Nga Eva Gjura
Majlinda Keta, ish-kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste, vijon të jetë kritike me qeverisjen Rama dhe vetë atë si personi politik. Në një intervistë për tesheshi.com, ajo flet mbi zhvillimet në PS dhe performancën qeverisëse, sipas së cilës janë në ditë të hallit. Znj. Keta i dhemb ajo çfarë po ndodh me të majtën, por nuk mendon se e djathta është nëj gjendje të qeverisë. Klasën aktuale politike ajo e konsideron një lloj oligarkie, e cila sipas saj duhet të përmbyset si në 90-ën. Dhe vetëm atëherë do jenë të mundura reformat….
Jemi dy vjet pas marrjes së mandatit qeverisës nga Partia Socialiste. Dy vjet të cilat nuk kanë qenë shumë të lehta për qeverinë. Kritikat, vërejtjet, ankesat kanë qenë të shumta. Ju si e keni parë këtë qeverisje, cila është përshtypja juaj për punën e saj ?
Kur shqiptarët votuan pro të majtës së bashkuar në 2013, me votën e tyre i thanë “Jo” asaj qeverisje që prodhoi një borxh të madh për ekonominë shqiptare, donin të ndalnin dhe ulnin nivelin e lartë të korrupsionit në shërbime dhe përmes financave publike, sikurse i kishte zënë frymën niveli kritik i cilësive të administratës publike, që duhej të ishte promotorja e proceseve integruese evropiane në vend, ndërsa vendi ngeci në vend në parametra zhvillimi dhe reputacioni ndërkombëtar. Mos harrojmë, si pasojë e këtyre faktorëve ne u refuzuam nga bota demokratike 3 herë për statusin e radhës, atë të kandidimit për anëtarësim në BE. Sot, pas mbi 2 vjet qeverisjeje, që nuk janë shumë, por as pak si kohë e mjaftueshme për të ndjerë ndryshimin, askush nga ne, qoftë edhe votuesit pro kësaj alternative qeverisëse, nuk mund të pohojë me besim se mes nesh nuk janë më këto 3 cilësi kritike të qeverisjes së djathtë, ose më saktë të jenë minimizuar në prezencë ato.
E para, sepse ne vazhdojmë me borxhe/alibi për mossuksesin qeverisës, borxhe sasinë e së cilave ende nuk e dimë në janë zvogëluar ndopak e që për rrjedhojë të shpresojmë për të marrë sado pak oksigjen ekonomia dhe biznesi vendas. Ndërkohë, qartazi, përballë tyre, mjafton të vlerësosh të dhëna mbi nivelin e varfërisë dhe gjeografinë e tij, nivelet e punësimit dhe mbi të gjitha konçensionofobinë e qeverisjes, që të konkludosh lehtë se sa anemike është qeverisja e majtë në këtë prioritet strategjik të trajtimit të borxhit dhe politikave zhvilluese ekonomike. Më shumë se unë, me këtë lloj empirizmi flasin ekspertët dinjitozë të së majtës që jo vetëm ndjekin me shqetësim këto soj biçim modeli ekonomik zhvillimi, por edhe denoncojnë apo ofrojnë alternativa përmirësuese duke u ndjerë plotësisht si lob profesionistësh, të përditshëm, kundër” reformave” që po pësojnë financat dhe ekonomia shqiptare.
E dyta, antikorrupsioni ende nuk po trupëzohet si filozofi e mirëqeverisjes të së majtës qeverisëse dhe shprehjen e gjej tek instrumenti i përdorur në emërime dhe tenderime. Një parti maxhorancë qeverisëse nuk mund të prodhojë politika antikorrupsion ndërkohë që është përmbytur nga korrupsioni dhe nepotizmi në vetë strukturat drejtuese të partisë dhe financave e saj, modele këto të eksportuara mrekullisht edhe në nivelet e larta të qeverisjes. Qeveritarët e lartë, në nivele të ndryshme, janë aty jo se janë profesionistët më të mirë, zëplotit publikë në vite për progresin në fushën që drejtojnë, apo se ato paraqitën një platformë të majtë, sfidante të fushës e cila ishte më e mira për reformat që prisnim të realizonim pas “gropës” së Berishës në financa, arsim e shëndetësi.
