Pas rezultateve të pritshme në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, tashmë vëmendja është kthyer në garën e balotazhit të 7 majit. Ashtu si edhe ishte parashikuar, kandidatët e mbetur në garë janë Emmanuel Macron që mori 23.8 për qind të votave në raundin e parë dhe Marine Le Pen që vjen e mbështetur nga 21.5 për qind e votës së francezëve.
Ende pa u qetësuar vrundulli i raundit të parë, skena politike franceze, por edhe analistët ,janë duke kqyrur me kujdes të gjithë skenarët që lidhen me balotazhin, edhe pse historia ka treguar se me këtë rezultat, Marine Le Pen nuk mund të përballojë bashkimin e votës së disa kandidatëve rivalë.
Këtë javë
Dy fitimtarët, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen do të dalin këtë javë sërish për turin final të fushatës, ndërsa do të kërkojnë të grumbullojnë të gjithë votuesit e pavendosur apo mbështetjen e kandidatëve të tjerë të larguar tashmë nga gara. Të mërkurën, njoftohen zyrtarisht rezultatet e raundit të parë, edhe pse bëhet fjalë për një formalitet të pastër.
Javën e ardhshme
1 Maji premton të jetë si një lloj pike kritike ndërsa mbahen manifestimet tradicionale të kësaj dite që nxjerrin në rrugë demonstrues nga gjithë spektri politik. Sindikatat dhe aktorë të tjerë të lëvizjes punëtore do të marshojnë në dhjetëra qytete, ndërsa Fronti Nacional e shënon 1 Majin duke përkujtuar simbolin e vet të përshtatur, Zhan d’Ark, në Paris.
3 maj
Mbahet debati televiziv live midis dy kandidatëve. Një debat i tillë ka dëshmuar të jetë mjaft zemërak dhe i hidhur, por rrallë ka ndodhur që të ketë sjellë goditje përfundimtare.
5 maj
Fushatuesit dhe kompanitë e sondazheve ndalen të premten e 5 Majit, duke lënë një ditë heshtje elektorale.
7 maj
Qendrat e votimit hapen në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 8 të darkës. Fituesi me gjasa do të dalë brenda disa orësh, por ceremonia e betimit nuk zhvillohet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve.
11 qershor
Zgjedhjet presidenciale pasohen nga ato parlamentare, që do të kenë një domethënie dhe ndikim të madh në atë se çfarë do të arrijë presidenti i ri gjatë mandatit. Në vitin 2012, partia Socialiste e Hollande fitoi 280 vende, pak më pak se numri i duhur për të marrë një shumicë të dallueshme në Asamblenë Kombëtare prej 577 vendesh.
Presidenti i ri – i treti në Francën e një dekade – përballet ndoshta me axhendën më të frikshme nga të gjithë. Siguria listohet e para në detyrat e tij, me synimin madhor për të gjetur një rrugë që të ndalet vorbulla e sulmeve terroriste që kanë vrarë më shumë se 230 persona në vend vetëm në 18 muajt e fundit.
Ekonomia pason në listë, fare ngjitur me sigurinë – të dhënat për rritjen ekonomike që pritet të publikohen menjëherë përpara votimit të balotazhit, duhet të tregojnë se vijon një rritje modeste ekonomike që nuk kënaq aspak pritshmërinë. Rritja ekonomike është e ndarë me zona dhe duket se ka shumë pak ndikim në nivelin e papunësisë që këmbëngul kokëfortësisht mbi nivelin 10 për qind.
Presidenti i ri do të jetë një figurë kyçe në formësimin e bisedimeve Brexit, dhe do të jetë po aq i rëndësishëm në përcaktimin e marrëdhënieve franko-gjermane që ndodhen në zemër të Bashkimit Europian.
Emmanuel Macron versus Marine Le Pen: kush janë dhe kush do fitojë?
