Nga Kostas Zafeiropoulos, Balcani Caucaso
“Infermierët janë shtylla kurrizore e sistemit tonë shëndetësor”- deklaroi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus gjatë pandemisë, teksa në Evropë strukturat e kujdesit shëndetësor po lëkundeshin nën presionin e përhapjes së madhe të virusit Covid -19.
Sipas OBSH-së, në vitin 2021 kishte një mungesë prej gjashtë milionë infermierësh në mbarë botën. Në një Evropë që po përjeton një plakje demografike të theksuar, nevojiten të paktën 1.5 milionë infermierë në sistemin e kujdesit parësor, theksoi Paul De Reave, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Shoqatave të Infermierëve, në një artikull të botuar në gazetën spanjolle El Confidencial.
Ai specifikoi se ky vlerësim nuk është përditësuar me situatën e kohëve të fundit, dhe shtoi se “do të nevojiten shumë infermierë të tjerë, për të garantuar një mbulim të mjaftueshëm të popullatës me shërbim shëndetësor”. Në një raport të vitit 2022, OECD zbuloi se mungesa e infermierëve u përkeqësua shumë në kulmin e pandemisë, veçanërisht në repartet e kujdesit intensiv.
Në vitin 2020, mesatarisht 8.3 infermierë për një mijë banorë punonin në vendet e Bashkimit Evropian. Shifrat ndryshojnë shumë midis një vendi dhe një tjetri. Nga rreth 13 infermierë për një mijë banorë në Finlandë (13.6) dhe Irlandë (12.8) në vetëm 6.3 infermierë për një mijë banorë në Itali dhe 6.1 në Spanjë, dhe deri në nën pesë infermiere në Poloni dhe Bullgari.
Akoma më keq është Greqia (3.4), e fundit në mesin e vendeve të OECD. Besohet se numri i infermierëve ka rënë me 25 për qind vitet e fundit, por qeveria aktuale duket se dëshiron që ta injorojë këtë emergjencë. Vitet e fundit, në nivel evropian është zhvilluar një betejë për të siguruar infermierët, të cilët gjithnjë e më shumë vendosin të largohen jashtë vendit në kërkim të një stabiliteti më të madh dhe kushteve e pagave më të mira.
Spitalet holandeze po kërkojnë infermierë, veçanërisht në Spanjë. Paloma Garzón Aguilar, një infermiere spanjolle 25-vjeçare, po studion intensivisht gjuhën holandeze prej gati dy muajsh, me synim fillimin e punës në këtë vend pranverën e vitit që vjen.
Paloma thotë për gazetën El Confidencial se nuk ia del dot të garantojë jetesën në Spanjë, ndaj ka vendosur të largohet nga qyteti i saj Castilla-La Mancha. Vajza gjeti në internet një kompani holandeze, Eduployment, e cila u ofron infermierëve të huaj jo vetëm kurse gjuhësore, por edhe punë me kohë të plotë.
Infermierët spanjollë që mbërrijnë në Holandë, mund të përfitojnë nga të njëjtat kushte pune si vendasit, dhe një rritje të garantuar të pagës prej 7.4 për qind në vit. Në këmbim, ata angazhohen të qëndrojnë në këtë vend për të paktën dy vjet. Programi premton “36 orë punë të garantuar në javë” me një pagë vjetore prej rreth 37 mijë euro neto.
Paloma mezi pret të largohet nga Spanja. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Spanjolle e Infermierëve, në vitin 2023, 1473 infermierë emigruan në një vend tjetër, pavarësisht se vendi ka një papunësi zero në këtë sektor. Megjithatë, Spanja nuk është një nga tregjet kryesore.
Në fakt, shumica e punonjësve të kontraktuar nga kompania holandeze, vijnë nga vende të tjera të Evropës Jugore, si Greqia, Italia apo Portugalia, ku “profesionistët mendojnë se nuk kanë të ardhme”, shpjegon drejtori i kompanisë, Selwyn Paehlig.
Në Portugali, më shumë se tre mijë infermierë u larguan nga vendi në dy vitet e para pas fillimit të pandemisë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Infermierëve, destinacioni i parë ishte Zvicra, e ndjekur nga Spanja dhe Britania e Madhe, pavarësisht Brexit.
Në Hungari, më shumë se një mijë mjekë dhe pothuajse dy mijë infermierë largohen çdo vit nga sistemi kombëtar i kujdesit shëndetësor. Gjatë dekadës së fundit, nga ky vend kanë ikur më shumë se 25.000 infermierë të kualifikuar, teksa shkalla e migrimit është edhe më shumë në rritje gjatë tre ose katër viteve të fundit.
Destinacionet kryesore janë Gjermania, Austria dhe Britania, ku infermierët fitojnë tre apo edhe katër herë më shumë se në vendin e tyre. Për shembull në Austri, një infermiere e sapo punësuar merr nga 2500-3000 euro në muaj, ndërsa në Hungari paga nuk i kalon 900 eurot.