Nuk ka shqiptar, nuk ka të majtë dhe anëtarësi socialiste, që të mos pohojnë faktin se një pjesë e madhe e ministrave nuk zotërojnë asnjë nga këto cilësi të mësipërme,por kanë dhe zotërojnë supercilësinë e të qenit “yes-men” i KryetaritZeus të Partisë pos 2005, individë që kanë “kontribuar” për pushtetin e tij autoritarist, në luftë me idealin socialist dhe duke shkelur çdo normë statutore dhe forum të partisë. Një parti që ka korruptuar statutin, forumet dhe strukturat e partisë nuk mund të prodhojë mirëqeverisje. Kjo ishte një premisë në disfavor të mirëqeverisjes së deklaruar nga Rilindasit. E kjo sot, ka bërë që korrupsioni të bëhet edhe më fin, po aq sa duket se bën karshillëk me shtetin dhe levat e tij jo në pak raste.
E treta, pas 10 vitesh si zë kritik në mënyrën se si po drejtohej PS-ja nga Rama dhe grupi i tij, pohoj se siç është dhënë ideali i socialistëve i pos 2005-sës me koncension, ashtu po asfiksohet mundësia për të pranuar, zbatuar dhe përmirësuar edhe një administratë publike me parametra që i duhen proceseve integruese, homogjene në standarde profesionalizmi dhe etike qeverisëse dhe shërbimi. Kështu, megjithë mbështetjen që personalisht dëshiroj t’i jepet të rinjve në qeverisjen e majtë unë jam kritike për nivelin moshor të shumë drejtorëve të rinj të rekrutuar edhe nën komisione farsë, që “drejtojnë” fatkeqësisht edhe individë profesionistë, dinjitozë në integritetin e tyre në vite, që padyshim të “dhunuar” nga inkompetenca dhe jo rrallë arrogancë nga këto soj të rinjsh, kthehen në nëpunësa të atrofizuar në role e përgjegjësi të tyre për këtë shtet.
Noli në kohë të vet i ka karakterizuar mjeshtërisht këto lloj fenomenesh e sjelljesh me nëpunësin shqiptar që për fat të keq edhe pothuaj pas 100 vjetësh mbeten në situata të tilla. Emisionet mediatike denoncuese për njerëz të inkriminuar të përfshirë në administratë, për “axhaminj” që nuk dinë kompetenca sektoriale profesionale, për të mos folur për rekrutim “harem’ orekse që gojëdhënat qytetëse i sjellin deri në kufij të së paimagjinueshmes për disa drejtues të lartë, kanë bërë që pas 2 vitesh administrata e 1 milion shuplakave të ketë ndryshim shumë të paktë në raport me mundësinë dhe të pritshmen nga të majtët që lëshuan pushtet për të bërë shtetin e shkatërruar të pos 1997.
Duhet thënë që ka ndryshesa cilësish dhe sjelljesh institucionale nga ministria në ministri po aq sa edhe ndjehen ndryshimet në standardizimin e stafeve kur ndërrohet vetëm ministri në të. Kjo do të thotë që nuk ka ende filozofi qeverisëse për një administratë nën regjim profesional dhe etik, por kemi trende me fytyrë drejtuesi. Për mua e majta është thesar pa fund për kapacitete njerëzore drejtuese që për fat të keq nuk janë thirrur për kontribuar nga të djathtët e majtë të PS. Kjo maxhorancë qeverisëse, në këto 2 vite është e sfazuar nga programi që i premtoi shqiptarëve në 2013, por edhe më e djathtë se kurrë në “rrugën” e zgjedhur për zhvillim, ndonëse u votua nga e majta për majtas. Jam totalisht dakord dhe mbështetëse në atë që Rama duhet të formalizonte në këtë shtet, por “korruptimi” që i bën në proces e komunikim publik formalizimit në sektorë të ndryshëm, në cilësi drejtuesish apo dhe transparencë publike kanë dhënë efektin e kundërt. Ne vijojmë ende si një shtet fasadëplotë në letra dhe me një cilësi të keqe të të menduarit dhe vepruarit me shtetin, për shtetin dhe mbi shtetin nga pushtetari dhe qytetari. Dhe fajin për këtë gjendje sjellje, në radhë të parë fajin e ka klasa politike e 25 viteve nga ku nuk bën përjashtim Rama, si një nga më jetëgjatët në pushtet.
