Sistemi gjyqësor dhe prokurorial vazhdon të mos u garantojë qytetarëve edhe atë që e garanton Kushtetuta e vendit: barazinë e qytetarëve para ligjit.
Kështu ka vlerësuar sot deputetja e Kuvendit të Kosovës, Margarita Kadriu e cila ka theksuar se në Republikën tonë, një pakicë vazhdon të jetë mbi ligjin dhe shumica tepër e nëpërkëmbur.
“Pushteti u tregon muskujt, kryesisht të pafuqishmëve, njerëzve pa mbështetje politike, pa para. Individët me pushtet, me lidhje të forta, arrijnë të dalin pa u lagur edhe në skandale të rënda korruptive”, ka theksuar Kadriu.
Modeli kosovar i sundimit të ligjit sipas saj është një shembull i keq, që ka pasoja të rënda në
stabilitetin e shtetit, tremb investitorët e huaj dhe ua humb shpresën qytetarëve të vet për një drejtësi të paanshme.
“Fatkeqësisht, gjatë këtyre 16 vjetëve të pasluftës, gjykatat dhe prokuroritë jo vetëm që nuk u bënë të pavarura e të paanshme dhe nuk u konsoliduan, por rrëshqitën dhe mbeten në brazdën e hullinë e politikanëve të korruptuar.”
“Qindra-mijëra lëndë janë mykur në sirtarët e gjykatave e prokurorive. KGJK-ja dhe KPK-ja po tregohen të pafuqishme dhe jokompetente për reforma serioze e të thella, rrënjësore, ligjore e kadrovike,duke marrë për bazë gjendjen tepër të degraduar në drejtësinë kosovare”, ka theksuar deputetja Kadriu. /tesheshi.com/