Zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi do të mbahen më 15 prill. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Parlamentit, Ivan Brajoviç në një dalje për mediat.
Presidenti aktual, Filip Vujanoviç, ishte president për tri mandate pesëvjeçare të njëpasnjëshme dhe më nuk ka të drejtë të garojë.
Ai ishte presidenti i Malit të Zi kur ky vend u shkëput nga shteti i atëhershëm, Serbia dhe Mali i Zi, në vitin 2006. Paraqitja e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 15 prillit duhet të bëhet deri më 26 mars.
Ende nuk dihet se kush do të garojë si kandidat i opozitës së bashkuar, ndërkohë që për partinë në qeverisje, ajo Socialiste e Demokratëve, kandidat do të jetë Milo Gjukanoviç, i cili një vit më parë dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. /tesheshi.com/