Kuvendi i Shqipërisë votoi thuajse unanimisht që ta çojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e PD-së, për të interpretuar nëse deputeti i PS-së Koço Kokëdhima, ka shkelur apo jo ligjin duke marrë kontratë shtetërore për llogari të kompanisë së tij, ndërkohë që ishte deputet.
Me 106 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime, thuajse të gjithë votuan për ta çuar këtë çështje në Kushtetuese për ta shqyrtuar nëse ka konflikt interesi.
Opozita kërkon heqjen e mandatit të deputetit të Vlorës, duke akuzuar atë se ka përfituar fonde publike pasi është zgjedhur deputet, por kjo është kundërshtuar nga Kokëdhima në këtë seancë.
Deputeti Koço Kokëdhima tha se kontrata e kompanisë Abisnet për të furnizuar me internet një komunë të Durrësit, Rashbullin ,është bërë përpara se ai të merrte mandatin. Siç mësohet nga burime brenda mazhorancës edhe Kokëdhima votoi për ta çuar rastin e tij në Kushtetuese. /tesheshi.com/