Presidenti Meta i dha së fundi një tjetër goditje mazhorancës, duke i kthyer ligjin për Lojrat e Fatit. Më parë, Meta ktheu dhe ligjin për Teatrin, duke vepruar kështu ngjashëm me ish-paraardhësin e tij Nishani, që pothuajse iu shndërrua në një barrikadë të hapur e të qartë mazhorancës në 4-vjetëshin e parë qeverisës, duke ia kthyer të gjitha ligjet.
Gjuha refuzuese e Presidentit Meta ishte e thjeshtë në argumentim, ku veçonte efektin social, ku pra sipas tij, ligji nuk i dekurajonte Lojrat e Fatit. Ndërsa reagimi i mazhorancës, nëpërmjet ministrit Ahmetaj, ka qenë tejet teknik.
“Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshëm për të gjithë. Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10%”, thuhet në një deklarim nga ministria e Financave dhe Ekonomisë. /tesheshi.com/