Mungesa e madhe e infermierëve në vend ka pasoja për të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Për të plotësuar vendet vakante, po rekrutohen infermierë nga Ukraina, Serbia dhe gjithnjë e më shumë nga vendet e Azisë Jugore, sidomos nga India dhe Filipinet.
Edhe Bullgarisë i mungojnë të paktën 29 mijë infermierë. “Çdo vit, 20 për qind e infermierëve të sapodiplomuar largohen nga Bullgaria, për të shkuar të punojnë në vende të tjera të Bashkimit Evropian, veçanërisht në Gjermani, Austri dhe Belgjikë. Të tjerët qëndrojnë këtu, por nuk e ushtrojnë profesionin sepse preferojnë një punë më të paguar”, tha për Mediapool Milka Vasileva, drejtuese e Urdhrit të Infermierëve në vend.
Sipas një sondazhi të kryer nga kjo organizatë, më shumë se gjysma e infermierëve në Bullgari punojnë nga 41-80 orë në javë (duke përfshirë punët e dyta). Pagat në sektorin publik variojnë nga 1000-1500 leva (rreth 510-770 euro). Stafi mjekësor ukrainas që emigroi në Bullgari për shkak të luftës, duhet të përballet me procedura burokratike jashtëzakonisht të ngadalta për njohjen e kualifikimeve.
Për këtë arsye mjekët dhe infermierët nga Ukraina, janë të detyruar të punojnë si kamerierë dhe amvisa, në vend se të trajtojnë pacientët nëpër spitale. Në Greqi, migrimi i mjekëve dhe infermierëve filloi gjatë krizës financiare dhe ekonomike të dekadës së fundit.
Sipas vlerësimeve të bëra nga Urdhri grek i Infermierit, më shumë se 1700 infermierë u larguan në një vend të huaj, sidomos në vitet 2014-2015. Ndërkohë gjatë viteve 2009-2015, forca punëtore e shërbimit shëndetësor kombëtar u tkurr me 20 për qind (me 18.869 punonjës, gjysma e të cilëve ishin mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë).
Infermierët ankohen për përkeqësimin e kushteve të punës. Shumica shkojmë në Qipro, të tërhequr nga një pagë prej 40 mijë eurosh në vit, ndërsa në Greqi infermierët e rinj marrin vetëm 800 euro në muaj, duke punuar në kushte shumë të vështira dhe shpesh jo të shëndetshme.
Kur shpallen konkurset për pozicione të përhershme, zakonisht punësohen infermieret me kontratë. Në repartet spitalore që vuajnë nga mungesa e personelit, gjatë turneve të mbrëmjes dhe të natës 35-40 pacientë varen nga një infermiere e vetme ose maksimumi dy. Dhe kjo ka një ndikim të pamohueshëm tek siguria e pacientit, duke pasur parasysh se raporti minimal për të siguruar kujdesin e duhur është një infermier për çdo pesë pacientë.
Disa studime të kryera në mbarë botën, kanë treguar se pacientët e vendosur në ambiente të prekura nga mungesa e stafit, kanë një shkallë vdekshmërie 6 për qind më të lartë se të tjerët.
Edhe Shqipëria po vuan prej të paktën një dekade nga ky fenomen. Aktualisht, sipas të dhënave të OBSH, vendi ynë ka vetëm rreth gjashtë infermierë dhe vetëm dy mjekë për një mijë banorë.
Por shumica e tyre janë përqendruar në zonat e mesme dhe të mëdha urbane, teksa qindra zona rurale kanë mbetur pa një kujdes shëndetësor të afërt, duke i detyruar të sëmurët të shkojnë në qytetin apo fshatrat aty pranë. Vitet e fundit, ka pasur një rritje të djeshme të pagave në këtë sektor, që i ka përafruar disi me ato të rajonit.
Por nevojat e mëdha dhe ofertat tunduese nga superfuqitë ekonomike të kontinentit, e kanë bërë shumë të vështirë këtë sfidë. E dëshpëruar, vitin e kaluar qeveria synoi ta frenonte valën përmes një ligji që kërkonte nga mjekët dhe infermierët të punonin të paktën disa vite në vend, para se mendonin të emigronin.
Por u tërhoq nga kjo nismë pas protestave të studentëve, por edhe rrëzimit si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Gjendja është aq shumë shqetësuese saqë kryeministri Edi Rama e ngriti zyrtarisht këtë çështje tek kancelari gjerman Olaf Scholz, të cilit i kërkoi kufizime për rekrutimet nga Shqipëria.
Por si në çdo sektor, edhe këtu ku dominojnë ligjet e ofertës dhe kërkesës, dhe largimet drejt Gjermanisë vazhdojnë me ritme të frikshme. Nga ana tjetër, vihet re mungesa e një vizioni afatgjatë, teksa edhe përballë kësaj emergjence, buxheti i shëndetësisë mbetet ende në nivele modeste.