Rigerta Loku, fermerja nga Mirdita, dy ditë më parë mbajti një fjalim, në sallën e Kuvendit, në kuadër të asaj që u quajt si Parlamenti Rural, duke përlotur jo pak njerëz. Loku u ndal në gjendjen e fshatit, tregoi vështirësitë e përditshme me të cilat përballen banorët. Pas fjalimit të saj, pati reagime të ndryshme, pro dhe kundër.
Në një intervistë për gazetën Panorama, ajo e konsideron të çuditshëm reagimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, ndaj saj, ndërkohë që priste që opozita t´a përkrahte për problemet e fshatit që ajo ngriti.
Rigerta tregon edhe arsyet që u përfshi në politikë në 2013, duke kandiduar në Lezhë për FRD-në, ndërsa shprehet se nuk ka asnjë lidhje as me Rilindjen dhe as me ndonjë parti politike.
Fjala juaj nxiti reagime të natyrave të ndryshme, veçanërisht nga ana e opozitës. Si i shikoni komentet e bëra pas sesionit të Parlamentit të parë Rural?
Sot jam ndjerë, me thënë të vërtetën, nën një ortek mediatik mbi shpinë, por unë as e kam kërkuar një gjë të tillë dhe as jam mësuar me gjëra të tilla. Më kanë telefonuar shumë gazetarë, por dhe njerëz të thjeshtë, që unë nuk i njoh. Për mua nuk kanë rëndësi reagimet negative, sepse unë thashë ato që jetoj, ndiej dhe kërkoj që situata të përmirësohet në fshat sepse mundësitë janë shumë të mëdha. Fjalët dhe komentet ua le atyre që janë mësuar të flasin dhe jo të punojnë.
Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka komentuar fjalimin tuaj në Parlamentin Rural, duke e cilësuar si inskenim teatral të Edi Ramës. Keni një koment për këtë interpretim?
Nuk kam absolutisht asnjë përgjigje. Ata po merren më shumë me njëri-tjetrin, se sa me problemet tona. Nuk kam përgjigje për askënd, sepse pashë që u morën të gjithë me mua, pse fola në atë mënyrë, dhe askush nuk u skuq dhe nuk u turpërua pse gjendja në fshat është kjo. Unë fola për një të vërtetë të prekshme, të përditshme, që në fund të fundit, nuk ka asnjë vlerë politike. Paradoksi i komenteve të opozitës sot është fakti që në vend të bëheshin krah meje për problemet që ngrita dhe kërkesat e fermerëve, bujqve dhe blegtorëve, ngrihen dhe me akuzojnë mua, sikur unë thashë që qeveria e ka bërë fshatin parajsë. Këtë unë nuk e kuptoj!!
Si u përgatitët për këtë takim?
Mua më ftuan dhe më thanë, a do vish të marrësh pjesë në një forum ku do të flitet për problemet e fshatit? Dhe unë thashë, pse jo! Me atë rast, do të shoh nga brenda parlamentin. Isha përgatitur me letër, por nuk lexova asgjë nga ato, sepse më thanë do flasësh vetëm 4 minuta dhe u mundova që t’i shprehja thjesht dhe me sa më shumë realizëm problemet. Unë e lashë letrën dhe fola ato që përjetoj çdo ditë. Për asnjë moment, nuk fola për Rigertën, por për Kristinën dhe çdo Kristinë, që ndodhet në çdo fshat të Shqipërisë. Nuk më intereson asnjë parti politike, le të thonë ç’të duan, mua më intereson puna ime. Ajo që është e rëndësishme është se si me njërën parti apo si me tjetrën, situata në fshat është alarmante.
A keni qenë e angazhuar së fundmi me Lëvizjen Socialiste për Integrim?
Jo, jo. Unë jam kthyer nga Italia pas mbarimit të shkollës dhe si çdo i diplomuar jashtë, vjen me një entuziazëm që të bëjë diçka për familjen tënde dhe vendin. Për pak kohë u përfshiva me FRD-në, në 2013.
Keni qenë dhe kandidate për deputete?
Po, kam qenë, kam qenë e treta e listës së Lezhës, por jo sepse unë isha më e mira, por isha e treta për çështje kuote gjinore, por asnjëherë nuk pretendoja se do bëhesha deputete me një parti të vogël si FRD.
Aktualisht po menaxhoni fermën me dhi dhe keca apo punoni në një biznes privat?
Unë, tani që po flasim, jam para stallës së dhive, po e lyejmë dhe po e bëjmë gati sepse këto ditë ato kthehen nga bjeshkët ku ne i kemi çuar për verim. Por, kam katër muaj që punoj në një firmë private, në administrim. Më kërkuan dhe unë pranova që të bëja këtë punë. Ndërkohë që fermën ne e kemi ngritur me bashkëshortin dhe familjarët tanë dhe ka kush merret gjatë kohës që unë punoj te kjo firma. Unë nuk mjel dhitë, që shkruajnë disa, unë merrem me procese të tjera të punës.
Pas fjalës suaj, të kanë takuar dhe ambasadorë e përfaqë- sues të organizatave ndërkombëtare. Çfarë ju thanë?
Pas takimit, më erdhën shumë të huaj dhe shqiptarë që më takonin. Ministri Niko Peleshi më takoi, më tha, a mund të bëjmë një foto dhe unë pranova. Më përgëzoi për transmetimin e problemeve të fshatit. Nuk kam asnjë lidhje me Rilindjen, me pushtetin. Nuk kam asnjë lidhje me partitë politike.
Pas fjalës që mbajtët në Parlamentin e parë Rural, çfarë prisni të ndodhë, besoj se janë mbajtur shënim fjalët tuaja?
Nuk di të them. Unë thashë atë që jetojmë çdo ditë në fshat. Do shohim më tej se çfarë do të ndodhë. /tesheshi.com/