Nga Eva Gjura
Luçiano Boçi është një nga deputetët më aktivë të opozitës në Kuvend për çështjet e arsimit. Ai flet gjatë për reformën e arsimit por edhe për sistemin e mëparshëm ku universitetet jepnin diploma pa hesap, ku pranon se janë bërë gabime por thekson se kishte nevojë për masivitet.
Reforma në arsim në Shqipëri mbetet një nga çështjet më të debatuara si mes klasës politike ashtu edhe mes profesionistëve të fushës, të cilët herë pas here nuk ngurrojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje me reformat e gabuara që janë ndërmarrë në arsim. Pavarësisht zërave kundër apo pro të profesorëve, klasa politike është ajo që duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore, pasi ata hartojnë ndryshimet drastike dhe realizojnë reformat në këtë sektor. Lidhur me ndryshimet më të fundit që janë bërë në Ligjin për Arsimin e lartë, deputeti i Partisë Demokratike z. Luçiano Boçi në një interviste për ‘tesheshi.com’, kritikon qeverinë për shkak se sipas tyre ky ligj sjell pasoja negative në arsim, pasi është një imitim i keq i modelit anglo-sakson. Deputeti i PD-së, deklaron se ata nuk mund të marrim përsipër katrahurën e ngritur sot në sistem brenda sistemit arsimor nga kjo mazhorancë. Por, tha Boçi, as si Pilati nuk mund të sillemi.
Në kuvend është miratuar ligji për Arsimin e Lartë ju si opozitë jeni shprehur kundër pse?
Mbetet një nga ligjet më të kundërshtuara nga ne për shkak të pasojës së parashikuar negative që ai sjell për disa nga shtyllat themelore të arsimit si një e mirë dhe përgjegjësi publike. i trumbetuar fillimisht si model anglo-sakson ai u katandis në një imitim të keq të tij, pasi, i përfunduar larg parimeve themelore të tij, godet rëndë autonominë universitare në të gjitha shfaqet e saj. Tkurr lirinë akademike dhe shformon tërësisht rolin, funksionin dhe strukturën e Universiteteve publike. Koncepti etatist ndaj akademizmit bëhet dominues dhe ushtrohet nëpërmjet shumë mekanizmave. Ato përfshijnë Bordin e Administrimit dhe Administratorin dhe vazhdojnë me mënyrën e ngritjes dhe të funksionimit të rrjetit të Agjencive të ndryshme, të cilat kontrollojnë pothuaj në detaje çdo aspekt të punës së IAL, si atë financiar po ashtu akademik, organizativ e të personelit. Dualiteti Rektor-Administrator ndërtohet duke favorizuar në kompetenca vendimmarrëse e kontrolluese këtë të fundit. Rektori kalon më shumë në funksion honorifik dhe nuk ka status juridik. Rëndësia dhe roli i senatit sfumohen nga veprimtaria e Bordit, i përbërë në shumicë nga njerëz politikë. Këshillat e fakulteteve si nukle të përvijimit të politikave akademike e financiare eleminohen dhe zëvendësohen me Administrator njësie. AKFAL dhe rrjeti i agjensive të ngritura, nuk sigurojnë autonomi, përkundrazi. Ato mbeten agjensi krejtësisht shtetërore, të cilat rregullohen në veprimtarinë e tyre me V.K.M. Madje në terma juridikë këtu gjithçka është e paqartë dhe evazive dhe cenon parimin e sigurisë juridike. Gjithashtu dhe funksionimi i këtyre Agjensive, sidomos ajo e ASCAL, ASHA, AKKSH nuk gjejnë përputhshmëri me modelin e pretenduar dhe cenojnë pavarësinë legale. Ky ligj ul aksesin në arsimin e lartë të të rinjve dhe rrit në mënyrë të pakontrolluar të gjitha llojet e tarifave për studentët në të gjitha ciklet e studimit. Mbështetja shtetërore për kategoritë e caktuara minimizohet dhe zerohet për ciklet e dyta e të treta të studimit. Ai përfundimisht shkërmoq pas tre vitesh universitetet publike, duke i detyruar të shndërrohen në publike të pavarura dhe rrudh në tërësi të gjitha universitetet përtej kryeqytetit për ti bërë këto të fundit kolegje mjerane. Pozita e pedagogut pëson prej efekteve të tij, një degradim progresiv si në aspektin financiar ashtu dhe atë kërkimor-shkencor.
