Cigaret, cigaret elektronike dhe produktet e tjera të duhanit dëmtojnë shëndetin e njerëzve në mbarë botën, dhe megjithëse Bashkimi Evropian dëshiron të krijojë gjeneratën e parë pa duhan deri në vitin 2040, ka dallime brenda bllokut kur bëhet fjalë për rregullimin e produkteve të duhanit, shkruan European Newsroom (ENR).
Pirja e duhanit është një nga shkaqet kryesore të kancerit dhe vdekjeve të parakohshme në Bashkimin Evropian, ku çon në pothuajse 700,000 vdekje çdo vit, shkruan ENR, një projekt i përbashkët i njëzet agjencive evropiane të lajmeve.
Në fillim të dhjetorit, shumica e ministrave të shëndetësisë në Bashkimin Evropian shprehën mbështetjen e tyre për zgjerimin e zonave ku nuk pihet duhan, në përpjekje për të reduktuar numrin e vdekjeve nga kanceri.
Qëllimi i rekomandimeve të reja është kufizimi i pirjes së duhanit në hapësirat e hapura publike ku mblidhen fëmijët ose grupet e tjera të cenueshme, si këndet e lojërave, parqet argëtuese, pishinat, tarracat e restoranteve dhe transporti publik.
Këto janë rekomandime jo të detyrueshme pasi që kujdesi shëndetësor është përgjegjësi ekskluzive e shteteve anëtare.
Rekomandimet i referohen edhe risive të tilla si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit me ngrohje për të dekurajuar të rinjtë nga pirja e duhanit.
Shtatë ditë më parë, Parlamenti Evropian votoi kundër një rezolute për të njëjtën temë pasi ligjvënësit e krahut të djathtë votuan përmes amendamenteve për të dalluar midis produkteve tradicionale të duhanit dhe pajisjeve elektronike. Rezoluta parlamentare do të kishte vetëm një vlerë simbolike.
“Rreziku më i madh për shëndetin në BE”
Komisioni Evropian propozoi ndryshime në udhëzimet aktuale nga viti 2009, duke pasur parasysh faktin se rreth 700,000 njerëz humbin jetën çdo vit për shkak të përdorimit të duhanit, tha komisioneri i ri evropian i shëndetësisë Oliver Varhelyi përpara votimit.
“Është rreziku më i madh për shëndetin në Bashkimin Evropian, i cili mund të shmanget”, theksoi Varhelyi.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vlerësohet se konsumi i produkteve të duhanit vret më shumë se tetë milionë njerëz në mbarë botën çdo vit, duke përfshirë 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit.
Sipas shifrave evropiane, një e katërta e vdekjeve nga kanceri në BE, Islandë dhe Norvegji mund t’i atribuohet pirjes së duhanit, duke e bërë duhanin faktorin kryesor të rrezikut për kancerin.
Megjithatë, shtetet anëtare janë përgjegjëse për politikat e shëndetit publik, që do të thotë se rekomandimet e reja nuk janë të detyrueshme dhe se shtetet anëtare mund ose nuk mund t’i zbatojnë ato.
Si pjesë e planit evropian për të luftuar kancerin, Komisioni Evropian ka vendosur të krijojë një “brez pa duhan“, domethënë deri në vitin 2024, me më pak se pesë për qind e popullsisë së BE-së që do të përdorin produktet e duhanit. Përveç kësaj, BE-ja ndau fonde të konsiderueshme për të mbështetur vendet anëtare në zbatimin e këtyre masave.
Programi EU4Health ndau 16 milionë euro për promovimin e politikave kundër duhanit dhe programi Horizon akordoi 80 milionë euro për kërkime mbi mënyrat për të frenuar përdorimin e duhanit dhe për të parandaluar varësinë.
Dallime të mëdha në të gjithë BE-në në luftën kundër pirjes së duhanit
Të dhënat e mbledhura nga më shumë se 40 vende nga Smoke Free Partnership, një koalicion evropian i organizatave joqeveritare për të luftuar produktet e duhanit, tregojnë se në vitin 2022, më shumë se gjysma e vendeve në Evropë kishin masa “të mira” ose “shumë të mira” për të mbrojnë qytetarët nga pirja pasive e duhanit.
Disa vende evropiane e kanë ndaluar pirjen e duhanit pranë shkollave, para vendeve të punës ose në stadiume sportive, por Suedia është i vetmi vend evropian që e ka ndaluar plotësisht duhanin në restorante dhe në tarracat e kafeneve.
Në Suedi, numri i duhanpirësve është i ulët kryesisht për shkak të “snusit” tradicional, një produkt duhani i grimcuar që vendoset nën buzë dhe konsiderohet më pak i dëmshëm se pirja e duhanit, sepse dëmton vetëm përdoruesin.
Sipas të dhënave të fundit, 22 për qind e burrave suedezë dhe dhjetë për qind e grave suedeze përdorin snus çdo ditë.
