Siç e ka bërë të udhës tashmë, çdo mesazh i presidentit Meta, i çdo lloji dhe për çdo arsye, ka në shënjestër kryeministrin Rama.
Kështu dhe në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit, kreu i shtetit, i shndërruan në kreun e kamufluar të opozitës, ka hedhur paralele me aktualitetin politik në vend, deri në aludimin se njeriu që qeverisë është një Arturo Ui.
“’Arturo Ui’ i Bertolt Brecht dhe ‘Ferma e Kafshëve’ e George Orwell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese.
Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit.
Apo ashtu si në Fermën e Orwellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.
Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera”, shkruan ish-kreu i LSI-së para se të bëhej president. /tesheshi.com/