Delegacionet e Serbisë dhe Kosovës miratuan të martën një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të miratuar në vitin 2013, tha i dërguari i posaçëm i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.
Ai tha në Twitter se ishte një “hap i madh përpara”.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike në kuadër të dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian”, tha Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur në Twitter se Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes energjetike, i miratuar në Bruksel, do të mundësojë faturimin e energjisë elektrike në katër komuna në veri të Kosovës.
“Përfundimisht miratuam Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, në përputhje me ligjet dhe sistemin rregullativ të Kosovës”, shkroi Bislimi. /tesheshi.com/