Nga 11 kandidatë, ja ku mbetën dy. Raundi i parë eleminoi gjithë të tjerët, përfshi edhe kandidatët e partive tradicionale franceze që deri më tani kishin bërë rotacion pushteti mes tyre, për të lënë në ring dy përfaqësuesit e lëvizjeve jo të rrymës, centristin Emmanuel Macron përballë lideres së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Po kush janë kandidatët që do të përballen me njëri-tjetrin, në një betejë epike që pritet të rezultojë me përsëritjen e historisë për familjen Le Pen. Duket se kandidatët e tjerë do të bashkohen për ta nxjerrë humbëse Marine Le Pen, ashtu si ka ndodhur më parë edhe më babain e saj, themeluesin e Frontit Nacional.
39-vjeçari Macron nuk është zgjedhur asnjëherë në ndonjë post, ai ka mbajtur vetëm poste të emëruara. Në vitin 2005 ishte thjesht nëpunës civil, në vitin 2008 bankier investimesh, në vitin 2012, këshilltar pranë presidentit Fransua Hollond, në vitin 2014 ministër i Ekonomisë. Në vitin 2016 jep dorëheqjen dhe themelon lëvizjen “En Marche!”. Vëzhguesit e përshkruajnë si një njeri me sjellje të holla, të pasionuar, dhe me mendje të hapur e pikëpamje internacionaliste.
Politikat e tij përfshijnë riformatimin e sistemit politik francez që e përshkruan sit ë dështuar dhe vicioz. Të tjera politika përfshijnë lehtësimin e rregullave në tregun e punës, reduktimin e taksës për bizneset, reformimin e sistemit të pagesave të papunësisë, inkurajimin e lëvizshmërisë sociale, shkurtimin e shpenzimeve publike e nxitjen e investimeve, rrudhjen e sektorit shtetëror, reduktimin e numrit të deputetëve, vendosjen e një qeverie të eurozonës, punësimin e më shumë se 10 mijë xhandarëve dhe policëve.
Ai thotë: “Do të punoj përgjatë gjithë kohës së mbetur për të mbledhur sa më shumë njerëz që të mundem në mbështetje të kandidaturës sime. Fuqia e bashkimit do të jetë vendimtare për qeverinë. Sfida nuk është të votohet kundër një personi, port ë vendoset ndarja e përhershme me një sistem që nuk ka qenë në gjendje të gjejë përgjigje për problemet 30-vjeçare të vendit tonë”.
Marine Le Pen
Nga ana tjetër, 48-vjeçarja Marine Le Pen, me arsimim juridik, në vitin 1998 këshilltare rajonale, në vitin 2004 deputete, në vitin 2011, presidente e Frontit Nacional, në vitin 2012 kandidate për presidente ku fitoi 18 për qind në raundin e parë.
Vëzhguesit e përshkruajnë si perandorake, teatrale, me një vendosmëri të pamëshirshme: Franca e para!
Politikat e saj përfshijnë prioritet të shtetasve francezë në vendet e punës, strehim, mirëqënien sociale, taksa shtesë për punonjësit e huaj dhe importet, përfaqësim proporcionalnë parlament, negociimin me BE-në në këmbim të “sovranitetit të plotë” përfshirë rikthimin e frangës, referendum për largimin ose jo nga anëtarësimi në BE, shkurtim të emigracionit deri në 10 mijë persona në vit, kufizim të të drejtave të shtetësisë, punësimin e 15 mijë trupave të policisë, krijimin e 40 mijë vendeve të reja në burgje.
Ajo thotë: “Populli francez tashmë përballet me një zgjidhje të thjeshtë: ose të vijojë në rrugën e rregullave, ose të zgjedhim Francën. Ju keni shansin të zgjidhni ndryshimin e vërtetë. Kjo është ajo që unë propozoj: ndryshim i vërtetë. Është koha të çlirojmë kombin francez nga elitat arrogante që dëshirojnë të na diktojnë sesi duhet të sillemi. Për shkak se unë, po, jam kandidate e njerëzve”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/