Mazhoranca ju ka akuzuar gjithmonë ju si forcë politike kur keni qenë në qeverisje se shkatërruar sistemin arsimor. Ju normalisht pretendoni të kundërtën. Kaq e vështirë është të arrihet në një unison për të miratuar një ligj të pranuar nga të gjithë?
Mazhoranca në të gjitha fushat ka përdorur standardin nihilist. Arsimi nuk bën përjashtim nga ky rregull i vitit të tyre zero. Ndërkohë që sistemi arsimor në tërësi ka njohur zhvillime domethënëse dhe u vendos në baza perspektive të shëndosha, pa përjashtuar punë të bëra jo aq mirë sa do dëshironim. Mund ta filloja që nga vlerësimi i profesionit të mësuesit, i cili deri para 2005 ishte një nga më të përçmuarit dhe pas ndërhyrjeve në rritjet progresive të pagave u bë një nga më të kërkuarit. Përmirësimet e kurikulave e programeve. Unifikimi i përgatitur dhe i parashikuar për 2015 i strukturës së arsimit parauniversitar me atë evropian dhe vendeve të OECD, që fatkeqësisht shënoi kthim prapa me ardhjen në qeverisje të së majtë. Reforma e altertekstit. Përqendrimi i vëmendjes tek formimi dhe arsimi profesional i shoqëruar me reforma tërësore e ndërhyrje komplekse. Investimet kudo në infrastrukturë, përfshirë tët gjitha nivelet e tij nga ai parashkollori deri në atë të lartë. Aksesi i të rinjve në arsimin e mesëm dhe atë të lartë njohu rritje galopante, m.gj.s paksa në dëm të cilësisë, nëpërmjet dhe inkurajimit të iniciativës së lirë në këtë fushë. Kjo ka bërë që niveli i popullsisë së arsimuar në arsimin e lartë të jetë në nivelet e BE (58 /1000 banorë). Matura shtetërore zhduku përfundimisht korrupsionin në pranimet në universitete. Implementimi i marrëveshjes së Bolonjës dhe pasurimi me programe të ndryshme studimi ishte një tjetër arritje. Shumë nga këto suksese janë zhbërë ose janë duke u çmontuar këto tre vite dhe kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e prekshme, duke e futur sot sistemin arsimor në një kaos dhe kolaps të pashembullt. Lidhur me pranueshmërinë e ligjit të AL, dua të theksoj se të gjitha grupet e interesit me përjashtime të papërfillshme, të cilët u dëgjuan në Komisionin e Edukimit, ishin në unison kundër këtij ligji dhe mendimet e sugjerimet e tyre nuk u pasqyruan në nenet e tij përkatëse nga kjo mazhorancë. Pra ligji jo vetëm nuk u pranua nga të gjithë, por u kundërshtua me shumicë dhe me forcë nga Universitetet, forumet e pavarura akademike dhe nga vetë studentët, protestat e të cilëve ende nuk janë shuar.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se sistemi arsimor në Shqipëri është ku thërret qameti, ka shumë probleme. A ndiheni fajtor se edhe ju si forcë politike keni përgjegjësitë tuaja për shkaktimin e këtij kaosi?
Ne nuk mund të marrim përsipër katrahurën e ngritur sot në sistem brenda sistemit arsimor nga kjo mazhorancë. Por as si Pilati nuk mund të sillemi. Jemi me parimin “Jepi Cezarit atë që i +takon Cezarit”. Kemi pasur shumë arritje. Krahas tyre dhe disa të meta që nuk e zbehin aspak arritjen globale të prekshme dhe të pasqyruar. Ndërkohë “kazma” që këto i kanë vënë arsimit nuk mund të shitet si kurorë dafinash. Këta e kanë dështuar plotësisht arsimin.
Ne si prindër nuk dimë se me çfarë sistemi po mësojnë fëmijët tanë, çdo vit del nga një gjë e re, hiqet ose vihet diçka. Siç ndodhi tani me rikthimin e mesatares. Çfarë dështoi që po rikthehemi sërish prapa?