Snusi pa duhan, por me nikotinë të shtuar, është i disponueshëm që nga viti 2014 dhe është bërë jashtëzakonisht i popullarizuar sidomos tek të rinjtë dhe shpesh i shtohen shije të ndryshme. Meqenëse nuk është zyrtarisht një produkt duhani, ai nuk është i ndaluar në Bashkimin Evropian, megjithëse ka disa ndalime në nivel kombëtar.
Kompanitë e mëdha shumëkombëshe të duhanit po luftojnë që produkti të mos shpallet ilegal jashtë Suedisë.
Taksa të ulëta, numër i lartë i duhanpirësve?
Taksat për produktet e duhanit gjithashtu ndryshojnë ndërmjet shteteve anëtare, gjë që ndikon drejtpërdrejt në çmimet dhe konsumin.
Për shembull, në Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ishte anëtare e BE-së deri në vitin 2020, taksat janë shumë të larta, gjë që kontribuoi në një ulje të ndjeshme të normave të duhanpirjes, ndërsa në vende të tjera, si Polonia, taksat janë më të ulëta dhe konsumi është ende në nivele të larta.
Bullgaria është ndër dhjetë vendet “më të mira” në botë për sa i përket pirjes së duhanit dhe ka cigaret më të lira në Bashkimin Evropian, tha Dimitar Sabev nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike të Akademisë Bullgare të Shkencave, teksa prezantoi një studim të fundit të përgatitur në bashkëpunim me Institutin për Kërkime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë.
“Simulimet tona treguan se duhanpirja në Bullgari, për sa i përket përqindjes së popullsisë, do të vazhdojë të rritet nëse ruhet modeli aktual i taksimit të cigareve”, theksoi eksperti.
Sipas Pavel Antonov i BlueLink, një rrjet iniciativash qytetare, ministri teknik i financave i Bullgarisë “përfshiu rritje taksash në planin e propozuar” për të luftuar duhanin.
Sllovenia tashmë ndjek shumë nga rekomandimet e BE-së kur bëhet fjalë për frenimin e pirjes pasive të duhanit, tha ministrja e Shëndetësisë Valentina Prevolnik Rupel.
Rregulla më të rrepta do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, si ndalimi i cigareve elektronike me aromë dhe produkteve të duhanit me ngrohje, si dhe mbyllja e zonave të pirjes së duhanit në vendet e mbyllura publike dhe të punës deri në fund të 2025.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vlerëson se një rritje e ndjeshme e çmimit të produkteve të duhanit do të kontribuonte edhe në uljen e duhanpirjes, duke qenë se arsyet financiare janë faktori më i rëndësishëm në marrjen e vendimit për të lënë duhanin, përveç shqetësimeve shëndetësore.
Në Rumani, ku mesatarisht 34 për qind e popullsisë pi duhan, pirja e duhanit është e ndaluar në të gjitha hapësirat e brendshme publike, transportin publik dhe këndet e lojërave. Ligji ndalon pirjen e çdo lloji të duhanit për nxënësit dhe studentët në institucionet arsimore, si dhe shitjen e produkteve të duhanit për të miturit.
Sipas një sondazhi të vitit 2022, 40 për qind e nxënësve rumunë të shkollave të mesme kanë pirë të paktën një cigare në jetën e tyre.
Sipas një sondazhi të fundit të Eurobarometrit mbi qëndrimet e evropianëve ndaj produkteve të duhanit, pothuajse një e katërta e popullsisë së Bashkimit Evropian (24 përqind) pi duhan, që paraqet një rënie prej një pikë përqindje krahasuar me sondazhin e vitit 2020, por raportet ndryshojnë ndjeshëm në vende të veçanta.
Në krye janë: Bullgaria me 37 për qind, Greqia me 36 dhe Kroacia me 35 për qind, ndërsa në fund janë Suedia me 8 dhe Holanda me 11 për qind.
Pavarësisht trendit në rritje të cigareve elektronike, të cilat përdoren veçanërisht nga të rinjtë e moshës 15 deri në 39 vjeç, cigaret tradicionale në kuti janë ende më të kërkuarat. Konsumi mesatar ka mbetur i njëjtë me vitin 2020, pra 14 cigare në ditë.
“Duke pasur parasysh reklamimin e gjerë të cigareve elektronike si një alternativë më e shëndetshme ndaj duhanpirjes konvencionale, ato janë bërë të njohura në mesin e njerëzve që përpiqen të lënë duhanin”, tha Josef Hamoud nga Qendra Mjekësore Universitare gjermane Goettingen, autori kryesor i studimit mbi përdorimin e dyfishtë të cigareve elektronike dhe atye tradicionale.
“Ka ende shumë që ne nuk dimë për efektet afatgjata shëndetësore të cigareve elektronike”, shpjegoi ai.
Në dritën e vdekjeve masive të shkaktuara nga produktet e duhanit, shumë studiues mjekësorë kanë bërë thirrje që cigaret elektronike të mbeten të ligjshme si një mjet për të lënë duhanin, ndërkohë që bëjnë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që të rinjtë të fillojnë të pinë duhan. /tesheshi.com/