Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, tha të hënën se 57 pacientë nga gjithsej 193 të lënduar nga zjarri në një diskotekë në Koçan vazhdojnë të trajtohen jashtë vendit dhe në Shkup.
Ai në një konferencë për media tha se 48 pacientë aktualisht janë duke u trajtuar jashtë vendit dhe se sot pritet të kthehet një nga Hungaria dhe se në Shkup aktualisht po trajtohen gjithsej nëntë pacientë.
“Praktikisht kemi vetëm me 57 pacientë që po trajtohen, prej të cilëve vetëm dy janë në gjendje kritike. Dhe të gjithë pacientët e tjerë janë ekstubuar. Disa janë në rehabilitim, të tjerët janë në pritje të procedurave të caktuara kirurgjikale. Shpresoj që në ditët në vijim të na vijnë edhe disa pacientë nga jashtë”, tha Taravari.
Ai theksoi se lajmi i mirë është se fati i një pacienteje, rast shumë e vështirë.
“Dëshiroj të ndaj një lajm të mirë. Një paciente që është dërguar ditën e parë, e cila është reanimuar dy herë, një herë këtu në Qendrën Klinike dhe herën e dytë gjatë transportit, është sot në Kirurgji Plastike, është në gjendje shumë më të mirë, është e lëvizshme. Një shembull i mirë i një pacienteje që ishte shumë e vështirë”, tha Taravari.
Ai tha se gjithsej nëntë pacientë aktualisht po trajtohen në Maqedoninë e Veriut, në Shkup dhe shtoi se të gjithë janë në gjendje relativisht të mirë dhe stabile.
Dy pacientë aktualisht janë në Qendrën Klinike, në Repartin e Kirurgjisë Plastike, vetëm një pacient është në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘8. Shtatori’, katër janë në Spitalin e Vjetër të Qytetit (Klinika Kirurgjike ‘Sveti Naum Ohridski’) dhe dy pacientë të tjerë janë në klinikat private (’Acibadem Sistina’), tha Taravari.
Një zjarr në diskotekën “Puls” në Koçan, një qytet në Maqedoninë e Veriut rreth 100 kilometra në lindje të Shkupit, vrau 61 persona dhe plagosi rreth 200.
Zjarri ra të dielën e datës 16 mars në orën 02:30 për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike në një koncert të grupit DNK dhe sipas policisë në diskotekë kanë qenë rreth 500 spektatorë.
Prokurori i Shtetit të Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski, të dielën, më 13 prill, deklaroi se për rastin e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, është hapur hetim ndaj gjithsej 52 personave, prej të cilëve njëri ka ndërruar jetë, si dhe ndaj tre personave juridikë. /tesheshi.com/