Ata sapo kishin përfunduar faljen e namazit, kur një furgon u përplas mbi kalimtarët pranë një xhamie në veri të Londrës.
Për pasojë një person humbi jetën në vend për shkak të plagëve të marra dhe 8 të tjerë u plagosën rëndë.
Mediat britanike tregojnë se kamioni është ngjitur në trotuar e ka goditur grupin e njerëzve pak pas mesnatës, në “Finsbury Park”. Për ngjarjen policia arrestoi një 48-vjeçar, dhe sipas kryeministres Theresa May, uniformat blu po e trajtojnë rastin si “sulm të mundshëm terrorist”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Këshillit të Myslimanëve të Britanisë. Ata deklaruan se furgoni është lëshuar qëllimisht në drejtim të besimtarëve. Policia londineze, dyshon se shumë prej viktimave kanë qenë duke u larguar pas lutjeve të mbrëmjes në thyerjen e agjërimit të Ramazanit.
Këshilli e cilësoi incidentin një “manifestim të dhunshëm të islamofobisë” dhe kërkoi përforcimin e masave të sigurisë rreth xhamive. Sipas kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, forca policore shtesë janë duke u dërguar, ndërkohë në mbrojtje të komuniteteve, sidomos atyre që mbajnë Ramazanin./thesheshi.com/