Kur David Brackenbury ishte gjashtë vjeç ai mori si dhuratë një glob të ishullit Fair. Kureshtar, ai kishte parë vendndodhjen e ishullit në hartë. Duke e vlerësuar nga qyteti industrial anglez i Derbit, si “pikë më të largët që mund të arrish në det”, atë e joshi ideja e të jetuarit atje.
Rreth 10 vjet më parë, kjo gjë ndodhi. Dhe ndërsa detaji që e tërhoqi djalin drejt këtij ishulli 3 milje katrorë mund të duket veçanërisht unik, ai nuk është aspak personi i vetëm që ka ndjekur ëndrrën e tij për të ardhur në ishull.
Mbështjellë pikërisht në mes midis arkipelagëve Shetland dhe Orkney, ishulli Fair është një nga ishujt më të largët britanikë të banuar. Krijuar nga rritja e majave shkëmbore për shkak të precipitimit të mbetjeve nga deti që ka fundosur me dhjetëra anije, ishulli mund të japë ndjesinë sikur je pikërisht në fundin e botës – sidomos kur erërat e fuqishme ndalin shërbimin ajror dhe tragetin nga Mainland, ishulli më i madh i arkipelagut Shetland. Nëse gjendesh në ishull në ndonjë prej këtyre periudhave që nuk janë të pazakonta mund ta gjesh veten të bllokuar aty për ditë të tëra e madje edhe javë.
Pavarësisht kësaj, ishulli Fair tërheq me qindra vizitorë çdo vit. Ai tërheq madje, edhe banorë që vijnë prej së largu, deri nga Venezuela për t’iu bashkuar komunitetit të shtrënguar prej 55 personash.
Pjesa më e madhe e vizitorëve janë dashamirësit e zogjve. Për ta, ishulli Fair ka një joshje pothuajse mitike: njihet si një nga vendet më të mira në Europë për të parë zogj të rrallë që ndalojnë aty përgjatë rrugëve të tyre të migrimit në pranverë dhe në vjeshtë – ashtu sikundër edhe për zogjtë e detit që ngrenë foletë duke shkaktuar zhurmë e rrëmujë majë shkëmbinjve gjatë verës. Kur pikaset një zog vërtet i rrallë, nuk është e pazakonte që admiruesit e zogjve të marrin me qira avionë charter dhe të shpejtojnë në ishull për ta parë nga afër.
Por, ata nuk janë të vetmit vizitorë që plotësojnë listën e dëshirave duke ardhur në ishull. Fareologjistët që kërkojnë të vizitojnë të gjithë 209 faret e Skocisë do të gjejnë dy të tillë në ishull, të ndërtuar nga familja e famshme inxhinierike Stevenson.
Admiruesit e maleve që kanë përfunduar së ngjituri të 282 majat e Skocisë, më të larta se 3 mijë këmbë, mund të provojnë Ward Hill, Merilinit të ishullit, siç u është vënë emri maleve mbi 490 këmbë. Dhe sigurisht, dikush të tjetër mund të plotësojë në listë përfundimin e vizitave në 790 ishujt e Skocisë.
Tommy Hyndman ka pritur shumë prej këtyre koleksionistëve të eksperiencave në hanin e tij, Old Haa. Ai madje ka krijuar edhe një listë të re të vetën duke rivendosur turneun e golfit të Rojtarit të Farit me gjashtë gropa – fusha më e largët e Britanisë.
Me origjinë nga Nju Jorku, Hyndman u tërhoq nga ishulli Fair nga dëshira për të jetuar në një peizazh malor dhe nga një transmetim në radio. Në shtator 2005, një radio lokale transmetoi një emision ku Trusti Skocez Kombëtar kërkonte një qiramarrës për Old Haa. Ishte gruaja e amerikanit që dëgjoi emisionin ndërsa kishte mbetur në trafik.
Raporti detajonte llojin e njerëzve që mund të përshtateshin me jetën në ishull dhe saktësonte se qiraja do të ishte vetëm 300 paundë në vit.
Trusti Skocez mori rreth 1 mijë aplikime. Deri në fund të procesit, lista u reduktua në dy familje- përfshirë edhe Hyndmanët.
Pasi e vizituan vendin për herë të parë ku u pritën me erë të fortë, nocionet e tyre romantike pothuajse u zhdukën. Nata e parë ishte “e tmerrshme’, thotë Hyndman. Por, kur u rikthye transporti, ata qëndruan edhe pak ditë më shumë, e kjo u dha mundësi të njihen me vendin dhe të “ngrohen” nga ishulli dhe banorët e tij – pjesa më e madhe e të cilëve u shfaqën në një pikë përpara si në një shfaqje muzikore në sheshin e ndonjë salle komunitare. Djali i familjes, thotë Hyndman, “luajti me fëmijët e tyre sikur të kishin qenë miq përgjithmonë”. Kur më në fund u përzgjodhën, ata u vendosën në ishull në vitin 2006.
