Nga Blendi Gashi
Vetëm dy ditë pasi u takuan me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq të cilën e quajnë “shef” të tyre e jo Isa Mustafën, përfaqësuesit e Listës Serbe janë revoltuar sërish dhe kanë “ngrirë” aktivitetin në institucione.
Ky reagim i këtij subjekti vjen pak ditë pasi që kryeministri Mustafa mori vendim që të shkarkojë nga detyra e ministrit Ljubomir Mariqin, në vend të cilit emëroi Mirjana Jevitiqin.
Por siç duket kjo e fundit do të jetë ministrja më jetëshkurtër në qeverinë “Mustafa”, pasi ajo pritet të dorëzohet karshi presionit të shtetit serb dhe të lë postin e ministres.
“Ju njoftojmë se ne ligjvënësit serbë në institucionet e përkohshme të Kuvendit të Kosovës do t’i zbatojmë të gjitha vendimet e presidentit Vuçiq dhe se i ngrijmë të gjitha aktivitetet e punës në Kuvend dhe Qeveri. Gjithashtu në përputhje me kërkesën e Aleksandër Vuçiqit është marrë vendim që Mirjana Jevtiq të tërhiqet nga posti i ministres pasi që ajo si një serbe e Kosovës respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrit të Serbisë”, thuhet në njoftimin e kësaj liste të dhënë sot në mëgjes.
Ja kundërpërgjigja e Mustafës
Pak orë pas deklaratës së “Srpska”-s, kryeministri Mustafa, mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë.
Por ai nuk saktësoi nëse do ndërmarrë ndonjë veprim ndaj ministrave serb të cilët atë nuk e njohin si kryeministër, dhe nuk dha shenja se do ketë guximin që njëherë e mirë t’ua tregoi derën dhe t’i largoi nga koalicioni qeverisës, që padyshim se për një gjë të tillë i duhet të konsultohet edhe me partnerin e madh qeverisës PDK-në e Kadri Veselit.
Ai tha se si kryeministër do të mundohet të rikthejë përfaqësuesit serbë në institucione por nëse ata nuk duan të punojnë, nuk do të tentojë me çdo kusht për një gjë të tillë.
“Shkrirja dhe ngrirja është e pakuptimtë edhe per neve por s’është as në interesat e tyre.
Vlerësoj se serbët duhet ta kenë parasysh se interesat duhet t’i realizojnë brenda Kosovës dhe jo të përfaqësohen politkat e pushtetit serb sepse ne s’do të pajtohemi në asnjë rast. Pozicioni i qeverisë së Serbisë është i gabuar, distruktiv, i paprapnueshem dhe do t’ia bëjmë me dije Bashkimit Evropian se kemi të bëjmë me një qeveri dhe shtet që nuk po i reskepton marrëveshjet dhe nuk është i interesuar të normalizoi marrëdhëniet dhe se po merr veprime që po e humb seriozitetin në dialog”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa sa i përket rikthimit të mundshëm të Mariqit në pozitën e ministrit, kreu i qeverisë theksoi se vendimi është i përhershëm.
“Ja si ndalet ‘Srpska’”
Opozita kosovare thotë se që nga fillimi qeveria “Mustafa”, është dorëzuar karshi Listës Serbe dhe nuk pret ndonjë reagim.
Shkodran Hoti, zyrtar për media në Vetëvendosje thotë se “Srpska” është formacion i themeluar për ta kundërshtuar e luftuar Republikën e Kosovës dhe dirigjohet nga Beogradi që nga fillimi, dhe edhe aktualisht po i ndjek politikat shoviniate serbe.
“Fatkeqësia është që qeveria e Kosovës, nê realitet është ‘qeveri e Rashkës’. PDK e LDK kanë pranuar të kushtëzohen nga Lista Serbe që nga nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit. Ky kushtëzim po vazhdon edhe tutje. Prandaj, konsiderojmë se qeveria është dorëzuar para Srpska’s. E vetmja mënyrë për ta ndalur këtë të dytën, është duke e ndalur këtë të parën”, thotë Hoti, për tesheshi.com.
Deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha thotë se është që nga fillimi është ditur se “Srpska”, punon sipas politikave zyrtare të Beogradit.
Ai thotë se gabimi është bërë kur Thaçi dhe Mustafa e kanë legalizu politkën ekstremiste të Vuçiçit dhe kanë lënë anash përfaqësuesit serb që kanë qenë të interesuar të punojnë për shtetin tonë dhe jo të dëmtojnë atë.
“Dihet se Isa nuk ka guxim të ndërmarrë veprime ndaj minsitrave të tij serb dhe këtë e ka dëshmu kur ata i janë referuar shtetin tonë si ‘Kosovë e Metohijë. Andaj, edhe në këtë rast nuk pritet të merret ndonjë veprim. Mirë do të ishte pas deklarimeve të fundit të kësaj liste që përfaqësuesit e saj të largohen nga koliacioni qeverisës por s’ka guxim për një gjë të tillë”, thotë Berisha, për tesheshi.com.
Ndërsa Partia Fjala që udhëheqet nga deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi, deklaratën e Listës Serbe e konsideron fyese dhe kundërkushtetuese.
“Këta shërbëtor të Beogradit, nuk ngurojnë të i marrin paratë e qytetarëve të Kosovës për pozitat që i gëzojnë, si deputet dhe ministra.Përballë veprimeve të tyre kundërshtetërore dhe kundërkushtetuese, qeveria e Kosovës duhet të ndërmarr masa konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Ato masa janë: largim i menjehershëm nga institucionet e Kosovës dhe ngritje të aktakuzës për cenim të rendit kushtetues”, thuhet në reagimin e kësaj partie. /tesheshi.com/