Si po bie aleanca e ndarjes 80% me 20 % i pushtetit në nivelet e dyta. Drejtori i Muzeut Kombëtar, Melsi Labi, ka sulmuar ministren Mirela Kumbaro; por Labi ka vëllain dhe nipin në burg për korrupsion. Si bien në burg të emëruarit e Metës sapo nis një krisje në kupolën e bashkëqeverisjes….
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është sulmuar nga vartësi i saj, Melsi Labi, që drejton Muzeun Historik Kombëtar, përfaqësues i LSI në atë detyrë. Në një intervistë të dhënë për dritare.net ai thotë se Kumbaro jep miliona për kompani private por nuk jep buxhet për Muzeun.
“Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve si Bunkarti etj, ku privati merr lekët dhe i i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e Ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”– akuzon Labi.
Sulmi i Labit vjen në një kohë kur aleanca bashkëqeverisëse po kalon momente të vështira, ndërkohë që interesant është fakti se vëllai i tij dhe nipi i tij kanë rënë në burg për korrupsion në detyra që mbanin, sërish si përfaqësues të LSI-së.
Në verën e vitit që shkoi, Iljaz Labi, i cili mbante detyrën e n/Drejtort të Përgjithshëm të Burgjeve u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit. Kompanitë private të ushqimit në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku Labi firmoste.
Po para disa javësh, një tjetër zyrtar i LSI-së me mbiemrin Labi, ra në pranga. Tedi Labi, djali i Iljazit dhe nip i Melsit, vetëm 24 vjeç, ishte jurist në Burgun e Durrësit. Ai së bashku me drejtorin e këtij burgu u akuzuan për falsifikim dokumentesh në lirimin e kapos së Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
Sa herë Rama-Meta kanë krisje në bashkëqeverisje ajo reflektohet menjëherë tek drejtorët e LSI-së. A nuk është i shumëkërkuari Klement Balili një nga drejtorët e LSI-së?! Aleati i madh nuk përton asnjëherë që ta sulmojë aleatin e vogël në pikën e dobët: drejtorët e korruptuar apo trafikantë.
Në më pak se 4 vite qeverisje janë vënë në pranga për korrupsion dhjetra drejtorë apo zyrtarë të tjerë të LSI-së për abuzim me detyrën dhe korrupsion.
Aleancë në qeveri- luftë në bazë
Aleanca PS-LSI dhe pse u trumbetua si bashkim i së majtës, ka qenë në fakt një ndarje torte në çdo nivel; që nga ministritë e deri tek drejtoritë dhe vendet e punës më të thjeshtat në administratë. Në çdo institucion ku drejton një i PS-së ai nuk bashkëpunon me vartësit që i vijnë nga LSI-ja, dhe e anasjellta. Që nga lufta për votat e anëtarësisë së njëra-tjetrës gjatë fushatës, ku LSI kërkonte sa më shumë votues të PS-së në listat e saj e deri tek akuzat e ministrave, kjo aleancë është vetëm shemrash. Frika prej njëri-tjetrit shkoi deri aty sa Petrit Vasili i porositi deputetët e LSI-së që të ruheshin se mos u fuste policia drogë në makinë.
Nga ana tjetër, një gjë është ngulitur në mendjen e publikut këto 4 vite: imazhi i LSI-së si një parti e korruptuar deri në rrënjë, një parti që funksionon mbi bazën e interesit; një post drejtori baraz me kaq para dhe kaq vende pune baraz me kaq vota. Për krijimin e këtij imazhi ka ndihmuar mjaft dhe PS-ja. Nga lista e më poshtme mund të kuptohet dhe pse Saimir Tahiri urrehet kaq shumë nga LSI-ja.
Disa nga të arrestuarit e LSI-së:
Drejtori i hipotekës në Lushnje, Elvis Bajaziti 29 vjeç, bashkë me shoferin e tij, të dy të LSI-së, u arretuan në flagrancë nga policia pasi i morën një qytetari 3 mijë euro për t’i dhënë një çertifikatë pronësie.
Po në Lushnje, një tjetër drejtoreshë e LSI-së, ajo e Arsimit, Luiza Tabaku u arrestua pasi u merrte para mësueseve për të mos i lëvizur nga detyra apo për punësime të reja.
Drejtori i Inspektoriatit të Mjedisit Durrës, Genc Balla, i emëruar nga LSI, bashkë me vartës të tij, u arrestuan pasi kërkonin rryshfet nga një kompani shqiptaro-kineze.
Drejtori i Burgut Rrogozhinë, Ferdinand Doksani (i LSI-së) së bashku me dy mjekë, u akuzuan se krijonin raporte false mjekësore për të dënuarit, me qëllim që këta të fundit të merrnin leje shpërblyese të pamerituara.
Drejtori Rajonal i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani, kryetar i LSI-së në Elbasan ishte pjesë e grupit të zyrtarëve të dyshuar për abuzim me fondin e ilaçeve të rimbursueshme, ku dëmi llogaritej 500 mijë euro.
Albert Topçiu, kryetar i degës së LSI-së Fier, mbante detyrën e drejtorit të Vlerësimit Mjedisor në Ministrinë e Mjedisit. Ai u arrestua në Tiranë ndërsa po merrte 2 mijë euro rryshfet një subjekti ndërtues.
Sërish në Lushnje arrestohet Robert Shtëmbari, Drejtori i Emergjencave Civile në nivel lokal i emëruar nga LSI, me akuzën korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Shtëmbari i kishte kërkuar 1 milion lekë një qytetari në Lushnje në këmbim të një vendi pune.
Iljaz Labi, nëndrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit. Dhe s’keni parë gjë akoma… /tesheshi.com/