Rikthimet unë nuk i shoh si mosfunksionime apo si dështime, pasi matura shtetërore p.sh, është një nga arritjet më pikante, e provuar më së miri ndër vite. Ajo ndikoi plotësisht në një shpërndarje objektive, sipas meritë preferencës të së drejtës së arsimit të lartë dhe të vlerësimit real të cilësisë së nxënësve, pavarësisht vendndodhjes. Ndërsa kthimi tek struktura 5+4+3, sapo ajo do përputhej me atë bashkëkohoren 6+3+3, është një histori me justifikime absurde. Po e tillë mbetet saga e monotekstit dhe altertekstit, sot të kufizuar në numër tekstesh të diktuar, por të orientuar plotësisht sipas klientelave afër titullarëve kryesorë. Prandaj këto rikthime më së shumti janë pasojë e lojës së pistë të interesave të ngushta që nuk konsiderojnë aspak efektet afatgjata negative që sjellin ndër fëmijët tanë
Falë liberalizmit të universiteteve nga qeverisja e PD, sot kemi të diplomuar pa fund, pa frikë mund të thuhet se çdo shtëpi ka të paktën dy persona me diplomë, por nuk kemi profesionist të fushave. Qeveria këtë kohë po trumbeton me të madhe që ti jepet rëndësi arsimit profesional. Nuk ju duket edhe juve se do ishte më e drejtë që të fillim të favorizohej arsimi profesional dhe jo të kishim juristë e dentistë pa fund?
Drejtësinë e kësaj kauze e kemi iniciuar ne dhe ka qenë ministri Tafaj ai që është investuar në këtë drejtim dhe është fryt i punës së tij që kjo qeverisje ecën në një rrugë të bërë gati. Këtu e kam fjalën si për marrëveshjet dy palëshe sidomos me palën gjermane, ashtu dhe për numrin e shkollave profesionale si dhe për kurrikulën e arsimit të mesëm të përgjithshëm e 9 vjeçar të cilat stimulojnë marrjen elementeve profesionalë nga nxënësit, për t’i krijuar atyre mundësinë që në një moment të dytë të mund të vazhdojnë shkolla të larta profesionale. Parimi i Cezarit këtu se paku me pak vrasje ndërgjegje nga këta të majtët duhet të kishte funksionuar. Liberalizimi i Universiteteve ishte kërkesë dhe diktim i kohës, i “urisë” që kishte vetë shoqëria dhe që sot është përthyer në kërkesën për cilësi që bën të mundur konkurrencën në tregun, jo vetëm kombëtar të punës por dhe atë rajonal e global. Si i tillë ai pati pasojat e veta pozitive dhe negative. Anatemimi i tij gjithmonë ka një rezervë brenda.
U bë një testim për mësuesit, në bazë të të dhënave rezultoi majft i dobët. Niveli i mësuesve lë shumë për të dëshiruar, por ministrja Nikolla deklaroi se kjo nuk do të thotë asgjë, se nuk do të lëvizë askush nga puna. Çfarë vlere ka testimi. Kur ne kemi mësues kaq të dobët që vazhdojnë dhe ju japin mësim fëmijëve tanë?
Ai ishte një testim kaotik dhe rrëmujë. Pa standarde e pa kritere, sikurse pa qëllime profesionale. Mbetet tërësisht politik dhe ekstraligjor për mos të thënë antiligjor. Finaliteti i tij goditja politike për të krijuar vende pune për militantë, duke hequr këdo “armik” që i del para, nën justifikimin e daljes dobët në testim. Kjo ishte dhe arsyeja që ai nuk prodhoi gjë dhe mbeti një testim “llukë”, në aspektin e domosdoshmërisë kualifikuese.
Nëse si forcë politike do të ktheheshit edhe njëherë mbrapsh në kohë, çfarë do të bënit ndryshe në sistemin arsimor?
Si forcë politike ne kemi synim e shohim përpara, me dëshirën e angazhimin, për të ndrequr gjithçka që po shkatërrohet pandalshëm në këto vite.
/tesheshi.com/