Nuk e ka pritur mirë LSDM deklaratën e presidentit Ivanov, i cili i vuri një kush kësaj partie që pret, sipas Kushtetutës, që të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re. Ivanov, tha se nëse LSDM-ja i siguron minimumi 61 nënshkrime deputetësh, mund ta marrë mandatin. Por zëdhënësi i partisë së Zaevit, Petre Shilegov ka reaguar duke thënë se presidenti po vazhdon të shkelë Kushtetutën dhe ligjet e vendit më sjelljen e tij, duke e quajtur atë si diskriminim politik, ngase ngjashëm nuk veproi dhe me Gruevskin kur e mandatoi.
“Gjorgje Ivanov nuk ka të drejtë të bëjë këtë diskriminim politik. Ai ia dha mandatin Nikolla Gruevskit duke mos i kërkuar nënshkrim nga 61 deputetë dhe duke mos e kushtëzuar me program. Kështu që nuk ka të drejtë as liderit të LSDM-së, Zoran Zaev t’ja kërkojë këtë. Kjo është një shkelje e pa-tolerueshme e Kushtetutës nga ana e Ivanovit, për të cilën duhet të japë llogari edhe në bazë të shkeljeve kushtetuese por edhe shkeljeve penale”, tha Shilegov para gazetarëve.
Ai theksoi se me këtë sjellje tani si dhe me vendimin për abolim, më herët, Ivanov është në mbrojtje të krimit të Nikolla Gruevskit.
Me këtë, siç u shpreh Shilegov, Ivanovi i rrezikon edhe shtetin edhe banorët në të.
Në pyetjen e gazetarëve se a i kanë mbledhur nënshkrimet për qeverinë e re, zëdhënësi i LSDM-së nuk u përgjigj konkretisht por tha se “nuk ka nevojë të shqetësohen qytetarët, LSDM-ja do të punojnë në gjetjen e një zgjidhje që do të sjellë deri në formimin e një qeverie të re.”
Në fund, Shilegov tha se sapo të rrëzojnë nga pushteti Nikolla Gruevskin e VMRO-së, me të “në histori do të shkojë edhe presidenti Gjorge Ivanov”. M.Krasniqi – /tesheshi.com/