Koalicioni PS-LSI po funksionon siç duhet, apo në të vërtetë është siç thonë disa zëra se po qeveris Meta, ndërsa Rama po mban kostot?
Rama do hyjë në histori si një kryetar partie autoritaristo-antistatutor dhe një cilësi e tillë e tij nuk lejon kurrë të jetësohet ky interpretim që po më ofroni ju. Unë them që Rama si lider politik nuk i takon asnjë grimë filozofisë së të majtës pos 1997-të nën filozofinë “lëshojmë pushtet për të bërë shtet” (filozofi shteti që e prodhoi edhe atë vetë si qeveritar), po aq sa nuk është kurrë “demokrat pa kufi” me aleatë apo bashkëqeverisës, megjithëse “artisti” si profesion duhet t’i kish falur dimension më të mirë me lirinë dhe përgjegjësinë. Ku janë 40 partitë e rreshtuara në aleancën e kryesuar nga PS sot në 2013?
Pothuaj të injoruar në shumicë, me jo pak lëvizje e manovra individësh shumëpërdorimësh, përdorime të segmenteve të shtetit dhe pushtetin politik Rama mundohet që edhe Metën ta çojë në stol rezervë, por harron se në qeverisje me aleatë dhe bashkëqeverisje 4 gjëra të mbrojnë e të çojnë gjatë e larg në mirëqeverisje: 1. Integriteti i lartë personal dhe i drejtuesve të lartë, si ekip qysh në momentin e ngjizjes së aleancës, 2. Respektimi rigoroz i programit të përbashkët, 3. Komunikimi cilësor ndërinstitucional bazuar në përgjegjësi mes aleatëve, 4. Transparenca dhe llogaridhënia dinamike bazuar në përgjegjësitë e secilit. Më thoni ju si gazetare, kë nga këto 4 standarde ka respektuar Rama që të më bësh të filloj të besoj atë që po më ofroni, që Meta qeveris dhe për fat të keq kumbullat e tharta të tij po i mpijnë dhëmbët Ramës!!!!!
Shihni, ndiqni sjelljet e tyre, Ramës dhe Metës, ndaj reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, dhe lehtësisht qartësoni cilësinë e bashkëqeverisjes dhe rolet e tyre në reforma.
Partia Socialiste ka regjistruara një ngjarje paksa të pazakontë për një parti politike. Një grup anëtarësh socialistë kanë protestuar para hyrjes së selisë rozë duke kërkuar largimin e kryetarit Rama. Pse u arrit deri në këtë pikë. Ku ka gabuar Rama si kryetar partie. Apo kjo është një lojë?
Sikur kjo ngjarje të ishte bërë atëherë kur statuti i PS-së nisi të shkelej në mënyrë të hapur me ardhjen e Ramës në drejtim të partisë pas 2006; sikur kjo ngjarje të mos konturohej si pararendëse e një tjetre, ajo e daljes publike të Taulant Ballës për të deklaruar datën e fasadëkongresit të radhës të rilindasve; sikur kjo të mos pasohej nga heshtja e plotë e Gramoz Rucit dhe Asamblesë Socialiste…..etj etj…..do besoja se po lindin shpresa për futjen e PS-së në shina statutore dhe institucionale. Rama është mjeshtër i përdorimit dhe i shfrytëzimit të momentit për ta kthyer në favor të vetes dhe grupit të tij nepotik përmes ngjarjeve edhe të tilla. Këtyre socialistëve të nderuar që besuan në atë ngjarje do t’i thoja që statuti i partisë njeh shumë forma, si ajo e zgjedhjeve “1 anëtar, 1 votë”, mocionit për besim etj etj , që të përdorura masivisht, mund ta rivitalizonte partinë dhe kryesinë e saj oligarkike. Rama e ka pohuar publikisht që nuk do t’ja dijë për Ramën politik, shqetësimi i tij është suksesi i Ramës me pushtetlobin e tij. Socialistët duhet t’i kishin mbyllur me kohë derën e PS-së me zinxhir Rama-istëve sikurse nuk duhet t’i lejojnë ata të hyjnë në derën e një fasadëkongresi socialist që vjen duke shkelur paturpësisht normat statutore, votimet për kongresistët dhe funksionimin e forumeve politike.
