Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal – RCC, Majlinda Bregu tha se “Ballkani Perëndimor duhet të jenë prioritetet gjeopolitike të BE-së”. Ndërsa, në anën tjetër, sipas saj, “rajoni duhet të tejkaloj veten në një përpjekje për t’u bërë një partner i besueshëm në procesin e zgjerimit”.
Znj.Bregu mori pjesë në një takim jozyrtar të Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor – Web në Sarajevë, ku dhe shpalosi qëndrimet e saj.
Ajo vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal është një nga arritjet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor.
“Përpara nesh, megjithatë, është ende një rrugë e gjatë, e shoqëruar nga shumë sfida, më e madhja e të cilave është thellimi i bashkëpunimit rajonal në këtë kohë të pasigurisë”, tha znj. Bregu.
Ajo shtoi se BE-ja është fuqia më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe minoriteteve.
Fakti është, tha politikania shqiptare, se zgjerimi i BE kishte një ndikim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /tesheshi.com/