Rasti duket të jetë një shembull i hershëm i apeleve SOS për njerëz që të jetojnë në ishuj të largët që sot janë bërë virale në internet. Kërkimi për një mësues shkolle në ishullin Foula, po në Skoci apo për një kujdestar në Tazmani janë shembujt më të fundit, sikundër edhe aventura e vetë ishullit Fair për të gjetur një infermiere të re.
Këto lloj apelesh e kanë mbajtur të gjallë ishullin. Dikur, evakuiimi, që ishte fati i arkipelagut Shën Kilda, dukej i pashmangshëm. Situata nisi të ndryshohë në vitin 1948 kur George Waterson themeloi Observatorin e Shpendëve që ndihmoi në tërheqjen e vizitorëve dhe rriti ekonominë. Në vitin, 1954, Waterson e shiti ishullin tek Trusti Kombëtar për Skocinë, që ndihmoi në modernizimin e strehimit dhe përmirësoi transportin. Ndërsa popullsia mbetet shumë e vogël sesa kapaciteti prej 400 personash, njerëz dhe ide të reja vijojnë ta mbajnë gjallë komunitetin.
Ishullorët apo banorët e ishullit thonë gjithmonë se vështirësitë e jetës aty kërkojnë njerëz me natyrë praktike. Megjithatë, apelet e ndryshme në internet përfshijnë imazhe aq idilike saqë tërheqin njerëz për të cilët Hyndman ka një fjalë që i përshtatet edhe për veten: ëndërrimtarë.
Me siguri që ka një element në magnetizmin e ishullit Fair. Vetë emri ka një tërheqje të fortë emocionale. Për britanikët mund të lidhet me parashikimin e motit në zonat e lundrimit, të përditshëm e pothuajse poetik në radio, që jepet pikërisht përpara kohës së gjumit.
Për pjesën tjetër të botës, fjalët ishulli Fair duan të thonë diçka tjetër: xhupat e leshtë të thirrura sipas emrit të ishullit që janë shpërndarë kudo që nga pasarelat e modës deri në ekspeditat polare.
Për Brackenbury, ky produkt i vetëm nisi një ëndërr të gjatë sa jeta. Edhe pse ai nuk bëri asnjë veprim për vite me radhë – kur ishte i rritur, kuptoi se “nuk kishte asgjë për t’i ofruar” një ishulli ku ekonomia ende bazohet gjerësisht në punimin e tokës dhe daljen në det – gjë që ndryshoi rreth një dekadë më parë.
Koha për të, përkoi me dhënien me qira të shtëpizës së rojtarit të farit, ku ai u vendos. “Gjërat janë mënyrën e tyre sesi mblidhen së bashku”, thotë ai.
David Brackenbury u zhvendos nga brendësia e Anglisë në Farin “South Lighthouse” ku ai drejton punishten e thurjes “Fair Isle”, ku punojnë tre gra të ishullit e që solli në këtë vend edhe francezen
Marie Bruhat, dizenjatore tekstilesh. Punishtja fitoi reputacion ndërkombëtar kur krijoi produkte që i shtuan elementë modernë traditës së ishullit Fair.
Francezja Bruhat thotë se donte të punonte në lidhje të ngushtë me stilin e pulovrave të thurura. Ajo erdhi në ishull për shkak të historisë. “Ky është një vend që i ka dhënë emrin një stili veshjesh dimërore që janë përhapur në gjithë botën. Nëse ke pasion për diçka, kërkon të shkosh atje ku ai ka lindur. Vendi më i mirë për të ndjerë thurrjen Fair Isle është pikërisht vetë ishulli”.
Bruhat po vazhdon traditën e grave të ishullit që prej shekujsh kanë nxjerrë jetesën duke ngarkuar prodhimet e tyre të thurrjes në anijet që kalojnë aty. “Ndihesh mirë për të vazhduar atë që nisën ato”, thotë ajo.
Gjetja e një shtëpie ku mund të vendosej përfundimisht ishte më shumë se sfidë. “Gjërat ecin ngadalë për shkak se gjithçka merr kohë këtu”, thotë ajo. “Por jam e bindur se do të dalë diçka”.
Megjithatë, mungesa e strehimit të përhershëm bën që ajo të mos përfshihet plotësisht në jetën e ishullit, për momentin. Nuk mund të nisë trajnimin për gjëra si Roja Bregdetare apo Brigada e Zjarrfikëses. Këto janë vende pune ekstra që ishullorët bëjnë për të plotësuar fitimet.
Por, magnetizmi nis sërish të funksionojë. Nuk ka rëndësi sesa unike mund të jenë arsyer që kanë tërhequr këta njerëz në cepin e botës, pasi ata vendosen në ishull, ai nis të bëjë magjinë e vet tek të sapoardhurit për të hedhur rrënjët dhe për të bërë të pamundurën që ta kthejnë në shtëpinë e tyre.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/