Kryetari i Listës, Goran Rakiç, theksoi se qeveria “Haradinaj” varet nga ta dhe se Prishtina zyrtare duhet t’i kryejë obligimet ndaj tyre.
“Nuk do të shantazhojmë, nuk do t’ua fusim gishtin në sy shqiptarëve, por do të jemi një gur në këpucë për ta, që t’i rikujtojmë Prishtinës detyrimet që ka”, ka thënë Rakiç në një intervistë dhënë televizionit shtetëror serb, RTS.
Ai shtoi se mund të garantojë 100 për qind se Asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe do të formohet së shpejti
“Ky ka qenë kushti ynë, por njëkohësisht është edhe detyrim ndërkombëtar. Prishtina obligohet me Marrëveshjen e Brukselit, nënshkruese e së cilës është, që sa më parë të mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Rakiç.
Lista Serbe përfaqëson serbët e Kosovës në qeveri dhe Kuvend.
Në kuadër të marrëveshjes për formimin e qeverisë së Kosovës, e cila mori bekimin e Kuvendit të shtunën më 9 shtator, Listës Serbe i janë ndarë tri ministri. /tesheshi.com/