Më thoni, çfarë e pengon Gramoz Rucin që në këtë anarki partiake dhe pushteti qeverisës të thërrasë Asamblenë apo që ai zyrtarisht, pas Asamblesë, të jetë deklaruesi i datës së Kongresit???? Pas tij, ku është zëri i sekretarit organizativ, Klosi që zyrtarisht mund të bënte një njoftim të tillë apo të qartësonte si po shkohet drejt kongresit duke zbatuar normat statutore? Kush është Taulant Balla që merr përsipër një njoftim të tillë, jashtë funksioneve që ka në parti, por që është tregues për cilësitë e respektimit statutor dhe organizativ të jetës në PS-në e Ramës? Vetëm 1 njeri, qoftë ky dhe kryetari, nuk mund të sjellë këtë gjendje ku ka shkuar PS në 2016-tën. Aty ka zënë prej kohësh rrënjë korrupsioni politik, ai që ushqen edhe atë qeverisës sot.
Kjo qeveri ka krijuar pakënaqësi të mëdha me qeverisjen e saj. Ka ministra të cilët për bazën janë antipatik, por edhe për pjesën tjetër të grupit parlametarë. Kam këtu parasysh pakënaqësitë e deputetes Dade dhe Toçi në grupin parlamentare. Ata kërkojnë llogaridhënie dhe ballafaqim me ministrat për punën e bërë dhe për realizmin e premtimeve. Pse kjo pakënaqësi mes atyre që mund të quhen të vjetrit dhe të rinjtë e PS-së?
Një gjë e besoj, që nuk janë vetëm Blushi apo Dade ato që artikulojnë kritika për qeverinë. E për më tepër, të dy këto zëra nuk mund të pranohet se nuk përfaqësojnë të majtën socialiste. Ajo që mua më shqetëson është se në tavolina me mike dhe miq nga PS, ka kritika edhe akuza shumë më të rënda se ato për Ramën kryetar, apo për cilësinë e ministrave të tij, por që nuk guxojnë të artikulohen publikisht pasi i mbysin pasojat që kanë njohur se i kanë shkaktuar autoritarizmi dhe gjuetia e shtrigave nga Kryetarzeusi , zërave dhe mendimit ndryshe në parti.
Kisha besuar që Rama do kishte institucionalizuar mendimin ndryshe, por ai shkoi në të kundërt të kësaj lirie politike në parti, ndërsa pohoj që kjo frymë represive ndaj kundërshtarëve i ka rrënjët e në sjelljen e keqe edhe të anëtarësisë socialiste, që i dhanë frymë dhe e mbështetën kryetarin në fatalndryshimet kushtetuese dhe në kodin zgjedhor të fundit, nga Rama dhe Berisha bashkë. Këto ndryshime kanë qenë ngjarje fatale për demokracinë në parti, pluralizmin politik dhe në demokracinë e të gjithë shtetit shqiptar. Koha vijon të tregojë se anëtarësia socialiste duhej të ishte rrebeluar asokohe ndaj këtyre shkaqeve që instaluan autoritarizmin dhe korrupsionin e idealit, statutit edhe në Partinë Socialiste.
Deputeti Koço Kokëdhima është një ndër emrat më të kritikuar dhe më i urryer në PS, nëse mund të përdorim termin që vjen nga baza socialiste. Quhet “beu i jugut” duke mos pyet asnjë. Z. Kokëdhima kritikohet pse është miku i Ramës, apo vërtet ka marrë peng Partinë Socialiste në jug?
