën, edhe opozitën, dhe ja pse, shtoi ai: Qeveria pati në dorë shumë e s’paralajmëroi për rrjedhojat. Ishte kjo sepse s’diti apo s’deshi, le ta gjykojmë. Kundërshtarët e Qeverisë, pra opozita, s’kanë pushuar së thëni se kanë ekonomistët dhe financierët më të mirë sot në Shqipëri, shumë më të zotë se të PD-së. Ku qenë ata dhe gazetat e tyre, më të shumta në numër se ato proqeveritare, që s’na paralajmëruan. Atëherë këtu, tha ai, s’bëhet fjalë për paaftësi, por sepse opozitës ashtu ia deshi interesi”. Dhe, duke e mbyllur, vazhdoi: “Nëse partitë, për interesa partiake, luajnë me interesat jetike të popullit, haram u qoftë!”
Duke dashur që ky njeri i mirë dhe mijëra e mijëra të tjerë njerëz të mirë, të vuajtur si ai, të lehtësoheshin të paktën shpirtërisht, do t’ju ftoja ta amendamojmë këtë p/ligj në atë mënyrë që të krijohet mundësia e ushtrimit të veprimit të këtij ligji edhe mbi firmat piramidale tashmë të falimentuara, pa përjashtuar gjykatën, ajo le të bëjë punën e saj në drejtimin që ka. Qeveria që solli p/ligjin, teknikisht i ka mundësitë ta bëjë këtë, nëse ia japim me ligj, që ajo e kërkon.
Edhe unë nga ministri, gjatë përgjigjeve të pyetjeve që dha, të them të drejtën, prisja më shumë teknicizëm e më pak politikë e cinizëm. Me sinqeritet do të kërkoja atë që tha zoti Minarolli sot: Nëse keni pengesa ligjore, jemi gati t’ju ndihmojmë për t’i hequr. S’dua të mbaj mbi supe mashtrimet e askujt, qoftë ky dhe nga kolegët e mi më të afërt. Dua t’i shoh në sy pa pengesë dhe pa hijen e dyshimit. Jam e mbetem e mendimit se njeriu që mashtron ekonomikisht, të mos etiketohet i kuq e blu, por vetëm i zi, qoftë ky politikan i kuq, rozë, blu a i gjelbër. Pra, le të pastrohet politika shqiptare nga mashtrues politikanë. /tesheshi.com/