Nga Valdete Gashi
Eshtë ulur në një qosh në njërin nga sheshet e Prishtinës e veshur me një fustan të gjatë të zi, një bluzë ngjyrë hiri dhe në kokë kishte vënë një shami të zezë. Në duar mban një fotografi në të cilën ështe një fëmijë, e ku ka një mbishkrim: “Më dhuro para, e kam fëmijën e sëmurë”; ndërsa pranë këmbëve ka një lloj kartoni mbi të cilin vërehen disa centë. Kokën e mban ulur nuk shikon, madje as ata të cilët i dhurojnë para. Kur ofrohesh t’i flasësh e ta pyesësh se nga çfarë sëmundje vuan fëmija, ajo vetëm të shikon dhe nuk flet fare, pastaj ulë kokën menjëherë. Po t’i qëndrosh pranë dhe të tentosh prapë ta pyesësh për ndonjë, gjë kjo femër ngrihet menjëherë, merr paratë dhe largohet nga ai vend. E të tilla ka shumë.
Duke ecur nëpër sheshet e Prishtinës, ajo që bie në sy është masa e madhe e lëmoshë-kërkuesve, ose lypësve ashtu si i themi më lehtë. Disa të vijnë pas duke të kërkuar të holla, të tjerë janë të ulur dhe shtrijnë duart dhe me ato thëniet e tyre si “Allahu të ndihmoftë, të shpëtoftë”, etj., kërkojnë nga kalimtarët e ndryshëm që t’iu dhurojnë para. Por ka dhe diçka tjetër: elementi femër në radhët e lupsarëve, ç’prej kohësh ka dhe një pamje fetare. Ato vendosin në kohë shami, duke bërë të mendosh se është një muslimane e këputur që ka dalë të lypë; ndërkohë që klerikë muslimanë të thonë se lypja është e ndaluar në Islam; e cila zëvëndësohet me detyrimin për të dhënë për ta varfërit. Pra, që njeriu mos mësohet me edukatën e keqe të të lypurit kur ka mundësi të punojë; e që nga ana tjetër të përftojë edukatën e mirë të dhurimit, ose altruizmit, siç quhet në gjuhën sociale.
Qytetarët dyshojnë që statusin fetar të këtyre lypsareve
Për fat të mirë, edhe qytetarë të ndryshëm janë të këtij mendimi se pas asaj veshjeje nuk fshihet ndonjë besimtare, por që është një element spekulativ nga ata që qëndrojnë pas lypsarëve, me idenë për të joshur besimtarët që të dhurojnë, ngase kur shohin një femër me shami mund të provokohen në sentimente fetare dhe humane.
“Lëmosha ekziston, madje nëse ndihmon një njeri që kërkon lëmoshë është mjaft mirë. Por këta lypës të cilët po kërkojnë lëmoshë e që thirren në Allah, janë më së paku besimtarë mendoj unë, madje ata vetëm sa janë duke e keqpërdorur fenë islame”, thotë Ferid Gashi një qytetar që kalon shpesh nëpër këto sheshe.
Një qytetare tjetër, teksa kishte dalë për ta shëtitur fëmijën e saj, pas po i shkonte vajzë e vogël duke i kërkuar para. Edhe kjo vajzë, ndonëse e vogël në moshë, në kokë mbante shami.
“Nuk ke pse të dalësh e të ecësh as në rrugë, të vijnë pas këta lypës të cilët na kanë lodhur. Ata sikur i lëshon dikush ose vijnë nga një vend tjetër. Pastaj kanë veshje interesante si femrat e mbuluara, dhe për këtë neve na detyrojnë t’i ndihmojmë më shumë, sepse në Islam, siç e dimë dhënia e zekatit, në këtë rast parave për t’i ndihmuar dikujt që nuk ka, është gjest i mirë; por unë shumë dyshoj që këta janë besimtarë”, thotë Hajria.
Pas kësaj, pyetëm vajzën e cila ndiqte këtë kalimtare se nga cili vend vinte dhe kush e kishte sjellë, ndërsa fjalët që tha ishin se familja e saj është e varfër dhe nuk kanë para as për bukë.
“Ne jemi të varfër, nuk kemi para për bukë dhe kemi dalë të lypim. Babai na ka thënë të dalim, unë i kam 6 vjeç. Babi na ka thënë të vishemi kështu, të vëmë shami në kokë edhe pse unë kur shkoj në shtëpi e heq këtë shami”, thoshte kjo vajzë e cila quhej Alda.
Lidhur me këtë, edhe një prej imamëve të Kosovës që ushtron detyrën në Xhaminë e Madhe në Podujevë, Imri Llugaliu thotë se edhe në xhaminë e tij vijnë shumë lypsarë, e që sipas tij shumica i sjell dikush.
“Ne kemi përvojë me lypsarë që na vijnë edhe në xhami, sidomos të premteve për namaz të xhumasë, pasi edhe numri i xhematit është i madh, dhe disa herë e kemi thirrur edhe policinë që t’i largojë nga xhamia, sepse i kanë vërejtur xhemati që dikush i panjohur i sjell me veturë luksoze dhe i zbret afër xhamisë, gra me fëmijë të cilët nganjëherë thonë se vijnë nga Shqipëria e nganjëherë nga Prishtina ose Fushë Kosova”, ka thënë ai.
Sipas këtij imami, xhemati i kësaj xhamie kishte parë një rast kur një grua kishte ndërruar rrobat kur kishte ardhur tek xhamia.
“Ata e kanë fotografuar një grua në moshë që deri tek xhamia ka ardhur me rroba të reja, e pastaj aty i ka ndërruar ato me të vjetra, dhe këtu menjëherë bie dyshimi se nga kush janë të porositur. Por, sigurisht ka raste që lypin edhe në emër të fesë, pasi kjo Islami ju kushton rëndësi të veçantë këtyre kategorive duke radhitur një sërë argumentesh nga Kur’ani dhe tradita profetike ku thërrasin besimtarët që të bëhen dorëlirë dhe t’ju ndihmojnë njerëzve në nevojë, mirëpo duhet që organet e rendit t’i zbulojnë këto raste dhe mos të përfitojnë njerëzit e gabuar nga lëmosha e besimtarëve”, tha ai.
Në anën tjetër, sipas Policisë së Kosovës janë ndërmarrë vazhdimisht masa në trajtimin e këtyre rasteve.
“Policia e Kosovës, konform autorizimeve ligjore dhe kapaciteteve që ka vazhdimisht ndërmerr masa në trajtimin sa më adekuat të rasteve të tilla sipas ligjeve të aplikueshme dhe duke bashkëpunuar edhe me aktorët tjerë relevant. Fokusim i veçantë kushtohet në mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, sepse fëmijët mund të jenë viktima potenciale të krimit dhe trafikimit gjë që duhet të jetë prioritet edhe i institucioneve tjera relevante që merren me trajtimin e kësaj problematike”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në PK. Po ashtu sipas tyre gjatë viteve të fundit nga ana e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me institucione tjera janë ndërmarr disa aktivitete për largimin e lypsarëve nga rruga dhe janë organizuar fushata të ndryshme në dekurajimin e qytetarëve që mos japin të holla personave të tillë por siç thotë Policia kjo dukuri ende po vazhdon të jetë si diçka e zakontë. /tesheshi.com/