“Be” quhesh kur këtë status në marrëdhënie me të tjerët nën hyqëm, t’i pranojnë dhe t’i mundësojnë këto të fundit. Nëse organizatat socialiste, forumet socialiste, grupi parlamentar ka lejuar këtë lloj marrëdhënie, le ta gëzojë edhe Kokëdhima këtë ofiq. I bie të pohojmë se ka vdekur PS-ja në ekzistencën e saj në Jug të vendit. Fat fatal!
Le të kërkojmë “Konicën 2016” dhe në epitaf të PS-së të shkruajë: “E ringjallën socialistët e pos 90-tës; E mbajtën dhe fuqizuan ato të pos 1997-tës; E varrosën ato të pos 2008-tës! Ky është fat i keq për socialistët dhe demokracinë shqiptare bashkë!
Kjo, pasi PS-ja është aset kombëtar i zhvillimeve politike në vend në këto 25 vite. Kokëdhima dhe Rama, mbështetësit e tyre, le të gjejnë veten në këto tre pohime të mijat. Kritikuesve të tyre, por dhe heshtanakëve, ju sugjeroj të dalin para pasqyrës politike dhe t’i pranojnë vetes dhe publikut shqiptar se çfarë nuk bënë kur duhej që të mos lejohej të degjenerohej ADN-ja e Partisë Socialiste. Ato nuk ndërruan vetëm ngjyra siglash e simbolesh, por po tentojnë të përfundojnë tranfuzionin e gjakut bastard në frymën dhe funksionalitetin e partisë. Le të lutemi që kjo të mos ndodhë se na prek të tërëve në sigurinë e të ardhmes tonë në këtë vend.
Deputeti Ben Blushi vazhdon të shtojë gjithmonë e më shumë dozën e kritikave ndaj Partisë Socialiste. Deklarata e fundit ishte alarmante. Ai u shpreh se PS është në një moment kritik, ka ardhur koha që PS të ngrihet dhe të marrë drejtim. Çdo të thotë kjo, nuk është në pushtet PS nuk po e drejton ajo vendin?
Blushi vijon të denoncojë me një mënyrat e tij diskursin e goditur në parlament e grup parlamentar, nisur nga metamorfozat e radhës të partisë së tij pas 2005-sës, atë të pretendimit të Rilindjes. Kjo, e radhës, ishte si ajo e ylberit përtej së majtës e të djathtës ku ftoheshin ta kalonin socialistët apo të tjera deviza që hapur dhe pa ngurrim çuan PS-në në një parti pa ADN ideologjike, pa program socialist dhe pa veprimtari statutore dhe institucionale forumesh. Përtej fuqisë së gjykimit dhe shkrimit të Blushit, problemi qëndron tek koherenca e Blushit në raportin me Ramën si Edi përkundrejt Ramës si kryetar partie.
Mbi të gjitha jam kritike tek cilësia e veprimit politik Blushi, aksioni i tij politik. Unë vlerësoj penën dhe mendjen Blushi, kurajon për t’i thënë publikisht në shumë forma ca të vërteta mbi politikën e PS-së pas 2005, por me këtë mënyrë ai ka arritur të krijojë shumë pak mbështetës publikë konseguentë, ndërsa duhet të pohoj se edhe i ka “tradhëtuar” ato që e mbështetën tek Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Ai ka qenë një moment që ka shkaktuar jo pak pasoja në vijimgremisjen e PS-së. Ndërsa Blushi vijoi rrugën me Ramën si Edi, mbështetësit e tij u shpartalluan nga Rama Kryetar partie dhe Blushi nuk bëzajti. Kjo sjellje politike për mua flet shumë!!!
