Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare që mbahen njëkohësisht në Maqedoninë e Veriut të mërkurën mund të jenë vendimtare për shpresat e këtij vendi për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, shkruan AFP.
Kthimi në pushtet i opozitës së djathtë mund të ringjallë ndjeshëm tensionet me vendet fqinje Greqinë dhe Bullgarinë, me Sofjen që vendos kushtet për përparimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE.
Partia nacionaliste e djathtë VMRO-DPMNE është në pozitë të mirë përpara zgjedhjeve.
Kandidatja e saj presidenciale, Gordana Siljanovska-Davkova, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dy javë më parë arriti një avantazh të konsiderueshëm ndaj presidentit aktual Stevo Pendarovski, por asnjëri prej tyre nuk fitoi 50 për qind të nevojshme për të fituar në raundin e parë.
Premtimet e krahut të djathtë
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, refuzon të pranojë se emri zyrtar i vendit është Maqedonia e Veriut, siç quhet vendi që nga viti 2019, që ishte kushti grek për përparimin e Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike. Ai u zbatua nga socialdemokratët pro-evropianë dhe properëndimorë (SDSM), të cilët janë në pushtet në Maqedoni që nga viti 2017.
Një vit pas ndryshimit të emrit, grekët hoqën bllokadën dhe Maqedonia e Veriut u pranua në NATO. Megjithatë, rruga për në BE është e bllokuar nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve mbi gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Përveç kundërshtimit të emrit të shtetit, Mickoski premton edhe qëndrim të prerë në kontestin me bullgarët.
Që kur u bë lider i VMRO-DPMNE-së në vitin 2017, ai ka rinovuar partinë e tronditur nga ikja e ish-liderit dhe kryeministrit Nikola Gruevski, i akuzuar për korrupsion, i cili gjeti azil në Hungari.
Mickoski premtoi gjithashtu se do t’i japë prioritet ekonomisë dhe do të krijojë dhjetëra mijëra vende pune. Është një mesazh që rezonon me shumë votues në një vend të varfër të rrënuar nga inflacioni galopant.
Tensionet etnike
Gjatë dy dekadave të fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur dhjetë për qind të popullsisë së saj prej largimit masiv të të rinjve, të cilët nuk e shohin të ardhmen e tyre në vend.
“VMRO-DPMNE ka një avantazh të madh dhe ka mundësi të mobilizojë edhe më shumë votuesit”, sipas analistit politik Xhelal Neziri.
Gjatë fushatës, Mickoski iu drejtua retorikës gjithnjë e më nxitëse kundër BDI-së, partisë kryesore shqiptare në vend, duke shkaktuar frikë se komentet e tij mund të minojnë marrëdhëniet e brishta ndëretnike të vendit.
Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të katërtën e 1.8 milionë banorëve. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti udhëhoqi një rebelim të armatosur në vitin 2001 për të fituar të drejta më të mëdha për shqiptarët.
Që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, qeveritë e njëpasnjëshme kanë respektuar rregullin e pashkruar që një parti shqiptare duhet të përfshihet në koalicionin qeveritar.
Mickoski i quan liderët e BDI-së “hajdutë”.
Zhbllokimi i negociatave me BE-në
Social Demokratët në pushtet (SDSM) paralajmëruan se rezultati i zgjedhjeve do të ishte vendimtar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, por u tronditën nga humbja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
“Këto zgjedhje praktikisht do ta përcaktojnë të ardhmen e Maqedonisë, nëse do të shkojmë drejt një shoqërie progresive, drejt BE-së, apo do të kthehemi në kohët e kaluara kur kemi pasur izolim dhe konflikte etnike”, tha ish-kryeministri dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
LSDM-ja e bazon të ardhmen e saj politike në premtimin se liderët e saj janë në gjendje të zhbllokojnë negociatat e anëtarësimit në BE dhe të zgjidhin mosmarrëveshjen me Bullgarinë. Sofja ka refuzuar të mbështesë hapjen e bisedimeve të pranimit midis Shkupit dhe BE-së derisa Maqedonia e Veriut të njohë pakicën e vogël bullgare në kushtetutën e saj.
Socialdemokratët u përpoqën të bëjnë ndryshime në Kushtetutë, por nuk arritën të mbledhin dy të tretat e votave të nevojshme, sepse VMRO-DPMNE e kundërshton atë. VMRO-DPMNE në vitet e fundit është rritur në popullaritet pikërisht për shkak të zhgënjimit në rritje të publikut me procesin e ngadaltë të anëtarësimit të vendit në BE. /tesheshi.com/