Mark Markez me Honda ka fituar garën e Aragonit në Spanjë, në Moto GP. Kampioni i botës në fuqi, ka zhvilluar një garë në sulm, duke arritur të vihet në krye të saj, pas zhvillimit të gjysmës së xhirove, për ta përfunduar i shkëputur garën dhe për tu rivendosur në krye të klasifikimit të pilotëve.
Kuriozitet bën fakti se në pistën e Aragonit, katër pilotët e parë ishin spanjollë, ku pas Markez, u renditën Pedroza me Honda, Lorenzo me Dukati dhe Vinjales me Jamaha.
Garë në maksimumin e mundësive për Valentino Rosin, i cili pasi surprizoi me pjesmarrjen në pistë, nuk shkoi më tepër se vendi i pestë, edhe pse ka ndjerë dhimbje të fortë në këmbën e operuar 2 javë më parë.
Vetëm vendi i shtatë për ndjekësin e Markezit në renditjen e pilotëve, italianin Doviciozo. Pas garës së të dielës, Markez ka 16 pikë më tepër se Doviciozo dhe 23 më shumë se Vinjales, që janë ndjekësit më të afërt të tij. /tesheshi.com/