Këtë deklarim-veprimin e fundit për të dalë me një Platformë në Kongres e quaj me shumë vend, ndërsa shpreh institucionalizimin që evokon për PS, por uroj që të shfrytëzojë gjithë mundësitë statutore që të maksimizojë pakënaqësitë e socialistëve që i kllonuan në rilindas në letra dhe i injoruan si të huaj në mundësitë dhe vitalitetin e tyre vleror si të majtë, me qëllim rivlerimin majtas të partisë. Ka goditur me diskursin që bën diferencën mes rilindasve të Ramës dhe socialistëve të Partisë Socialiste. Ka ndarë tregun formal të ideve mbi partitë e majta nga ai informal që ka prodhuar Rama nën ylber apo rilindje…po aq sa ka diferencuar këtë qeverisja nga qeverisja e socialistëve.
Kush po e qeveris këtë vend?
Në krye janë ato që kanë mundësi të blejnë votën e votuesit të lodhur nga anarkia dhe varfëria në këtë vend, ato që blejnë vendet në Asamble, në Kryesi, në Listë të Deputetëve, në Lista Ministrash para fuqiplotit që shkel ideale, ideologji, statut, program e premtim. Këto mund të jenë sojsëza nga lobi nepotik vëllazëror i fisklanit të kryetarit, nga “shoqëri civile” fitimprurëse, por jo rrallë edhe nga telenovela afeksioni dhe emocioni mes të njëjtës kategori amorale, po aq sa nga “diplomatë të huaj” që vetëm diplomaci në emër të moralit të shteteve të tyre demokratike dhe efiçensës së taksapaguesve të tyre nuk përfaqësojnë këtu tek ne. Vendi sot qeveriset nga qeveria dhe partitë politike, nga OJF-të e varura të pavarura, nga opinionistë dhe biznesmenë të klasit të parë që janë kancerogjuar nën të njëjtët avuj të pushtetit dhe të parasë. Shqipëria sot ka një klasë oligarkike së cilës i vjen fundi vetëm me një përmbysje si ajo e 90-tës. Vetëm pasi të iki kjo klasë oligarkësh mund të jetësohen reforma demokratike në këtë vend.
A duhen bërë ndryshime në qeveri, ka ministra apatik në kabinet?
Qeveria duhet të kalojë në mocion besimi brenda grupeve parlamentare të maxhorancës dhe më pas të kërkojë besimin në Parlament pasi të jetë rikompozuar.
Kjo qeveri ka dhënë çdo gjë me koncesion, zëra kritik si ju janë shprehur se le të japë edhe PS me koncesion. A duhet ta pranojë dështimin kjo qeveri?
Kjo është frazë e thënë me humor therrës, por e vërteta është PS ka vite e koncensionuar tek të paidealët, jashtëstatutorët, milionerët dhe tek individë me rekorde të dyshimta. Në 2008-tën kam dërguar një shkrim për botim “PS-ja po privatizohet”, të cilën nuk ma botuan 2 nga gazetat që sot janë të flakta kundër qeverisë Rama , ndërsa atëherë më refuzuan me pretendimin se” I kisha rënë fort një ylli premtues për këtë vend”. Unë sot them dhe pranoj me keqardhje se qeverisja e Shqipërisë dështoi edhe nga mendja dhe fryma e një dhjetoristi 90-të, që nisi me vrull e mbështetje pushtetin e tij për ta ndryshuar qytetin, vendin dhe u sos me qamet koncensionar dhe mes oligarkisë më të pashpirt për këtë popull.
Kjo qeveri ka dështuar qysh kur u kompozua si e tillë. Më vjen keq për disa individë vullnetmirë dhe punëmbaruar që u përfshinë dhe besuan se do kontribuonin për mirëqeverisje. Gjithsesi, rikompozimi mund t’i rivlerësojë edhe këto “përjashtime” mes qeverisësve sot duke i rifuqizuar më shumë në qeverinë e pranverës 2016. Kjo pasi unë dua të qeverisë e majta e vërtetë dhe jam e bindur se do gjykohet totalisht ndryshe nga rilindasit e kllonuar majtas djathtas, privat konçension. E majta duhet ta qeverisë vendin se e djathta është totalisht e papërgatitur për pushtet. /tesheshi.com/